Hapen ‘Kutitë e zeza” të 70 zyrtarëve të bashkive dhe komunave

543
Me sa duket, për të dhënë përpara ndërkombëtarëve “provën e luftës reale e këmbëngulëse kundër korrupsionit”, qeveria ka vendosur ta nis këtë luftë me ata ish-kryebashkiakë e ish-krye-komunarë zonash, të cilët prej 1 viti nuk janë më në pushtet, pasi kanë dalë “jashtë loje” me krijimin e 61 bashkive të reja, duke mos u kandiduar më nga forcat politike që përfaqësonin, por në disa zona edhe duke mos fituar dot si kandidatë të pavarur! Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, kryeministri ka urdhëruar drejtuesit e rinj të bashkive, të bëjnë auditetet e brendshme të dokumentacionit të veprimtarisë ekonomike-financiare të bashkive e komunave që janë shkrirë e janë futur në “hartën” e bashkive të reja. Por “çudi” është fakti, që “shënjestra” e kryeministrit ka shkuar deri tek hapja e dosjeve të vjetra, madje të komunave të drejtuara prej militantësh ekstremistë socialistë, të cilët pas ikjes nga postet e deri sot janë të graduar drejtorë e të zgjedhur në strukturat dhe përfaqësitë e pushtetit lokal drejtues të PS në bashki, qarqe e prefektura, siç është rasti i ish-kreut të Komunës Picar të Gjirokastërës, zotit Shkëlqim Guçe (denoncuesit në 21 janar 2016, të heshtjes për vrasjet e 21 janarit 2011) , apo kryetarë që tashmë gjenden nën hetim e në pranga!

 Nisur prej këtij urdhri, drejtuesit e rinj të bashkive, prej 6 muajsh kanë kryer këtë kontroll dosjesh financiare dhe kanë dërguar informacion të detajuar tek kreu i qeverisë. Këto dosje janë “kaluar në filtër”, me rikontroll prej një ekipi të ngritur enkas nga kryeministri, me synimin për t’ia çuar prokurorisë për veprim. Ka qenë ky një “plan veprimi” i diktuar nga institucionet ndërkombëtare që “monitorojnë” e pse jo që urdhërojnë shtetin shqiptar të veproj sipas skemave e urdhrave të tyre! Kryeministri, në zbatim të “porosive” që i pranon nën justifikimin “Kritere të BE e porosi të SHBA për dekriminalizmin”, pasi është njohur me rezultatet e kontrollit të veprimtarisë financiare të periudhës përpara muajit qershor 2015 të njësive vendore të shkrira, nën një “selektim privat të kujdesshëm”, ka përcaktuar se cilët ish-krerë komunash e bashkie do të jenë “kontigjenti i parë” që do të çohen për hetim e ndjekje penale në prokurori. 

Ky “aksion” sulmi anti-korrupsion, duket se ka lidhje me “plan pune” për arrestime drejtuesish bashkie e komunash, të cilët rezultojnë me prova si abuzatorë me fondet publike, nëpërmjet tenderëve dhe shpenzimeve të tjera, bërë nga buxheti i shtetit. Sipas burimeve, në listën e parë të atyre që do të përballën me drejtësinë janë 70 ish-kryetarë bashkie e komunash, të cilët prej 1 viti nuk janë më në këto funksione drejtimi. Në “listën e zezë”, të atyre drejtuesve lokalë që nga kontrollet e bëra rezultojnë me “dosje të zeza” krimi ekonomik-financiar, janë futur edhe 22 drejtues loklë përfaqësues të PS. Bie në sy fakti, se në këtë listë nuk janë futur ish-drejtues bashkie e komunash “peshkaqenë”, të cilët me tenderët e zhvilluar për shpenzime luksi për zyra, vetura, vizita e ahengje zyrtare turistike, me tokat e ndara në mënyrë hajdutërore, me trojet e shitur, me licencat e ujërave e pyjeve, me lejet ndërtimore që kanë dhënë dhe me pasuritë që kanë vënë personalisht gjatë sundimit të tyre 4-16 vjeçar në krye të komunave e bashkive, dihet që janë ekzemplarët e krimit ekonomik-financiar, të vjedhjes së fondeve publike e shkatërrimit të zonave. Por çuditërisht, në listën që i është dërguar prokurorisë figurojnë vetëm ish-drejtues bashkie e komunash “sardele”, të cilët tenderin më të fuqishëm e kanë pasur 10-15 milionë lekë të reja në 2-3 vite! 


Për të evituar “keqkuptimin” politikë, apo siç thuhet, në pazar mes palëve PD-PS dhe në mirëkuptim nepotik, në listën me 70 ish-drejtues lokalë janë futur përfaqësues të çdo ngjyre politike, mes tyre edhe 22 drejtues socialistë! “Çudia” është, se në këtë listë nuk figuron asnjë drejtues aktual i asnjë prej 61 bashkive të reja majtas e djathtas, të cilët kanë qenë kryebashkiakë e krye-komunarë të pushtetit lokal në 12 qytetet kryesore të vendit! Madje nuk janë këtë listë as shumë ish-kryetarë bashkie e komunash, të cilët pas lënies humbjes së posteve janë emëruar drejtues në njësitë administrative, që më parë ishin komuna e bashki. Nuk janë në listë as ish-kryebashkiakë të cilët janë emëruar prefektë, kryetarë qarqesh, kryetarë këshillash bashkiakë, këshilltarë bashkie, zv/prefektë, drejtorë qendrorë, këshilltarë qeverie e ministrash, zv/ministra apo në detyra të tjera në strukturat lokale e qendrore të shtetit e të pushtetit. Pyetja që shtrohet është kjo: Mos vallë, në 61 bashkitë e reja nuk ka kryetarë të cilët nuk kanë “njolla krimi” ekonomik-financiar në veprimtarinë e tyre?! Natyrisht që ka nga të dy krahët e politikës, madje edhe shumë të “përbindësha” në akte korrupsioni, por nuk janë çuar për ndjekje penale! Pse? Sipas burimit të informacionit, në listë nuk është asnjë kryebashkiak socialist e demokrat aktualë i 12 qyteteve të prefekturave! Jo se ata janë “të pastër” por sepse sipas një skenari, dosjet e abuzimeve të tyre do të përdoren për presion në prag të zgjedhjeve parlamentare që po afrohen, duke i kërcënuar “me hapje dosjesh” në rast devijimesh, apo në rast mos nnështrimi për pazare votash pushteti!
(vijon)
Sigal