Hakimi i ʻe-Albania’-s trazoi regjistrimin e nxënësve në shkolla, ende mijëra aplikime mbeten të pakonfirmuara

69
Sigal

 

Nga 25 083 aplikime të kryera online për regjistrimin e nxënësve të klasave të para në shkollë, në portalin “e-Albania” kanë mbetur të pakonfirmuar ende gati pesë mijë prej tyre.

Nga 25 083 aplikime të kryera online për regjistrimin e nxënësve të klasave të para në shkollë, në portalin “e-Albania” kanë mbetur të pakonfirmuar ende gati pesë mijë prej tyre. Ministria e Arsimit konfirmon se për klasat e para u konfirmuan në portalin “e-Albania” 20 145 regjistrime. Dikasteri i arsimit shpjegon për “Sinjalizo” se në raundin e parë nga 18 080 aplikime të nxënësve janë pranuar 14 486, në raundin e dytë nga 4 182 aplikime janë pranuar 3 382, ndërsa në raundin e tretë janë pranuar 2 277 nga 2 821 aplikime për t’u regjistruar në klasat e para. Duke folur me gjuhën e shifrave, Ministria thotë se edhe për klasat e dhjeta u vu re i njëjti problem mbasi nga 23 948 regjistrime të bëra, janë pranuar vetëm 17 017, kurse regjistrimet e 6 931 nxënësve mbeten ende të papranuar. Kjo situatë ishte paralajmëruar më herët mbas hakimit të shërbimeve qeveritare online, nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë. Konkretisht, në 18 korrik ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në kulmin e sulmit kibernetik ndaj platformës “e-Albania” parashikoi se kjo ndërhyrje do të ndikonte edhe në procesin e regjistrimit të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta.

Kemi vendosur që afatin e regjistrimeve ta shtyjmë deri në një datë të pacaktuar,”- deklaroi Kushi, duke nxitur skepticizmin dhe dyshimin e mësuesve, por edhe të prindërve mbi mbarëvajtjen e regjistrimit të digjitalizuar. Çfarë ndodhi pas verës e përshkruan për “Sinjalizo”, drejtori i një shkolle të mesme nga qarku i Elbasanit, që bën të ditur se regjistrimet në portal nuk kanë përfunduar ende.

Procesi i regjistrimit online nisi këtë vit për herë të parë dhe shkolla duhej të mbulonte vetëm një hallkë, atë të konfirmimit, por nuk ndodhi kështu”,- sinjalizon nën kushtin e anonimitetit zyrtari i arsimit.  “Sistemi  pati probleme që në nisje, pasi me vështirësi u vendos juridiksioni dhe adresa e shkollës”,- tregon drejtori. Problemet e tjera lidhen me mungesën e kapaciteteve, cilësinë e pajisjeve dhe harresën e prindërve për të regjistruar diku të dhënat mbas rregjistrimit në e- Albania.

Sipas sinjalizuesit, që numëron se gjatë muajve gusht- shtator, prindërit i janë drejtuar për ndihmë emergjente shkollës, ngre shqetësimin se ka ende nxënës të parregjistruar në portal. Ky ngërç vijon ende ndonëse zyrat arsimore kanë kontaktuar me mësuesit duke kërkuar informacion të përditësuar. “Procesi i regjistrimit për mbi 90% të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta në shkollën tonë u realizua më 23 shtator, por ka raste, kryesisht të fëmijëve të familjeve emigrante, që ende nuk janë regjistruar në portal”- nënvizon zyrtari i arsimit, që pranon se hedhja e të dhënave të nxënësve të parregjistruar mund të bëhet në mënyrë manual.

Por Teuta H*, prind i një prej nxënësve së klasës së dhjetë në Durrës, e pranon për “Sinjalizo” se arriti të përfundonte regjistrimin e vajzës së saj me një javë vonesë pavarësisht se ndërkohë bashkëmoshatarët e të miturës kishin nisur mësimin.

Shkolla nisi më 12 shtator, por regjistrimin arritëm ta mbyllnim më datë 20, tre ditë përpara mbylljes së raudit të tretë”,- ankohet nëna e re. Kur në rrjet ishte e pamundur hedhja e të dhënave të fëmijës, çifti shfrytëzoi raportin miqësor me drejtorin e shkollës për ta rregjistruar në klasë, por jo në portal.

Ne sërish regjistrimin në shkollë e realizuam, vetëm se kësaj rradhe me vonesë. Kishim frikë se po të binte sërish sistemi nuk do të mund të arsimonin dot vajzën, ndaj dhe iu drejtuam fillimisht vetëm shkollës ”,- rrëfehet gruaja.