Guximi dhe “linçimi” i tretë i Bashës

744
Nga Feti ZENELI
Brenda harkut kohor të një viti, lideri demokrat, Lulzim Basha, ka ndërmarrë tre iniciativa të guximshme politike, në funksion të përmirësimit të standardeve tona demokratike në shtet dhe shoqëri, që lidhen me dekriminalizimin, reformën në drejtësi dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndonëse i ri në politikë, dhe akoma më i ri në krye të Partisë Demokratike, në të tre këto raste, siç thotë shkrimtari i mirënjohur Stefan Cvajg, ai është shquar “…për këmbënguljen e shtruar, planin e përpunuar me kujdes dhe realizmin mbi romantikën” e prezantimit publik të problemeve. Natyrisht, si drejtues i një partie në opozitë, z. Basha me guximin dhe largpamësinë e treguar, ka synuar që, së pari, t’i shtojë aksionet forcës politike që përfaqëson, pasi siç thotë Tomas Xheferson, vetëm “një njeri i guximshëm është shumicë”. 

Por krahas mbështetjes që merr në raste të tilla, nuk janë të paktë edhe ata që të kundërshtojnë e nuk janë në një mendje me ty. Motivet e kundërshtimit janë të ndryshme, por kur ato dalin jashtë kuadrit moral, nuk ndërmerren nga pozita parimore. Zakonisht, këtë lloj kundërshtimi e ndesh shpesh në përballjet politike, pasi politikanët asnjëherë nuk nisen nga filozofia që përmban këshilla e Uinston Çurçill, sipas të cilës: “Guximi nderohet, me të drejtë, si e para nga cilësitë njerëzore, sepse është cilësia që garanton gjithë të tjerat”. Por i pakuptueshëm është fakti, që ndonjëherë me gjuhën e kundërshtarit politik, të sulen edhe bashkëpunëtorët e tu. Kështu i ka ndodhur Lulzim Bashës në të tre rastet e iniciativave të tij të guximshme, me synim shëndoshjen e forcës politike që ai drejton prej afro 4 vitesh, pas dorëheqjes së Sali Berishës në vjeshtën e vitit 2013. Këmbëngulja e tij për të marrë maksimumin e kapitalit politik në interes të PD-së, me ligjin e dekriminalizimit, miratimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe krijimin nga qeveria “Rama” të kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, çuditërisht është trajtuar edhe nga 4-5 përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike, me gjuhën e kundërshtarit politik, si një tendencë për të dobësuar e rrudhur më tej këtë forcë politike. Në rastin e tretë të materializimit të guximit politik të Bashës, kjo gjuhë u ashpërsua shumë sidomos, pas dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ku “Grupi i Sherrit” nuk e pa veten në këto lista. Në këtë moment kundërshtimi, sulmi i tyre kulmoi me kërkesën për “largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së”, pasi ai “po e shkatërronte këtë forcë politike”, në funksion të “interesave të veta familjare”.

Po si qëndron e vërteta? “Ku ish gjer dje, kjo farë sokoli?”…
Siç dihet në zgjedhjet e përgjithëshme të 2013-ës, Partia Demokratike pësoi një humbje shokuese, duke marrë vetëm 46 deputet. Ky ka qënë rezultati më i dobët, që PD-ja, si parti e vlerave dhe ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, ka arritur në të gjitha zgjedhjet e përgjithëshme normale, që janë zhvilluar në Shqipëri përgjatë njëçerek shekulli tranzicion. Natyrisht rezultati më i ulët i Partisë Demokratike ka qënë në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, ku mori vetëm 27 deputet, por po të kemi parasysh që ky numër ligjvënësish i përket vetëm gjysmës së territorit të vendit tonë, pasi pjesa tjetër kontrollohej nga maskat dhe bandat, rezulton se në kushte normale votimi, edhe ’97-a do të kishte prodhuar më shumë deputet demokrat se 2013-a. Rezultati tejet i dobët në zgjedhjet më të fundit parlamentare në Shqipëri, u bë shkak i dorëheqjes së Sali Berishës nga kreu i PD-së, që konsiderohet lideri historik i kësaj force politike. Në fjalimin e dorëheqjes nga të gjitha funksionet dhe forumet e Partisë Demokratike, ai mori përsipër gjithë përgjegjësinë e humbjes në këto zgjedhje. Dorëheqje dhanë në këtë kohë edhe disa figura të tjera kryesore të PD-së, që tashmë janë grupuar në kampin e kundërshtarëve të ashpër të liderit aktual, z. Lulzim Basha, duke ndërmarrë ndaj tij sulme të pamoralshme, të pamerituara dhe tepër cinike. Para 3-4 vitesh “i lanë në derë” atij një PD të shpartalluar e të mplakur, dhe tani i kërkojnë ta kthej në një “nuse të re” pushteti, sa hap e mbyll sytë. Dhe ç’është më e çuditshmja, një gjë të tillë ja kërkojnë si agallarët e qëmotshëm, duke e qortuar për 4 vjetë, pa punuar asnjë ditë vetë. Siç dihet, nën udhëheqjen e z. Berisha dhe përfshirjen apo kontributin e “rrebelëve” të mësipërm në pushtet, PD-ja ka qeverisur gati 13 vite; pra gati gjysmën e viteve të tranzicionit, por si shumicë reale ka qënë vetëm 3 muaj, nga 22 marsi deri në 23 korrik 1992. Për periudhën tjetër të kohës mazhoranca qeverisëse e Partisë Demokratike është formuar me pazare të ndryshme, me shit-blerje deputetësh e diversione, duke përfituar nga përçarja e së majtës. Sidoqoftë, duke përjashtuar piramidat financiare, ndërtimet pa kriter dhe disa probleme të tjera social-ekonomike, shqiptarët duhet të ndjehen krenar për vitet e qeverisjes së vendit nën drejtimin e PD-së, pasi u realizuan një sërë arritjesh mbreslënëse, të cilat mundësuan që vendi më i izoluar i planetit, të lidhet në partneritet e miqësi me vendet dhe kombet më të mëdha të botës. Kjo qe arsyeja, që në vitin 2007, Shqipërinë e vizitoi Xhorxh Bush, i pari President në detyrë i SHBA-ve. Parë në këtë këndvështrim; anëtarësimi i vendit në KE, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Associimit dhe më vonë marrja e rekomandimit për statusin e vendit kandidat në BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve tanë në vendet e zonës “Shengen”, etj., janë arritje që mbajnë vulën e qeverisë së Partisë Demokratike. Instalimi më herët i ekonomisë së tregut, kryerja e një sërë reformash dhe investimesh të rëndësishme në vend, rritja e treguesve të mirëqënies së qytetarëve shqiptarë, etj., janë sërish arritje të qeverisjes së demokratëve. Në këto vite, sidomos pas 2005-ës, u ndërtuan segmentet më të rëndësishme të infrastukturës rrugore, u bënë investimet më mëdha në energjitikë, bujqësi, turizëm, arsim, shëndetësi, e kështu me radhë. Megjithatë, qeverisja e Partisë Demokratike të Sali Berishës nuk mundi ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e tranzicionit pa fund, që e ka mbërthyer atë prej vitesh, i cili ka sjell herë pas here përshtjellime të shumta politike, sociale dhe ekonomike në jetën e vendit dhe qytetarëve shqiptarë.Por në 2013-ën, më të telendisur se sa ekonominë ish Lideri demokrat dorëzoi Partinë Demokratike. Shkaku kryesor qe, se strukturat e kësaj partie nuk mblidheshin e nuk funksiononin prej kohësh. Drejtuesit kryesor të këtyre stukturave ishin pozicionuar prej 8 vitesh në postet qeveritare dhe i kishin harruar funksionet partiake që kryenin. Fillimisht, në mandatin e parë qeverisës, u mendua se përkushtimi ndaj detyrave ekzekutive ishe “nder dhe lavdi” edhe për partinë, duke mos nxjerrë mësime nga pësimet e herë pas hershme në zgjedhje, si ato parlamentare ashtu dhe për pushtetin vendor. Ndërsa në mandatin e dytë qeverisës u mendua se si mund të jetohet në opozitën e nesërme, që kishin përgatitur me duratë dhe mendjen e tyre tek interesi personal. Shumica dërrmuese e ministrave, drejtorëve të përgjithshëm dhe drejtuesve të tjerë të lartë në ekzekutiv “zunë myk” në postet që morëm qysh në vitin 2005. “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, ishte filozofia më e përshtatëshme e ushtrimit të detyrës publike prej tyre për 8 vite rresht në pushtet. Ndërkohë, demokratët e thjeshtë u lanë në mëshirë të fatit, dhe në mandatin e dytë qeverisës edhe në “mëshirën” e plotë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një pjesë e tyre, të cilët u çliruan në kohë nga “vargonjtë e idealizmit” dhe zgjodhën rrugën e pragmatizmit, u priu fati i “1 prillit” dhe “dorës së ngrohtë” të “Nënës LSI”. Sidoqoftë, këta ishin më të moralshëm në zgjedhjen e bërë, krahasuar me paraardhësit e tyre, që u rreshtuan nën flamurin partiak me ngjyrë si “flaka e idealeve komuniste e partizane” qysh në ’97-ën, duke shënuar kështu fillimin e “eksodit më të madh” nga radhët e PD-së. Flas për “ushtarët”, pasi “gjeneralët” e atij viti të mbrapsht, Berisha i ktheu në gjirin e qeverisë së tij, mënjëherë sapo erdhi në pushtet në vitin 2005. Por në numër ushtarët janë qindëra e mijëra, kurse gjeneralët numërohen me gishtat e dorës. Pra shkaku i parë i rrudhjes së PD-së ka qënë ky lloj “dezertimi” masiv nga radhët e PD-së, në vitin e mbarpsht të piramidave, duke iu bashkëngjitur të majtës. Shkak tjetër ka qënë opozita e vështirë për 8 vite rresht, deri në vitin 2005, që i detyroi shumë demokrat të marrin rrugët e kurbetit. Rrudhja arriti deri aty sa të bien njëri pas tjetrit bastionet e PD-së, disa në zgjedhjet e përgjithëshme e disa të tjerë në zgjedhjet lokale, duke filluar me Kavajën, Krujën, Laçin, Lezhën, Durrësin, e kështu me radhë. Në 2013-ën u dorëzua dhe Shkodra, ku koalicioni i djathtë fitoi një deputet më pak se sa i majti. Po kështu ndodhi dhe me “Korçën lule”. Tirana, kryeqyteti i vendit, iu dorëzua të majtës që në ’97-ën, e “nuk ka bir k…” ta bëjë më “me tope blu”, etj. Nga ana tjetër, si të mos mjaftonin rrudhjet e herë pas hershme gjatë zgjedhjeve politike apo vendore, në vjeshtën e 2013-ës u shtua edhe rrudhja për shkak të zgjedhjeve brenda PD-së, ku “të vjetrit” u rreshtuan kundër kandidaturës së Bashës, thjeshtë për ruajtur privilegjet e tyre të mëparshme edhe pas ndryshimit të kreut të kësaj force politike. Me pak fjalë, u arrit në këtë situatë steriliteti dhe jetëshkurtësie, sepse Partia Demokratike asnjëherë “…nuk u ndërtua në thellësi…”, por iu përmbajt kërkesave, “…të cilat i dikton koha”, ashtu si mendimet dhe veprimet e njeriut të zakonshëm. Por siç thotë Konrad Adenauer, “…partitë politike, në qoftë se dëshirojnë të mbijetojnë, duhet të ndërtohen në thellësi. Ato duhet të bazohen në vlera të përjetshme”.Kështu mund të vazhdonim edhe me fakte të tjera, për të treguar se Basha mori në 2013-ën një PD “me pantallona në fund të këmbëve”, pasi “rripin” ia kishin hequr vit pa viti, ata, që sot janë rreshtuar në grupin e rrebelëve dhe kritizerëve të tij. Nga ana tjetër, nëpërmjet “Çadrës”, që ishte hapi i parë politik drejt kësaj iniciative të guximshme për shndërrimin e PD-së në shumicë parlamentare, ai vetëm sa ia ka ngritur “pantallonat” kësaj force politike, të cilat prêt t’ia lidh me “rripin” e fitores së pushtetit në zgjedhjet e 25 qershorit. Për një mendje të hapur e bashkëpunuese, “marri” nuk është “Çadra”, por futja në zgjedhje e Partisë Demokratike, pa kërkuar garancitë minimale, kombëtare dhe ndërkombëtare për zhvillimin e tyre në kushte sa më normale. “Marri” ishte të garoje në zgjedhje përballë një aleance gjigande PS-LSI, e cila ishte shtuar në numra dhe instrumenta manipulimi të zgjedhjeve, për shkak të pushtetit absolut që kishte siguruar në 2013-ën, pavarësisht goditjeve që mori nga ligji për dekriminalizimin dhe akteve të tjera politike nga opozita e Lulzim Bashës. Zgjedhjet lokale në Dibër ishin shembulli më i qartë se ç’fund tragjike e priste Partinë Demokratike në këto zgjedhje parlamentare. PD Mund të dilte shumë më keq se në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Megjithatë, sulmet nga brenda PD-së për “Çadrën” ishin si disa “pushkë Model-56”, përballë topave “Obuz 152 mm” apo “tankeve” të pakënaqësive me listat e kandidatëve për deputet. Reagimet e “rrebelëve” të djathtë ishte aq instiktive, sikur t’i kishte pickuar gjarpëri e jo të mos i kishin përfshirë në listën e kandidatëve për deputet. Disa çaste para se sa ky grup të dilte në konferencë shtypi për të dhënë ultimatumin e shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së, edhe unë mendoja, se me dikë, kreu demokrat mund të ishte treguar më tolerant, duke e përfshirë në këto lista, natyrisht jo në krye, por në kufirin e fundit të listës fistuese në çdo qark. Fjala vjen, nëse në Shkodër PD-ja duhej të fitonte 8 deputet, për të qënë mazhorancë në zgjedhjet e 25 qershorit, atëherë një prej këtyre “të përmalluarëve” për fatin e partisë, duhet ta vendoste të 8-in në listë, në Tiranë të 17-in, në Korçë të 7-in, e kështu me radhë. Ata kishin të drejtë t’i kërkonin llogari Bashës nëse për 3-4 vitet e fundit nuk do kishin fjetur në Parlament, por s’do t’i kishte zënë gjumi derisa ta kishin përmbysur situatën në zonat e tyre, për t’ju kthyer atyre mazhorancën, duke luftuar atje në bazë dhëmbë për dhëmbë me pushtetin e krimit, drogës e korrupsionit. Por me ato që thanë në konferencën për shtyp, ata nuk e meritojnë të jenë më as në strukturat partiake. Dikush në rrjetet sociale, me të drejtë i quante këta individë, “qënie idiote” të PD-së. Po, si mundet që për “një plesht” në lista, të djegësh gjithë “jorganin” e forcës politike, e cila vetëm është shfytëzuar barbarisht prej teje?!… T’i kundërvihesh partisë në të cilën ke qënë përfaqësues i lartë i saj, pikërisht në një moment kur çdo demokrat është angazhuar për ta kurorëzuar me sukses fushatën elektorale, është një ngjarje e paprecedent. Kënaqësitë dhe pakënaqësitë ndaj Bashës kanë përfunduar qysh në momentin që ai u zgjodh kryetar i PD-së. Si kryetari i partisë, me listën e prezantuar, ai ka vënë një bast politik me demokratët. Po nuk e fitoi, e ka të përcaktuar rrugën e tij, por vetëm pas 25 qershorit. Kujt nuk i durohet, le të kërkojë privilegje tek kundërshtari politik, i cili po bën thirrje të përditshme për votimin e forcës së tij edhe nga demokratët e pakënaqur nga Basha. PD-ja është pasuri shpirtërore dhe ideal i çmuar i qindra e mijrave anëtarë e simpatizantë të saj, që i japin frymë nga fryma e tyre, pa pretenduar për poste dhe privilegje. Ndaj “rrëbelet e listave” duke linçuar Bashën po hyjnë në gjynah me anëtarësinë e thjeshtë të PD-së. Sot është koha e provës. Kush e do Partinë Demokratike, e ka vendin në fushatë, të bëjë atë që mund ta bëjë më mirë në fushën e betejës elektorale. Koha për t’u marrë me Bashën apo me veten tonë, vjen më pas… 
Sigal