Guardia di Finanza:  16 tonë drogë nga Shqipëria drejt Italisë gjatë 2019-s

80

Bilanci i Guardia di Finanza: Trafikantët shqiptarë furnizuan me kanabis, marihuanë, kokainë, por dhe armë e municione

Rreth 16 tonë drogë janë kapur nga Guardia di Finanza gjatë vitit 2019, të trafikuara nga Shqipëria përmes detit Adriatik dhe Jon. Rajonet më të frekuentuara janë brigjet jugore të Puglia-s dhe Kalabrisë, të cilat u furnizuan me lloje të ndryshme lëndësh narkotike. Në pranga janë vënë 15 skafistë, ndërsa sipas palës italiane nuk kanë munguar dhe kontrabanda e naftës apo trafiku i qenieve njerëzore. Rreth 16 tonë drogë janë sekuestruar në vitin 2019 nga Guardia di Finanza, e trafikuar nga Shqipëria nëpërmjet detit Adriatik dhe Jon. Në një raport vjetor, policia italiane bën të ditur se rajonet më të frekuentuara nga trafikantët shqiptarë, janë brigjet jugore të Puglia-s dhe Kalabrisë, të cilat u furnizuan kryesisht me kanabis, marihuanë, kokainë, por dhe armë e municione. Sipas fqinjëve, 15 nga kontrabandistët e arrestuar, për të kaluar detin përdorën kryesisht gomone oqeanike dhe skafe me motor të fuqishëm, të afta për të çarë detin me ngarkesë të lartë dhe në kohë të shkurtër. Të dhënat u bënë të ditura gjatë prezantimit të raportit vjetor, ku secili rajon referoi rezultatet e arritura përgjatë vitit të shkuar. Reparti operativ i rajonit të Puglia-s bëri të ditur se vetëm në territorin e tyre, janë sekuestruar 3 tonë drogë e janë arrestuar 5 skafistë në det. Reparti operativ i Kalabrisë informoi se kanë sekuestruar 2.2 tonë kokainë, 3.9 tonë marìhuanë, 130 armë, mbi 55 mijë municione e 320 kg eksploziv. Autoriteti më i lartë policor në Itali, Guardia di Finanza, rendit si operacionin “Shoes” si më të suksesshëm në Katania, ku u shkatërrua një grup kriminal i trafikut të drogës, i përbërë nga klanet mafioze siçiliane, kalabreze, napolitane dhe shqiptare. Vetëm në këtë rajon, GDF-ja italiane ka sekuestruar mbi 403 kg drogë, e duke prangosur mbi 40 trafìkantë droge. Droga nuk është i vetmi trafìk i kryer nga shtetasit shqiptarë drejt brigjeve italiane, pasi policia e rajonit të Ravenës ka sekuestruar pesë çisterna me 163 mijë litra karburant, e kontrabanduar nga vendi ynë. Rruga detare drejt brigjeve italiane përdoret dhe për trafìkun e paligjshëm të qenieve njerëzore. Vitin e shkuar janë sekuestruar 145 mjete detare, të cilat transportuan 5 mijë klandestinë. Për këto raste të trafìkut të paligjshëm, Guardia di Finanza, ka vënë në pranga 48 persona. Një tjetër drejtim ku Guardia di Finanza u fokusua gjatë vitit të shkuar ishte dhe lufta kundër evazionit fiskal, ku u konstatuan 6.841 krime financiare, 1.627 prej tyre për mashtrim fiskal ndërkombëtar, duke vënë në pranga 389 persona si dhe sekuestruar pasuri me vlerë mbi 1 miliardë euro.