Grupi mafioz kolumbian që fshihet pas kokainës së kapur në Durrës

780
Sigal

Kapja e sasisë rekord prej 613 kilogramëve kokainë në portin e Durrësit, të fshehur në një ngarkesë bananesh, vijon të pasqyrohet në mediat e huaja.

Por këtë të enjte, zbulimi i drogës kolumbiane në kontenierët e firmës shqiptare të bananeve “Arbri Garden”, është pasqyruar edhe nga mediat meksikane.

Teksa pasqyron lajmin, Sipse.com zbulon edhe se kujt i përkiste kjo sasi droge.

Sipas medias në fjalë, kokaina i përkiste “një strukture të trafikut të drogës, të lidhur me organizatën Clan Del Golfo, e cila ka kontakte me shumë porte europiane, që i përdor për të transportuar drogë”.

Kapja e kësaj sasie kokaine, sipas asaj që shkruan “Sipse.com” shmangu që një shumë prej të paktën 37 milionë dollarësh, vlerë e përllogaritur në tregun e zi ndërkombëtar, të shkonte në arkat e këtij grupi kriminal.

Pronësinë e kësaj sasie droge e konfirmon në një njoftim në faqen e saj zyrtare edhe Armada Kolumbiane.

Por kush është El Clan del Golfo?

El Clan del Golfo, dikur i quajtur Los Urabeños apo Clan Úsuga ose Autodefensas Gaitanistas de Colombia, është një grup kolumbian milici, që merret me trafikun e drogës, i përfshirë në konfliktin e armatosur kolumbian.

Ai konsiderohet si një prej grupeve më të pushtetshme në Kolumbi, me më shumë se 3 mijë anëtarë në rrethin e brendshëm të organizatës. Të ardhurat kryesore të këtij grupi vijnë nga trafiku i drogës.

Ndërkohë, në njoftimin e saj për sasinë e drogës së kapur në vendin tonë, Armada Kolumbiane thotë se operacioni u zhvillua falë bashkëpunimit mes Armadës, agjencive ndërkombëtare dhe Policinë Shqiptare.

“Në një operacion të koordinuar, ku mori pjesë Armada Kombëtare e Kolumbisë, agjencitë ndërkombëtare dhe Policia Shqiptare, u sekuestruan 613 kilogramë kokainë, në Portin e Durrësit në Shqipëri”.