Greva për pronat në ditën e 9-të, refuzohen mjekimet

561
Sigal

Vijon greva e urisë e 14 familjeve, të cilat u nxorën jashtë banesave nga Përmbarimi, në rrugën “Margarita Tutulani” në Tiranë. Në grevë aktualisht janë 10 banorë, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në ditën e 9 të grevës së urisë rëndohet situata e grevistëve, tek ‘Petro Nini’. Gjendja paraqitet e rënduar ndërkohë që, ‘të ngujuarit’ refuzojnë ndihmën mjekësore. Banorët kanë deklaruar se, kërkojnë ndërhyrjen e shtetit në këtë situatë, sepse shumë prej tyre nuk kanë ku të strehohen, pasi nuk kanë vendbanime. Madje, situata është bërë edhe më problematike në momentin që godinës i kanë dalë pronare të reja, dy vajzat e Jakup Shalsit të sapokthyera nga Italia, të cilat pretendojnë pronësinë mbi godinën krahas një tjetër pretendenti, që u shfaq para banorëve pak ditë më parë, në nisje të konfliktit. Pronari i ndërtesës ndërhyri dje me mjete të forta dhe shembi muret e godinës. I shoqëruar nga forca policie, pronari i ndërtesës kërkon shembjen e godinës, por banorët shprehen se, ky veprim është pa autorizim. Avokati i banorëve, Agron Gjedia në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, i cilësoi veprimet e pronarit për nisjen e shembjes së godinës si të paligjshme. Avokati Gjedia theksoi se, janë njoftuar të gjitha strukturat përkatëse dhe asnjë nuk ka ardhur, ndërkohë kërkoi që të ndalet çdo veprim, pasi më parë duhen bërë verifikimet e duhura. Familjet janë vizituar pak ditë më parë nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili u ka ofruar ndihmë për strehim.