Greva e AlbControl/ “Bashkë me Muhin Mezinin u hoqëm nga grafiku”, kontrollorja Ndreca: Nuk kam pasur asnjë rol

287
Sigal

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja që shkaktoi shumë zhurmë në personelin e AlbControl, duke çuar deri në pezullimin e fluturimeve të avionëve në Rinas.

Mediat kanë zbardhur dëshminë e kontrollores Flora Ndreca, e cila ndodhet pas hekurave për shpërdorim detyre, bashkë me dy kolegë të saj.

Ajo ka sqaruar se pasi u njoftua nga drejtoria për pushimin e saj dhe të 4 kolegëve, vetëm emrin e saj dhe të supervizorit, Muhin Mezini ia hoqën emrin nga grafiku, ndaj edhe nuk shkuan në punë.

Sipas Ndrecës, kolegët e tjerë iu bashkuan grupit në shenjë solidarizimi, ndërsa ajo tha se nuk kishte pasur asnjë rol. Mes të tjerash ajo tregoi edhe për takimin me presidentin Meta që zhvilluan më 30 maj, ku ishte ajo bashkë me disa kolegë.

 

Pjesë nga dëshmia e Flora Ndrecës: 

Për të respektuar parimin se ne të gjithë kemi pasur dakordësi, nëse një kontrollor preket padrejtësisht, jemi prekur të gjithë. Duke qenë se u prekëm 5 kontrollor, do të thotë se ishim prekur të gjithë. Kemi ndejtur tek hoteli në afërsi të zyrave të AlbControl derisa unë vendosa që të shkoja në Tv Klan për të bërë thirrje për negociata me qëllim që të hapet dhe hapësira ajrore për të mirën e pasagjerëve dhe të mirën e kompanive ajrore.

Pasi kam plotësuar dhe dorëzuar deklaratë, siç e shpjegova kam dalë nga ambientet e punës. Arsyeja e mosvjatjes në punë ishte se unë dhe Muhin Mezini, supervizori i turnit, jemi hequr nga grafiku dhe jemi njoftuar përmes e-mailit për ndërpreje të marrëdhënies së punës, ndërsa 3 kolegët e tjerë nuk janë njoftuar me e-mail.

Në takimin me presidentin kam qenë unë dhe kontrollorët e tjerë, Eni Mehja, Olsi Petri, Ejona Kotoni, Ejron Pipero si dhe avokati ynë, Rezart Kthupi. Unë nuk kam pasur ndonjë rol me kolegët e mi se dhe ato kishin plotësuar deklaratën e paaftësisë në momentin që më është komunikuar ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Nuk e di të them saktësisht se kur kanë filluar shqetësimet e kontrollorëve, por disa prej tyre një pjesë e tyre kanë kaluar COVID-19 si dhe situatën e tërmetit të datës 26.11.2019 duke qenë se neve nuk mund të largohemi nga vendi i punës dhe që nga kjo periudhë kanë filluar shqetësimet.

Situata e krijuar që prej një viti, pra ulja e pagës në mënyrë të njëanshme, mungesa e dialogut social dhe indiferentizmin e treguar nga institucionet ligjzbatuese dhe situata ishte e pritshme. Përsa i përket deklaratës së paaftësisë së përkohshme të plotësuar nga Muhin Mezini, po deklaroj dhe unë se me të kemi diskutuar në lidhje me këtë situatë të krijuar.