Nga Shpëtim Zinxhiria

Nuk është çështje dëshire apo vullneti, por është detyrim kushtetues mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, nga ana e shtetit shqiptar dhe institucioneve që përfaqësojnë atë. Por… Ambasada jonë në Athinë prej vitesh i mëson këto tragjedi nëpërmjet mediave. Shteti shqiptar nuk disponon asnjë listë me numrin e saktë të shtetasve që kanë gjetur vdekjen në Greqi…Kryeministri të mos heshtë. Mbështetur në ligjet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shteti grek ka përgjegjësinë për jetën dhe shëndetin e personit që mban burgu. Detyra e shtetit grek ndaj njeriut dhe jetës nënkupton, nga njëra anë, shmangien e situatave që ndikojnë në të, nga ana tjetër duhet të marrë masa për ta mbrojtur atë, me shërbimet shëndetësore dhe kushtet e jetesës që nuk rrezikojnë shëndetin dhe jetën e të dënuarve, pasi jetët e të burgosurve, për më tepër nuk janë një detaj, dhe vdekja nuk mund të bjerë gjithmonë në kategorinë e njohur prej viteve… incidenteve aksidentale. Sipas psikologëve grekë, në shumë raste personat e dënuar u detyruan t’i japin fund jetës së tyre gjatë 48 orëve të para të hyrjes së të burgosurve në zonën e burgut. Por… Të paraburgosurit, si një grup i popullsisë, kanë përqindje veçanërisht më të larta të vetëvrasjes sesa popullsia e përgjithshme. Në veçanti, duke folur për personat e ndaluar në qendrat e ndalimit policor, vihet re se një përqindje prej 7.5% prej tyre përpiqet të kryejë vetëvrasje disa ditë para gjyqit ose dëbimit (për të huajt e ndaluar për hyrje të paligjshme)

Çfarë tregojnë të dhënat nga burgjet e Greqisë?

Në Greqi gjatë periudhës 24 vjeçare në vitet 1977 dhe 2000, kanë gjetur vdekjen 602 të burgosur gjatë dënimit të tyre në të gjitha burgjet e vendit: Shkalla e vetëvrasjes ishte 112 për 100,000 të burgosur. Me dhjetëra janë viktima shqiptarë që kanë gjetur vdekjen në këto burgje, ku asnjë hetim nuk është bërë nga shteti shqiptar, i cili i mëson këto jo në rrugë zyrtare (diplomatike), por fatkeqësisht i mëson nga media… Mbrojtja e jetëve të burgosurve nuk është çështje dëshire, por është një detyrim dhe kryesisht ligjor, por njëkohësisht nga ana tjetër vetëvrasja është thirrja përfundimtare e dëshpërimit për gjithçka që ndodh gjatë burgosjes. Mbi të gjitha, është detyra e shtetit shqiptar të bazuar mbi njeriun dhe e vlerëson jetën e tij si një e mirë supreme. Këtë shteti shqiptar nuk duhet ta anashkalojë por ta ketë përherë në agjendën e tij të përditshme.

Disa viktima për të cilën shteti shqiptar duhet të fillojë hetimet

10/01/2018. Gjendet i vdekur një 45-vjeçar në burgun Koridalo të Athinës, raporton portali reader.gr

3/02/2018. Gjendet i vdekur 26-vjeçari në burgun e Larisës. Ishin të burgosurit e qelisë që informuan drejtuesit e burgut. Priten hetimet…

16/02/2018. Sipas të dhënave të policisë greke është gjendur i varur 54 vjeçar, shtetas shqiptar, sipas policisë shqiptari është varur gjatë natës me një copë batanije të lidhur në hekurat e dritares. Viktima është dërguar në spitalin Hanias ku dhe është përcaktuar vdekja e tij. Ai mbahej në qendrën e paraburgimit në pritje për t’u dëbuar nga Greqia.

3/08/2018 Vdes në komisariatin e policisë në Ano Patisia 29-vjeçari lezhian Pëllumb Marnikolaj. Ai u rrah për vdekje nga policia dhe u kap nga familja në një kohë që po e varrosnin ne mënyrë të fshehtë për të humbur gjurmët.

08/09/2018. Një emigrant gjendet i varur në burgun “Kreta -1” në Agio Hanias. Ende nuk janë dhënë detaje

25/11/2018 .Gardianët e burgut në Trikalla kanë gjetur të vdekur në qelinë e burgut një shtetas shqiptar 35-vjeçar. Kjo vdekje u zbulua pasi shqiptari nuk u përgjigjej si gjithmonë thirrjeve te gardianëve të burgut. Arsyet e vdekjes po hetohen nga policia grek, theksojnë mediat vendase.

03/03/2016 Një i burgosur 29-vjeçar gjendet i vdekur në qendrën e hetuesisë të Patras, i cili akuzohej për vjedhje telefonash celularë.

23/04/2016. Gjendet i pajetë një 40-vjeçar në qelinë e tij, i burgosur në Burgun Agio Stefanou të Patras. Sipas policisë, 40-vjeçarin e gjetën pa ndjenja burgosurit e tjerë dhe menjëherë njoftuan kreun e burgut. Pastaj, 40-vjeçari shkoi në Qendrën Shëndetësore të Kato Akaisë, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij.

21/07/2016. Një 40-vjeçar i burgosur u gjet i vdekur në burgun Nigrita. 40-vjeçari e humbi jetën në kushte të paqarta.

20/ 03/2015 .Vdes një dhe plagoset një tjetër në burgun e Larisës pas një përleshjeje brenda në burg.

14/04/2015. Vdes një 32-vjeçar në burgun Diavata të Selanikut. Vdekja e tij i atribuohet shkaqeve patologjike. Ai është një 32-vjeçari, i cili u dënua me tetë vjet burg për trafik droge. Ai e la frymën e tij të fundit brenda qelisë dhe burgosurit informuan stafin e burgut.

04/07/2015. Gjendet i vdekur në qelinë e tij një 50-vjeçar në burgun Agio Stafanou Patrës . 50-vjeçari u transportua nga ambulanca në spital, ku mjekët kanë konfirmuar thjesht vdekjen e tij, raporton portali lokal “Topika Nea

27/03/2014. Gjendet i pajetë në qeli 42-vjeçari Kudret Kume apo Ilia (Ilir) Kareli që pak ditë më parë vrau gardianin e qendrës së burgimit. Mediat greke kanë raportuar se rojet e burgut e kanë gjetur të vdekur pas mesnate në burgun e Nigritës në Serres, 30 km larg Selanikut, në qelinë e izolimit ku e kishin çuar të enjten në mbrëmje pas vrasjes që ai kreu.

17/04/2014. Vdes në burgun e Agio Stefanou të Patrës 24 – vjeçari, kushëriri i Alket Rizait, publikon portali i qytetit “patrastimes.gr”.

20/04/2013. Gjendet i varur në qelinë e tij nga stafi i burgut ne Komotini. Ai ishte i burgosur për vjedhje, raporton portal lokal “ThrakiToday.com

21/08/2006. 32-vjeçari gjendet i varur me bluzën e tij në qelinë e paraburgimit në komisariatin e policisë në Akropol të Athinës, raporton televizioni Skaj.

13/07/2008. I vdekur është gjendur në qelinë e tij një i burgosur 48-vjeçar në burgun e Kassandrës. Ai mbahej i burgosur pasi pritej deportimi i tij për hyrje të paligjshme në Greqi. Sipas policisë viktima ka varur veten duke përdorur çarçafin duke i dhënë fund jetës së tij.

Mbrojtja e jetëve të burgosurve nuk është çështje dëshire por është një detyrim dhe kryesisht ligjor, këtë shteti shqiptar nuk duhet ta anashkalojë, por ta ketë përherë në agjendën e tij të përditshme.