Gratë e dënuara në aksionin e pastrimit të Tiranës, angazhohen tek “Ali Demi”

520
Aksionit qytetar për pastrimin e Tiranës, të thirrur nga Bashkia, i janë bashkuar edhe 8 gra të dënuara nga IEVP “Ali Demi”, të shoqëruara nga forcat e sigurisë. Të dënuarat kanë kontribuar në pastrimin e njësisë bashkiake nr.1, të zonës “Ali Demi”. Në bashkëpunim me njësinë vendore, ato janë pajisur me bluza identifikuese si pjesëmarrje në nismë, si dhe me mjete të tjera për pastrimin.
Të burgosurat e përfshira në aksion kanë shprehur me vullnetin e tyre të lirë dëshirën për të marrë pjesë në këtë nismë qytetare. Pastrimi ka vijuar për rreth 1 orë e 30 minuta, në zonën afër burgut “Ali Demi”. Të dënuarat ishin të shoqëruara nga forcat e policisë së burgjeve, që gjithashtu ishin civilë, të veshur me bluzat e shpërndara për këtë qëllim. Të burgosurat pjesëmarrëse kanë qenë në prag lirimi, me pak muaj dënim të mbetur për të kryer.
Ato konsiderohen tashmë të rehabilituara, ndaj angazhimi i tyre në aktivitete sociale në mjedis të hapur nuk përbën rrezik, por përkundrazi konsiderohet një mënyrë e mirë për t’i afruar me shoqërinë dhe mësuar me ndjenjën e punës publike.
Kjo është e disata herë që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve angazhon personat e dënuar dhe stafin e burgjeve në aksione qytetare të përbashkëta të kësaj natyre. Sipas DPB, nisma të tilla nxisin përfshirjen në komunitet dhe motivimin e personave të privuar nga liria, që përbën synimin kryesor të sistemit të burgjeve në çdo vend.
Sigal