Grabitje dhe vendosje eksplozivi/ Të arrestuarit në Tiranë tmerri i njësive 5 dhe 7

325
Sigal

Policia e Tiranës shkatërroi sot një grup kriminal prej 7 personash të cilët kryenin grabitje dhe vendosnin lëndë eksplozive në kryeqytet.

Banda vepronte kryesisht në njësitë nr.5 dhe nr.7 në Tiranë, duke u kthyer në tmerrin e banorëve. Në prangat e policisë ranë S. Q., 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim, P. S., 23 vjeç, A. K., 28 vjeç, E. H., 25 vjeç, K. M., 33 vjeç dhe A. K., 31 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e A. Sh., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe F.A 28 vjeç, i arrestuar dy ditë më parë si bashkëautor në vendosjen e tritolit në derën e një lokali pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, ngjarje kjo e ndodhur në datën 11 qershor të këtij viti.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit S. Q. dhe E. H., në bashkëpunim me shtetasin E. K. (i arrestuar më parë), janë autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit M. Sh., ngjarje e ndodhur në muajin prill 2020.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta persona.

Materialet do t’i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me armë” e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.