Grabitja e Rinasit: Kush është “i madhi” në përgjimet e bëra

812
Sigal

Një përgjim ambiental i ka krijuar dyshime të forta te prokurorët e Krimeve të Rënda për ekzistencën e një organizimi mes të arrestuarve të deritanishëm për grabitjen e milionave euro në Rinas.

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se përgjimi është realizuar pak minuta pas shoqërimit në polici të Oltion Veselit, Renaldo Sulës dhe Saimir Çelës, aktualisht të lënë në burg nga Krimet e Rënda.

Teksa janë lënë vetëm, ata kanë folur me njeri-tjetrin duke shprehur shqetësim se si do të vepronin dhe për vitet e burgut që mund të rrezikonin. Por sipas burimeve, pikante në bisedën mes dy prej tyre është momenti ku ata i referohen një personi tjetër, duke e cilësuar atë “I madhi”. Por nëse deri tani autoritetet kanë prezantuar Admir Muratajn si organizator të grabitjes, i cili u vra ditën e ngjarjes, atëherë cili është “i madhi”?

Dalin detaje të reja nga  dëshmia e Alkond Bengasit, i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai u vu me shpatulla pas murit, kur hetuesit i vunë përpara shenjën e një prej gishtave të tij të gjetur në perden e furgonit të përdorur në grabitje.

Bengasi ka rrëfyer shndërrimin e furgonit nga një “Shervolet” me ngjyrë të gjelbër në mjetin e ditës së ngjarjes, i bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Sipas tij, furgoni ishte sjellë në Elbasan nga një prej vëllezërve Çala. “Më patën thënë se do ta bënin sportiv dhe i kam parë të bëjnë xhiro në Bradashesh pranë një rrobaqepësie në pronësi të tij”, ka pohuar ai.

Bengasi ka treguar se e ka njohur këtë furgon në videot e grabitjes nga parakolpi i tij. Në deklarimet e tij, ai ka pohuar se këtë furgon e ka sjellë Admir Murataj nga larg, duke nënkuptuar se ka ardhur nga Kosova.

Deri më tani, drejtësia ka vënë nën përgjegjësi 5 persona për grabitjen në Rinas. I fundit i arrestuar, Elton Pikli, u la të premten në masën “arrest në burg”. Gjatë seancës me dyer të mbyllura, ai pranoi të kishte njohje me Admir Muratajn, por mohoi kategorikisht të ketë lidhje me grabitjen në aeroport.