Grabitja e 600 mln lekëve nga thesari i BSH,në hetim edhe persona të tjerë

526
Sigal

TIRANE– Zgjerohen hetimet për vjedhjen e thesarit të Bankës së Shqipërisë për 4 vjet rresht nga ekonomistët Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj. “A1 Report” ka mundur të mësojë se për vjedhjen e 600 milionë lekëve do të merren në pyetje disa persona, që dyshohet të kenë bashkëpunuar në këtë vepër penale. Kështu, sipas burimeve nga prokuroria, hetimet do të shtrihen që në momentin kur lekët vinin nga Rinasi, duke u marrë në pyetje personat që e transportonin thesarin që vinte nga Zvicra. Një tjetër element kyç ku do të përqendrohen hetimet, është momenti kur Bitraj fuste librat brenda në bankë, duke i zëvendësuar me lekët që përvetësonte. Sipas burimeve nga prokuroria, punonjësit duhet të hyjnë duarbosh në ambientet ku mbahen paratë, ndaj dyshohet se Bitraj është ndihmuar nga personat që ruajnë ambientet duke i dhënë mundësinë atij që të fuste librat brenda. Burime nga prokuroria thonë se pavarësisht periudhës së pushimeve të verës, hetimet për dosjen e vjedhjes së thesarit të bankës së Shqipërisë, do të vijojnë në mënyrë intensive, pa asnjë ndërprerje, për vetë rëndësinë e çështjes. Mësohet se nuk ka rezultuar i vërtetë deklarimi i Bitrajt se paratë i linte ne bixhoz, pasi atij i janë gjetur lekë edhe në banesë. Nga ana tjetër, mëoshet se ai ka investuar në pasuri të paluajtshme me paratë e vjedhura. Organi i akuzës paralajmëron vendosjen e masës së sekuestros për këtë kategori të pasurive të Bitrajt. Si Bitraj dhe Bruzia, ndodhen të arrestuar me vendim gjykate për akuzat e vjedhjes, shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.