Grabiten 740 milion lekët e riparimit të shkollës

651
Sigal

Lajmi sensacional që u botua para 3 ditësh në “Telegraf”,  lidhur me abuzimin shumëvjeçar të disa bizneseve dhe kompanive të mëdha me detyrimet ndaj shtetit, ka detyruar Prokurorinë të zbarkojë në degën e Tatim-Taksave. Dy prokurorë dhe një ekspert kontabël i Prokurorisë së Përgjithshme, janë paraqitur  tek dega e Tatimeve dhe kanë kërkuar zyrtarisht marrjen e dosjeve të 12 kompanive të biznesit të madh  për të verifikuar  veprimtarinë abuzive të tyre në vite. Burime nga dega e Tatimeve të Durrësit  thanë  se, “prokurorët kanë marrë takim me drejtuesit e degës dhe kanë paraqitur kërkesën dhe mandatin e tyre, për të verifikuar  gjithçka mbi kompanitë që klasifikohen si biznes i madh dhe që Durrësin e kanë qendrën ose filialin e tyre”. Ka mjaft prej firmave dhe kompanive, të cilat klasifikohen si biznes i madh, që në Durrës kanë zyrat qendrore, pra janë të regjistruara në degën e Tatim-Taksave atje, ose kanë filialet e tyre. Mësohet se, 4 prej këtyre bizneseve të mëdha kanë mbyllur filialet në Durrës qysh në muajin tetor 2013, por që zbulimi i abuzimeve nuk i shpëton ato nga ndjekja penale. Prokuroria, e cila ka reaguar shumë shpejt,  por  gjithsesi  zëra brenda degës së Tatim-Taksave në Durrës  u shprehën se, “ky  megaskandal  ndoshta do të mbyllet ashtu siç janë mbyllur  të tjerat  që janë zbuluar vitet e shkuara”. Zyrtarët e kësaj dege ndjehen të tulatur dhe të frikësuar nga situata e krijuar  dhe nuk pranojnë kurrsesi të flasin dhe të takohen me median. Ndjehen të  trembur  se, një takim sado formal me një gazetar qoftë edhe në korridoret e këtij institucioni do t’i kushtonte vendin e punës, duke u identifikuar  si  “spiun”. Prokuroria do të hetojë dhe verifikojë faktet e zbuluara të cilat bëjnë fjalë për një dëm afro 22 milionë euro shkaktuar Arkës së Shtetit nga evazioni fiskal i disa firmave të klasifikuara si biznes i madh. Jo në pak raste në Durrës, organi akuzës ka nisur ndjekje penale për firma dhe subjekte private (duke mos përmendu institucionet e shtetit) nën akuzën e abuzimeve me fondet e investimeve, si  në rrugë, Ujësjellës, ndërtim shkollash, apo edhe aferat korruptive me  doganierë  dhe tatimorë. Rasti më i fundit ka qenë vitin e kaluar me fondet e ndërtimit të një shkolle, ku firma që kishte fituar tenderin me vlerë prej 74 milionë lekësh të rinj, kishte ndarë paratë me zyrtarët e komunës dhe supervizorin. Shkolla  (në periferi të Durrësit) edhe sot e kësaj dite është ndërtuar gjysmake dhe pa kushte normale mësimdhënie dhe higjieno-sanitare. Mbetet detyra e organit të akuzës, të ngulmojë në hetimin dhe kopsitjen e dosjeve të këtyre rasteve flagrante që lidhen me abuzimet financiare për të ndëshkuar  sipas ligjit çdo fajtor, qoftë ky edhe njeri me imunitet politik.