Grabiten 10 miliardë lekë në Energjitikë

673
Sigal

OSHEE akuzohet nga tregtari i energjisë se manipuloi tenderët e energjisë

BIRN zbuloi se Autoriteti i Konkurrencës po heton pretendimet se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bashkëpunoi me dy tregtarë të energjisë, EFT A.G dhe GSA – për të manipuluar rezultatin e tenderëve për importimin e energjisë elektrike.

Autoriteti i Konkurrencës së Shqipërisë ka filluar hetimin kundër Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike dhe kompanive EFT dhe GSA, pas ankesave të dorëzuara nga një tregtar tjetër i energjisë. GEN-I Tirana pretendon se praktikat jokonkurruese dhe ilegale të OSHEE-së i kanë kushtuar konsumatorëve dhe taksapaguesve shqiptarë miliona euro. Ankesat janë bërë për nëntë tenderë mujorë për importet e energjisë të zhvilluara nga OSHEE nga janari deri në shtator 2014. Sipas dy ankesave të dorëzuara te Autoriteti i Konkurrencës më 30 korrik dhe 18 shtator, të cilat BIRN i disponon, GEN-I pretendon se praktikat jokonkurruese të OSHEE-së i kushtuan taksapaguesve 6.87 milionë euro nga janari deri në korrik dhe 457 mijë euro të tjera në muajt gusht dhe shtator. Në ankesën e 18 shtatorit, GEN-I thotë se “OSHEE i ka siguruar përfitime të jashtëligjshme operatorëve të tregut – EFT dhe GSA – duke kryer të njëjtat shkelje ligjore siç janë përmendur në ankimin e mëparshëm, duke bërë të mundur që EFT dhe GSA të harmonizonin ofertat e tyre (në lidhje me çmimin/sasinë), mbi bazën e shkëmbimit në mënyrë të paligjshme me këta operatorë të të dhënave konfidenciale mbi ofertat e fundit dhe më të mira, të paraqitura nga operatorët e tjerë, ndër to dhe ofertat e GEN-I Tirana Sh.p.k.”. Ankesa thotë se tenderët e OSHEE-së u manipuluan përmes dy metodave kryesore, të cilat u alternuan në muaj të ndryshëm.

-Metoda e parë përfshinte vendosjen e ofertave nga EFT dhe GSA, të cilat qenë vetëm pak cent të euros më të ulëta si çmime për MWh se sa ofertat e GEN-I Tirana, duke bërë të mundur eliminimin e konkurrencës.

-Metoda e dytë e GSA dhe EFT përfshinte hedhjen e ofertave që qenë shumë më të larta se sa çmimet e tregut në raste, ku kishte konkurrentë të tjerë, të tillë si GEN-I Tirana, që po konkurronin për të furnizuar sasi të vogla energjie në krahasim me kërkesat e OSHEE.

Ankesa e 18 shtatorit 2014

 Pyetur nga BIRN për këto akuza, OSHEE dhe EFT nuk dhanë komente.

GSA lëshoi një deklaratë duke mohuar akuzat. “Ne jemi informuar mbi ankesën e GEN-I Tirana, por nuk kemi asnjë informacion të detajuar mbi përmbajtjen e saj”, tha për BIRN drejtori ekzekutiv i GSA,  Serafin Orgocka. Orgocka tha gjithashtu se GSA nuk kishte partneritet apo marrëdhënie me asnjë kompani tjetër që vepron në këtë sektor, “përfshirë EFT-në”.

Shqipëria importon dhjetëra milionë euro energji elektrike çdo vit për të plotësuar kërkesën e brendshme dhe për të mbuluar humbjet e shkaktuara nga rrjeti i vjetruar dhe vjedhjet e gjithëpërhapura. Energjia elektrike importohet përmes prodhuesit shtetëror të energjisë, KESH dhe shpërndarësit të energjisë, OSHEE.

Nga viti 2009 deri më 2013, OSHEE qe nën pronësinë e gjigantit çek të energjisë CEZ dhe kishte emrin CEZ Shpërndarje. Në janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri i hoqi CEZ-it licencën dhe mori kontrollin e kompanisë pas mosmarrëveshjeve mbi faturat e papaguara nga institucionet publike të Shqipërisë ndaj CEZ dhe faturat e papaguara nga CEZ ndaj prodhuesit publik të energjisë KESH.

Një auditim i kryer më 2013, në kulm të mosmarrëveshjes mes Shqipërisë dhe CEZ Group, zbuloi se CEZ Shpërndarje për shkak të borxheve të mëdha nuk kishte më vlerë tregu. E përballur me kërcënimin e një procesi të gjatë arbitrazhi si dhe me presion politik nga Republika e Çekisë, Shqipëria ra dakord t’i paguajë CEZ Group 95 milionë euro për të zgjidhur mosmarrëveshjen dhe për të rifituar aksionet që i qenë shitur CEZ në vitin 2009. Pas marrëveshjes, në korrik 2014 shpërndarës i energjisë u riemërua OSHEE.

EFT AG, ose Electricity Financing Team, është një tregtar energjie i regjistruar në Zvicër dhe e kontrolluar nga oligarku serb Vuk Hamovic.

GSA është një kompani shqiptare e tregtimit të energjisë e kontrolluar nga dy biznesmenë shqiptarë, Agron Shpallo dhe Serafin Orgocka. Orgocka tha se GSA është themeluar në vitin 1990 dhe është angazhuar në tregtinë dhe furnizimin me energji që nga viti 2005.

Ai vlerëson se GSA ka rreth 15 për qind të tregut në tenderët e kompanive publike të energjisë. Gjashtëdhjetë për qind e klientëve të kompanisë janë kompani private në sektorin e industrisë, tha ai. “Ne furnizojmë industritë e ferrokromit, çimentos, naftës dhe çelikut dhe kemi kontrata afatgjata me disa prej tyre”, shtoi Orgocka.

Ankesa e 25 korrikut 2014

 Sipas ankesës së GEN-I Tirana të 30 korrikut, OSHEE, EFT dhe GSA kanë përqasur sjelljen e tyre në mënyrë të paligjshme lidhur me tenderët e zhvilluar nga janari deri në korrik 2014 për furnizimin me energji elektrike. OSHEE akuzohet se ka kaluar informacion konfidencial mbi ofertat te EFT dhe GSA, duke i lejuar dy kompanive konkurruese të harmonizonin ofertat e tyre finale për tenderët në mënyrë që të manipulonin rezultatet. Duke folur në veçanti për tenderin e muajit mars 2014, ankuesi thotë: “Gjykojmë se nëpërmjet rolit të OSHEE në këtë tender, EFT dhe GSA (si shoqëri të shpallura fituese) kanë përqasur sjelljen e tyre lidhur me sasinë e energjisë dhe në veçanti të çmimeve të ofruara, ku siç mund të konstatohet lehtësisht çmimet fituese për njësi janë 55.85 Euro/MWh (çmimi i ofruar nga EFT) dhe 55.80 EUR/MWh (çmimi i ofruar nga GSA) pra me një diferencë çmimi nga njëra-tjetra prej vetëm 5 cent”. Ankesa shton se në kushte normale konkurrimi të tregut “është e pamundur që ofertuesit të paraqesin oferta kaq të ngjashme me njëra-tjetrën, me një diferencë të pakonsiderueshme/inekzistente të çmimit për njësi, përveçse kur konkurrentët, të koordinuar dhe të informuar paraprakisht nga subjekti prokurues [OSHEE] fiksojnë çmimet dhe ndajnë tregjet përkatëse, në dëm të interesave jo vetëm të konkurrentëve të tjerë por edhe të vetë subjektit prokurues dhe në rastin konkret, edhe në dëm të konsumatorëve fundorë”. Në këtë ankesë GEN-I vëren se EFT A.G dhe GSA kanë ofruar fillimisht çmime të larta, shumë më të larta se sa tregu, por pastaj dorëzuan oferta finale me çmime pothuajse identike. Sipas ankesës, në disa tenderë mujorë për blerje elektriciteti të zhvilluara nga OSHEE nga janari deri në korrik, diferenca për MWh në tender mes EFT AG dhe GSA qe vetëm 4 deri në 10 cent të euros për njësi. Në ankesën e 18 shtatorit, GEN-I pretendoi se OSHEE ka vijuar manipulimin e procedurave të tenderëve duke detyruar tregtarët e tjerë në treg të japin oferta për sasi më të vogla ose të mos marrin pjesë fare në garë. GEN-I thotë se ofertat e bëra nga EFT A.G dhe GSA qenë strukturuar në mënyrë të tillë që të siguronin ose kontrata fitimprurëse me çmime të larta ose të siguronin pjesën më të madhe të tregut të importit të elektricitetit. Sipas GEN-I, OSHEE është fajtore për praktika të paligjshme të cilat qëllimisht “eliminuan konkurrencën nga tregu”. Orgocka i GSA hodhi poshtë akuzat, duke i thënë BIRN se diferencat e vogla në çmim mes GSA dhe EFT qenë thjesht rastësore. “Procedura e tenderit zhvillohet në çdo muaj dhe kështu mund të ndodhë që diferenca një herë të jetë e vogël ndërsa në raste të tjera nuk janë kaq të vogla”, tha ai. Orgocka i përshkroi akuzat se çmimet e tenderëve të energjisë elektrike që i kanë kushtuar miliona euro konsumatorëve shqiptarë si “të pakuptimta”.

Gjergj Erebara & Besar Likmeta