Goditi me grusht Sali Berishën, sot pritet të dalë para gjykatës Gerti Shehu!

234
Sigal

I riu që sulmoi dhe plagosi shefin e opozitës, Sali Berishën, teksa ky i fundit po i drejtohej bulevardit për të nisur një protestë, pritet të dalë sot para Gjykatës.

Sipas të dhënave, Prokuroria ka kërkuar të lihet në masën e sigurisë arrest me burg për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ka personi, por ky vendim do të jetë në duart e Gjykatës së Tiranës.

Gerti Shehu do të vlerësohet në këtë masë sigurimi për dy akuza, ndërkohë që priten edhe konkluzionet e një ekspertimi mental për të verifikuar gjendjen e shëndetit mendor të autorit të sulmit të paprecedentë.

Por, teksa tek autoritetet hetimore vijon të thuhet se personi ka një kartelë mjekësore në të cilën vërtetohet se ai vuan nga probleme të këtij shëndeti, në fakt ekziston vetëm një vërtetim mjekësor i lëshuar nga ana e një mjeku të një klinike private, vërtetim i cili është dhënë për përdorim të përgjithshëm kudo që do t’i nevojitet personit.

Nëna e të prangosurit dhunues ka dalë publikisht me një deklaratë, duke bërë me dije se djali i saj ka vërtet probleme, por sipas të dhënave, ky person në muajin shkurt të këtij viti është ndaluar në afërsi të Kodrave të Liqenit, duke shpërndarë kanabis bashkë me dy persona të tjerë.

Po në këtë muaj, sipas të gjitha verifikimeve, Gerti Shehu, që sulmoi liderin e Partisë Demokratike, ka rinovuar patentën e tij, me të cilën bëhet me dije se ishte edhe shpërndarës picash me një motor.

Por edhe më herët, Shehu kishte kryer atë punë, ndërkohë që vërtetimi mjekësor i lëshuar nga ana e mjekut psikiatër bëhet me dije se ka ndodhur shumë kohë më vonë, pasi ai është jo vetëm diagnostikuar, sipas vërtetimit, por edhe që është ndaluar për shpërndarje droge në zonën e Liqenit.