Gledis Nano: Gjermania, partner strategjik në luftën ndaj krimit

133
Sigal

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano ndodhet për një vizitë pune, në Berlin, Gjermani, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të rëndësishme me zyrtarët më të lartë të Policisë gjermane dhe të agjencive ligjzbatuese. Drejtor Nano është pritur në takim nga Presidenti i Zyrës Federale të Krimeve të Gjermanisë (BKA) z.Holger Münch dhe nga Zëvëndëspresidentja e Zyrës Federale të Krimeve (BKA) të Gjermanisë, zj. Martina Link. Në fokus të takimit midis kreut të Policisë shqiptare dhe drejtuesve të BKA-së në Gjermani, ishte forcimi i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe BKA-së për ta ngritur në një nivel tjetër ndërveprimin midis dy policive. Nano dhe Münch diskutuan për rritjen e hetimeve të përbashkëta kundër grupeve kriminale në fushën e krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe terrorizmit si dhe për shtimin e operacioneve të përbashkëta për këtë qëllim. Z. Münch, gjatë fjalës së tij u shpreh: “Besueshmëria dhe profesionalizmi i Policisë shqiptare është garanci për ta forcuar këtë bashkëpunim në interesin tonë të përbashkët, atë të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Ju përgëzoj për punën dhe sfidat që keni marrë përsipër dhe ju garantoj se do të keni përherë mbështetjen e BKA-së.” Ndërkaq Nano, gjatë fjalës së tij theksoi: “Ju falënderoj për besimin, vlerësimin dhe mbështetjen dhe dua t’ju siguroj se unë jam shumë i vendosur dhe i qartë në prioritetet dhe sfidat që kemi si Polici e Shtetit dhe këto nuk mund t’i realizojmë dot pa bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, siç është dhe BKA-ja.” Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, në këtë vizitë shumë të rëndësishme në Gjermani, shoqërohet nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Policisë Kufitare Eduart Merkaj dhe Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit Alban Dautaj.