Gjykata liron protestuesit e arrestuar në Bulqizë

130
Sigal

Gjykata e Dibrës liroi 5 persona të arrestuar të premten pas protestave për çmimet e larta. Avokati tha se asnjë nga të akuzuarit nuk i ka pranuar akuzat.

Gjykata e Dibrës liroi 5 persona që u arrestuan ndërsa po protestonin në Bulqizë, kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve. Ajo caktoi masë sigurimi, detyrim paraqitje për akuzën e “Pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Të arrestuar nga policia ishin Shkëlzen Gjura, Lavdim Përkoxha, Naim Alliu, Bujar Alla dhe Kinkel Tançi. Masa e sigurisë detyrim paraqitje u kërkua prej Prokurorisë së Dibrës, e cila kishte hequr dorë nga akuza e “tubimit të paligjshëm” një prej veprave penale me të cilën të arrestuarit u referuan nga policia.

Gjyqtari Ardit Kuka, urdhëroi lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi të personave nën hetim, ndërsa tha se ata duhet të paraqiten në policinë gjyqësore dy herë në muaj.

“Ne kërkuam mos pranimin e kërkesës së prokurorit pasi nuk ka konsumim të elemetëve të veprës penale të bllokimit të rrugëve dhe kundërshtim të urdhërit të punonjësit të Policisë. Asnjë nga të arrestuarit nuk e ka pranuar akuzën”, tha avokati i 5 të arrestuarve, Dylber Murra.

Në total në 4 ditë protesta në mbarë vendin, policia ka shoqëruar në komisariate mbi 200 protestues, nga të cilët 50 janë arrestuar dhe ndaj rreth 150 të tjerëve janë hapur procedime penale. Mbi 15 persona janë shpallur në kërkim nga policia. Ndalimet u denoncuan nga aktivistët si përpjekje për të dekurajuar protestën.