Gjykata e Beratit dënon për të tretën herë me “burgim të përjetshëm” Luan Marrën

1239
Ka zgjatur vetëm pak minuta seanca gjyqësore ndaj Luan Marrës, i cili u dënua sot me “burgim të përjetshëm” në Gjykatën e Shkallës së Parë në Berat, vendim i cili jepet për herë të tretë ndaj tij nga e njëjta gjykatë. Rudina Palloi, kryesuesja e trupit gjykues dha vendimin duke shpallur fajtor Marrën dhe dënuar atë me “burgim të përjetshëm” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuara” dhe “armëmbajtje pa leje”. Pas pretencës së dhënë nga prokurori i çështjes, Ermir Beta disa ditë më parë, gjykata e Rrethit Gjyqësor në Berat, tha sot fjalën e fundit në një seancë, e cila ka zgjatur vetëm Es minuta. Vetë i akuzuari Luan Marra, në këtë proces të tretë ndaj tij në këtë gjykatë nuk ka qenë i pranishëm, duke preferuar të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës, Alban Bengasi. Vetëm një prej familjarëve të Luan Marrës, vëllai i tij, Iliri ka qenë prezent në seancë gjatë marrjes së vendimit dhe menjëherë pas shpalljes është larguar duke u shprehur se në këtë vend nuk ka drejtësi. Çështja Marra, është një nga më të njohurat e sistemit gjyqësor shqiptar, me vendimin me numër 14, të datës 03.05.2011 Gjykata Kushtetuese është shprehur për herë të parë për këtë çështje. Në këtë vendim që ka pasur si objekt shfuqizimin si të papajtueshëm të tre vendimeve të dhëna nga: Gjykata e shkallës së parë Berat që me vendim me numër 107, të datës 23.05.2008 e ka shpallur fajtor dhe dënuar me “burgim të përjetshëm”, Gjykata e Apelit Vlorë, me vendim me numër 117, të datës 03.03.2009, ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Beratit dhe atë të Gjykatës së Lartë, me vendim 760 të datës 24.06., për mos pranim rekursit. Marra iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për shfuqizim vendimi, pasi pretendon që i është shkelur e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, pasi ndaj tij është ushtruar dhunë gjatë marrjes në pyetje, dhe nuk ka pasur avokat gjatë marrjes në pyetje dhe vendimet mbi të cilat është dënuar kanë qenë të pambështetura në prova. Çështja gjykohet sërish në të tria shkallët e gjyqësorit shqiptar, ku gjykata e Beratit e dënon me 02.03.2012 me “burgim të përjetshëm”, gjykata e Apelit më 27.06.2012, lë në fuqi gjykatën e Beratit dhe gjykata e Lartë nuk pranon rekursin. Marra i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese sepse pretendon se ndaj tij është zhvilluar sërish një proces i parregullt ligjor gjatë gjykimit. Kjo gjykatë me një vendim tjetër me numër 20 që mban datën 04.04.2016 vendos: Shfuqizim të vendimeve si të papajtueshëm me kushtetutën, gjë e cila e rikthen sërish në gjykatën e Beratit çështjen. Pas gjykimit në këtë gjykatë në Berat, me të njëjtat prova Marra është dënuar sot sërish me ‘burgim të përjetshëm”, për ngjarjen që ka ndodhur më 10 shkurt 2006, në fshatin Kozare të Kuçovës, ku viktima mbetën në banesën e tyre dy bashkëshortët Shpëtim e Florie Marra shtatzënë dhe biri i tyre Artio Marra, dy vjeç. Pas ngjarjes Luani u arrestua si autor dhe pranoi krimin. Sipas policisë së Kuçovës e Beratit dhe asaj të krimeve të rënda ngjarja ndodhi e dyshuar për të fshehur një marrëdhënie mes viktimës dhe autorit, madje sipas prokurorisë Luani e kreu krimin se dyshonte që fëmija që priste viktima ishte e tij. Nën këtë dyshim u krye dhe një analizë AND-je, por rezultoi se fetusi i përkiste të atit Shpëtimit dhe jo autorit të dyshuar. Provat mbi të cilat gjykohet Marra janë: Pranimi i akuzës prej tij dhe riskenimi i aktit të krimit prej tij, pas arrestimit. Por, më pas Marra u shpreh gjatë gjykimit se ishte dhunuar gjatë marrjes në pyetje, dhe se nuk ka pasur avokat mbrojtës dhe se ndaj tij është zhvilluar proces gjyqësor i parregullt.
Sokol Gorica
Sigal