Gjuetarët jo profesionist po zhdukin speciet jo shtegtare

577
Sigal

ELBASAN/ Flet Demir Leka Kryetar i Shoqatës dhe biologu Leonard Lushi: Gjuetia e paligjshme është pa kriter

Pakësimi i faunës së egër në Shqipëri është një fenomen që është bërë shumë shqetësues këto tre apo katër dekadat e fundit dhe sidomos dhjetëvjeçarin e fundit. Tregues ky që nxjerr ende në dukje ndikimin tonë negativ mbi këtë fenomen. Rrezikimi dhe pakësimi i faunës ka nisur që në vitet ‘50-‘60, periudhë kjo në të cilën u prishën shumë habitate natyrore me qëllimin e hapjes së tokave të reja bujqësore. Shumë kodra u shpyllëzuan, shumë zona moçalore u bonifikuan, dhe e gjithë kjo për tu përdorur nga bujqësia me qëllimin e shtimit të tokave të bukës. Por, ajo çka është edhe më paradoksalja është se shumica e këtyre territoreve që u hapën me aq ngulm dhe përpjekje sot rezultojnë të lëna djerrë.

Shkaqet

Pas viteve ‘90,  si pasojë ndoshta edhe e mungesës së kontrollit apo vetëdijes, filloi ndërhyrja barbare e njeriut mbi ekonomitë pyjore dhe rezultati deri në ditët e sotme është i dukshëm: Shumica e pyjeve në vendin tonë janë shumë të degraduar. Këta janë fakte më se të rëndësishme që kanë çuar në pakësimin e habitateve të përshtatshme për rritjen dhe folezimin e shumë specieve që më parë kanë qenë shumë të populluara në Shqipëri, thotë për “Telegraf”, Demir Leka, kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve. “Dhe sikur të mos mjaftonin këto, vitet e fundit është shtuar edhe një fenomen tjetër po kaq i rrezikshëm, gjuetia e paligjshme. Ndoshta edhe si pasojë e rritjes së mundësisë për zotërimin e një arme gjahu, numri i atyre që ushtrojnë sportin e gjuetisë është rritur shumë. Por, ndërsa deri para 10-15 vjetësh ata që e ushtronin këtë sport ishin të një kategorie disi më të përgjegjshme dhe “profesioniste” që njihte speciet dhe sezonet e gjuetisë për secilën, sot mund të gjuajë kush të mundet, ku dhe kur të mundë. Edhe në parqe dhe zona të mbrojtura nuk mungojnë raste ekstreme, si në Zonën e Mbrojtur “Rrajcë”, e cila është e kategorisë së I-rë, Nënëz, Sopot, Polis, Stravaj, Gjinar, Rezervatin Kuturman, Shëbënik etj.. “, tha Leka. Në Qarkun e Elbasanit janë rreth 5 000 mijë armë gjuetie, ku numrin më të madh e zë Elbasani me rreth 2 500 armë e me radhë Librazhdi, Gramshi etj.. Gjithashtu ka edhe shumë gjuetarë të huaj që vijnë nga jashtë, të cilët gjuajnë në mënyrë kolektive dhe mjaft barbare.

Mosrespektimi i afateve

Shqetësues është mosrespektimi i afateve të sezonit të gjuetisë dhe përdorimi i aparateve imitues. Shumë shpendë gjuhen, e madje mund të shfarosen nga përdorimi i këtyre aparateve. Një problem më vete janë zjarret e shpeshta, të vëna me qëllim apo jo, që ndeshen sidomos në periudhën e pranverës dhe verës. Problematike ka qenë situata në  ditët e Vitit të Ri, ku shumë gjuetarë të ndryshëm më leje dhe pa leje filluan dhunshëm gjuetinë në disa prej zonave, por më i prekshmi ka qenë Librazhdi, vetëm Shebeniku, Stëbleva, Polisi, Gjinari që ka patur vrasje të kafshëve të egra për lokalet që bënin porosi. Sipas Hekuran Rezhdes, një nga gjuetaret e vjetër  thotë se duhet të kontrollohet gjuetia.

Specialistët e pyjeve rendisin pasojat

Të gjitha këto çojnë në faktin e pashmangshëm që fauna autoktone po pakësohet dhe rrezikon të zhduket, ndërsa speciet shtegtare më kalimin e kohës po e braktisin vendin tonë. Sipas biologut Leonard Lushi për “Telegraf” bëhet e ditur se: “Më të ndikuara nga të gjitha këto fenomene janë speciet autoktone (jo shtegtare). Shumë shqetësuese është zhdukja e fazanit, pakësimi i deri në rrezik zhdukjeje i thëllëzës së fushës, thëllëzës së malit si edhe e lepurit të egër. Një pjesë e konsiderueshme e specieve autoktone janë të regjistruara në “Librin e kuq të faunës” së Shqipërisë. Kështu rrëqebulli, macja e egër, gjeli i egër dhe pelikani kaçurrel konsiderohen si specie në rrezik zhdukjeje. Ndërkohë shumë shpendë kalimtarë ose dimërues në vendin tonë prej disa vitesh nuk janë konstatuar më, siç janë: pula me mjekër, pula e livadheve, disa lloje rosash dhe patash, mjellma e shumë të tjera.