Gjobë me 100% të tatimit të padeklaruar, Tatimet: Bizneset e vogla operojnë pa asnjë dokument!

665
Pas kontrolleve të ushtruara, Tatimet konstatojnë problematikën e mosmbajtjes së dokumentacionit për mallrat nga ana e bizneseve të vogla. Në një njoftim për mediat, Tatimet evidentojne se “nga kontrollet e ushtruara në vendndodhjen e biznesit, administrata tatimore konstaton me shqetësim se një pjesë e tatimpaguesve, sidomos ata të regjistruar në Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin (biznesi i vogël), mbajnë pjesërisht ose nuk mbajnë fare dokumentat tatimore të blerjes (faturën tatimore) për mallrat që kanë në inventor”. Në këtë kuadër, administrata tatimore sjell në vëmendje detyrimin ligjiore që çdo tatimpaguesi duhet të mbajë dokumentacionin tatimor. Po ashtu, ligji përcakton edhe sanksione për kundravajtësit.
-Mbështetur në nenin 58 të ligjit, tatimpaguesit që mbajnë, tregtojnë, përdorin ose transportojnë mallra, duhet të kenë dokumentet e nevojshme tatimore, që provojnë pronësinë ose kontrollin mbi këto mallra dhe me kërkesën e zyrtarëve të administratës tatimore, i vënë këto dokumente në dispozicion të tyre.
-Mbështetur në nenin 51 të ligjit, është detyrim i blerësit të kërkojë faturën tatimore, në kohën e realizimit të shitjes.
Për rastet kur tatimpaguesi mban mallra të pashoqëruara me faturë tatimore, zbatohet procedura e mëposhtëme
a) Tatimpaguesit të tatimit të thjeshtuar të fitimit që nuk është i regjistruar për TVSH-në, menjëherë në momentin e konstatimit i ndryshohet përgjegjësia tatimore duke kaluar si tatimpagues i TVSH-së. Nëse tatimpaguesi ka në përdorim fatura të thjeshta tatimore, ai lëshon një faturë të thjeshtë tatimore, sipas nenit 53 të ligjit për të dokumentuar mallin.
Kjo faturë i bashkëngjitet akt konstatimit dhe procesverbalit përkatës dhe në të shënohet numri dhe data e akt konstatimit dhe procesverbalit përkatës.
Ky tatimpagues detyrohet të pajiset me fatura tatimore me TVSH, sapo i aktivizohet përgjegjësia për TVSH-në.
b) Tatimpaguesi i regjistruar për TVSH-në detyrohet të dokumentojë mallin duke lëshuar faturë tatimore me TVSH, sipas nenit 53 të këtij ligji, por pa llogaritur TVSH-në. Kjo faturë nuk është dokument për njohjen si shpenzim i zbritshëm për sa është një dokument i lëshuar në kushtet e shkeljes së konstatuar. Në faturë përveç të dhënave identifikuese, datës, numrit të akt konstatimit dhe procesverbalit përkatës duhet të evidentohet qartë përshkrimi i mallit dhe sasia e tij
c) Bazuar në nenin 124, pika 1 të ligjit, ndaj tatimpaguesit vendoset një dënim me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, llogaritur nga administrata tatimore.
Sigal