Gjobë 50 mijë euro biznesmenit, arrestohen tre persona

584
Sigal

Tre persona janë vënë në pranga si të akuzuar për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në Durrës.

Policia njofton se arrestimi i tyre është bërë në finalizim të operacionit policor i koduar “Gjobëvënësit”.

Njoftimi i policisë:

Operacioni nga Seksioni për Hetimin ndaj Personit e Pasurisë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Në pranga 3 shtetas për gjobëvënie ndaj një biznesmeni, njëri prej tyre me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.

Sekuestrohet një sasi eurosh, e paguar si kësti i radhës nga biznesmeni.

Pas një hetimi me metoda speciale, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Gjobëvënësit”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-L. Z., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, me rrezikshmëri të lartë në fushën e krimeve ndaj personit.

-E. Sh., 26 vjeç, banues në Krujë.

-K. E., 40 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës.

Arrestimi i tyre u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin me anë të kanosjes dhe dhunës, kanë shtrënguar për dhënien e një pasurie prej 50 000 eurosh, shtetasin N. L., banues në Durrës.

Gjatë operacionit, në momentin e ndërhyrjes, Policia u sekuestroi dy shtetasve të lartpërmendur shumën 5000 euro, të cilën e kishin vënë si këst të radhës për t’u paguar nga shtetasi N. L.

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 3 aparate celulare dhe 1 automjet.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë “, në bashkëpunim.