Gjirokastra nuk ka asnjë të infektuar me koronavirus, Pipero: Kjo është arsyeja

346
Sigal

Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero ka deklaruar së fundmi se trendi i kurbës është i qëndrueshëm dhe se periudha më e vështirë ka kaluar.

“Besoj fortë se edhe pse ka disa masa lehtësuese nga qeveria, që besoj se do lehtësohen më shumë, kemi nxjerrë disa mësime të rëndësishme.

T’i zbatojmë këto masa që ta kalojmë sa më shumë këtë epidemi. Trendi i kurbës është i qëndrueshëm, në rënie, ndonëse ka disa luhatje”, ka thënë Pipero në “Zonë e Lirë”.

Sa i përket, qarkut të Gjirokastrës, ku nuk ka asnjë të infektuar, Pipero është shprehur se në këtë zonë janë respektuar masat.

“Kjo është një sëmundje kryesisht urbane, jo se Gjirokastra nuk është urbane, por ku ka më shumë grumbullime njerëzish, më shumë lëvizje. Atje ku ka më shumë respektim të masave të marra nga qeveria ka më pak raste”, u shpreh ai.

Gjirokastra është i vetmi qark, ku nuk ka asnjë të infektuar.

Ndërkohë në vendin tonë janë prekur nga COVID-19 539 persona, janë shënuar 26 viktima dhe 283 qytetarë janë shëruar. Aktualisht në spitale ndodhen 43 pacientë të shtruar, mes tyre 4 janë të intubuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Shkodra vijon të mbetet një ‘minë me sahat’, me 94 raste, qyteti i dytë më i prekur në Shqipëri, pas Tiranës me 245 raste.