Gjiknuri me Paganon: Masat në energji, rritën interesin për investime

508
TIRANE – Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri priti në një takim Patrizio Paganon Drejtor Ekzekutiv pranë Bankës Botërore në Ëashington, i shoqëruar edhe nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë zonja Tahseen Sayed.
Gjatë takimit, Ministri Gjiknuri njohu drejtuesit e Bankës Botërore me hapat dhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të reformës në sektorin e energjisë elektrike. Gjiknuri theksoi se se janë kryer një sërë veprimesh që çojnë në rritjen e likuiditetit në sektor, përmirësimin e aspektit financiar dhe nxjerrjen e tij sa më shpejt nga kriza.
Gjiknuri nënvizoi se reformat në energji kërkojnë kohën e tyre për tu ndërmarrë dhe për të patur rezultate të konsoliduara ndërsa qeveria shqiptare është e angazhuar seriozisht në këtë drejtim.
Ministri u shpreh se qeveria e ka një plan të gjerë tanimë për të adresuar të gjitha sfidat e sektorit me seriozitetin maksimal, ndërsa falenderoi Bankën Botërore për mbështetjen që po i jep qeverisë në drejtim të kryerjes së këtyre reformave.
“Shoh se ka një interes në rritje për investime në të gjithë portofolin e energjisë në Shqipëri por është me shumë rëndësi që sektorit së pari ti konsolidohet disiplina financiare”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Ai nënvizoi se përmes projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjitike por edhe me fondet e vet kompanive KESH, OST dhe OSHEE do të mund të kryhen investime konkrete në terren të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.
Nga ana e tij Pagano vlerësoi reformat e ndërmarra duke i cilësuar si mjaft të rëndësishme në drejtim të stabilitetit financiar të sektorit, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.
Drejtuesit e Bankës Botërore deklaruan se sfida e qeverisë shqiptare në sektorin energjitik është e rëndësishme dhe deri më tani po ecet në rrugën e duhur.
Sigal