Gjiknuri e Llatja takim me mjekët dhe infermierët në Elbasan: Vota për PS garanton rritjen e pagave

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri zhvilloi një bashkëbisedim me mjekët dhe infermierët e Elbasanit për t’i përgëzuar për punën e palodhur në shërbim të qytetarëve dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri.

Në fjalën e tij, numri dy i socialistëve u shpreh se kjo mazhorancë ka treguar një vëmendje të veçantë për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor me investimet në spitale, qendra shëndetësore dhe rritje të konsiderueshme pagash për mjekët dhe infermierët.

Sigal

“Qeveria shqiptare reagoi në momentin dhe kohën e duhur. Të gjitha këto politika pagash që kanë filluar të japin rezultat. Unë kam pasur kontakte me mjekë, në rrethana krejt shoqërore dhe ma kanë thënë këtë gjë. Është tjetër gjë të investosh në infrastrukturë, është shumë mirë të investosh në infrastrukturë sepse infrastruktura është baza, po nga ana tjetër, po nuk trajtove dhe mjekët, personelin shëndetësor, çfarë vlere ka gjithë ajo para e investuar në qoftë se nuk do të kesh personel shëndetësor? Kjo që ka filluar tashmë është një diçka shumë e prekshme, shumë e mirë dhe jam i bindur që të gjithë ju e vlerësoni”,- tha ai.

“Mjekët dhe mësuesit gjithmonë të imponojnë respekt. Pikërisht ky lloj trajtimi, kjo mbështetje financiare, u krijon mundësi për karrierë, por të jenë dhe të mirëpaguar. Ndonjëherë njerëzit i krahasojnë dhe me vendet e tjera. Po duhet të shikosh për kushtet e vendit tënd, për të ardhurat që ke dhe sesi e ndërton veten tënde. Është një gjë e thjeshtë të thuash të shkosh jashtë. Po të shkosh jashtë ka një kalvar goxha të madh mundimesh. Ka dhe njerëz që duan të bëjnë karrierën bazë dhe ta ndërtojnë në vendin e tyre. Jam i bindur që me këtë politikë që ka nisur do të vazhdojë mbështetja për mjekët dhe për të gjithë personelin shëndetësor”, siguroi numri dy i socialistëve.

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se konsolidimi i bashkëpunimit qeveri-bashki edhe përtej 14 Majit, është vazhdimi i politikës së nisur për rritjen e pagave dhe trajtimin e duhur të të gjithë personelit mjekësor. “Ne jemi një ekip. Edhe Gledi, kur themi Gledi nuk është vetëm, ne jemi një ekip politik. Vota për 14 Majin është dhe një garanci për politikat që ka nisur qeveria, rritjen e pagave, qëndrueshmërinë e kësaj qeverisje dhe për vazhdimësinë e të gjithë politikave të mira për shëndetësinë. Jo se çdo gjë shkon mirë dhe në shëndetësi, patjetër ka nevojë për më shumë, por është futur në një rrugë të mbarë.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe alternativën përballë, duke theksuar se kur ata e kishin në dorë pushtetin, nuk bënë asgjë. Gjiknuri tha se opozita kërkon që ta kthejë Elbasanin në një bunker politik, duke bllokuar projektet e nisura.