Gjenocidi grek, mbi një shekull, halë ne fyt të shtetit dhe qeverive shqiptare

1061
Sigal

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë,

Shkëlqesia Juaj z. Ilir Meta

Rrethanat politiko-ekonomike e strategjike ballkanike dhe më gjerë si dhe zhvillimi i rrjedhave të tyre në përgjithësi mbas viteve 1990, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike me shtetet perëndimore dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u kanë sjellë progres të madh shqiptarëve në planin kombëtar me një Kosovë shtet të pavarur e me më shumë të drejta për shqiptarët e tjerë që jetojnë në trevat etnike. Duket qartë se ky do të jetë edhe shekulli i sukseseve për fitimin e të drejtave në planin kombëtar të shqiptarëve. Duke ndjekur me vëmendje dinamikën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shtetit fqinj,Greqisë sidomos mbas viteve 1990-të, të bën përshtypje heshtja e shtetit dhe e qeverive shqiptare ndaj gjenocidit më të tmerrshëm të viteve 1913-1914 që ushtria greke e kryeministrit Eleftero Venizellosit vrau dhe masakroi barbarisht popullsinë civile në Shqipërinë Juglindore. Shteti grek duke filluar nga viti 1844 ,kur ishte kryeministër Ioannis Kolettis, shpalli “Megalo Idea “ për një Greqi të madhe me kufi deri në territoret e dikurshme të Perandorisë Bizantine,duke përfshirë edhe trojet shqiptare. Historikisht teoria e “Megalo Ides “është përkrahur vazhdimisht nga të gjithë presidentët dhe qeveritë e shtetit grek në të gjitha kohërat deri tek presidenti Prokopis Pavlopulos dhe kryeministri Aleksis Cipras që janë sot në pushtet. Ëndrra e Vorio Epirit, si pjesë e planit “Megalo idea” është objektiv strategjik më rëndësi të veçantë dhe perspektiv i përhershëm i shtetit grek. Për realizimin e kësaj ideje Institucionet e shtetit dhe të qeverive greke kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë hapur dhe fshehur. Me luftë ,në vitet 1913-1914 zhvilloi gjenocidin duke kryer krime të përmasave të mëdha njerëzore dhe materiale. Gjenocidin e vazhdoi edhe me popullsinë shqiptare që jetonte në zonën e Çamërisë. Vendosi Ligjin e luftës. Në gusht të vitit 1949 kërcënon përsëri me luftë me të ashtu quajturin “ provokacion “. Këto kanë qenë veprimtaritë antishqiptare më të dukshmet,por sa e sa plane,operacione e veprimtari të fshehta që grekët në bashkëpunim me aleatët e vet kanë bërë e investuar kundër vlerave shqiptare duke përvetësuar apo deformuar çdo realitet të vlerave të popullit shqiptar që nga historia jonë e lashtë ,me okupimin e tokave tona dhe vazhdon deri në pretendimet e sotme territoriale. Tentativat e qeverisë greke për marrjen e Vorio Epirit me forca ushtarake, duke aplikuar gjenocid të pastër për pastrim etnik ,u intensifikuan menjëherë mbas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Nëntor të vitit 1912. Aleatët; Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, në kuadër të Luftës së Parë Ballkanike ( 1912-1913 ) aplikuan planin sekret për pushtimin e trevave shqiptare. Në dhjetor të vitit 1913 qeveria greke e Venizellosit, e detyruar nga fuqitë e mëdha tërhoqi provizorisht ushtrinë e tij nga Shqipëria Juglindore dhe në fillim të janarit të vitit 1914 u rikthyen përsëri të njëjtat formacione të ushtrisë së rregullt greke që kishin pushtuar me 1913 Shqipërinë Juglindore ,duke shfarosur me metoda dhe mjete të dhunshme gjithë popullsinë civile në këto zona,por këtë herë ushtria greke u maskua me uniforma civile për të disinformuar dhe përhapur kudo, deri tek ndërkombëtarët ,alibinë se kjo luftë po bëhet mes popullsisë civile të krishtere dhe myslimanëve shqiptarë. Këtë e vërteton edhe deklarimi i kryeministrit grek, Elefteros Venizellos, në Konferencën e Paqes ku në seancën dëgjimore të datës 24 shkurt 1919 dok.# 5, kur flitet për krimet që ushtria e tij kreu në formën e gjenocidit më të turpshëm të viteve 1913-1914 në Shqipërinë Juglindore, ai ndër të tjera deklaron se sipas tij 15.000 shqiptarët toskë janë masakruar nga shqiptarët violentë të krishterë. Po ja se çfarë shkruan në ditarin ” Vorio Epiri ” edhe oficeri G. K. i ushtrisë greke, kur ishte në atë kohë vetë kryeministër Elefter Venizellos; “…kishim urdhër të prerë nga komanda qendrore e Athinës, që vrasjet e shqiptarëve duhet t’i bëjmë me mjete të ftohta [bajoneta,thika, sëpata hanxharë]…Ne përdorëm edhe mjetet që kishin shqiptarët në shtëpitë e tyre [sfurk, çengel, litar, zinxhirë]…. megjithëse ushtarët tanë ishin të përgatitur dhe të paguar mirë kur ju prisnim kokat njerëzve dhe grave shtatzëna ju çanim barkun e ua nxirrnim foshnjat… ulërinte dheu nga britmat…disa ushtarë villnin nga gjaku dhe dezertuan …shumica e popullsisë që ne vrisnim ishin gra, pleq e fëmijë…ishin të çuditshëm, edhe të shtrirë gati për vdekje si burrat dhe gratë, nuk dorëzoheshin…të gjallë e të vdekur i dogjëm që të mos linim shenjë për t’i kujtuar … hasëm vështirësi, pasi priftërinjtë dhe kryepleqtë e zonave nuk na ndihmonin me përjashtim të … një fshati …të Kolonjës. Ishim porositur që të linim ndonjë banor të ikte me vrap apo të fshiheshin e të shpëtonin gjoja nga pakujdesia jonë, pasi ne donim që këta t’ju tregonin të larguarve tmerrin që panë me sy, që të ikurit të mos ktheheshin më…” Në fund të ditarit oficeri grek G. K. shkruan. “…Ishte e vështirë të vrisje çdo ditë njerëz, bëmë detyrën ndaj shtetit tonë, por unë kurrë nuk do ta bëja më këtë shërbim, qoftë edhe për Krishtin…(siguroi nga arkiva dhe përktheu A K-Athinë)

Fatin e këtij tmerri në mase të madhe fillimisht e provuan zonat e Leskovikut, Kolonjës, Përmetit, Korçës, Tepelenës, Skraparit, Beratit, Gjirokastrës deri në Delvinë e Sarandë.

Nga dokumentacionet e deritanishme vërtetohet se shifra e njerëzve të masakruar dhe vrarë në këto zona nga ky gjenocid gjatë viteve 1913-1914 është mbi 50.000 shqiptarë. Kulmi i krimeve të gjenocidit grek u realizua, në korrik të vitit 1914, në fshatin Panarit të Korçës. Të gjitha shtëpitë e këtij fshati u kthyen në kasaphanë. Ushtria greke dogji të gjallë barbarisht, vrau, theri me sëpata, bajoneta, thika e mjete të tjera dhune popullsinë civile; pleq, plaka, gra, të rinj e të reja, fëmijë të lindur e të pa lindur në bark të nënave, kanë përdhunuar dhe kanë marrë peng 47 vajza, të cilat me përjashtim të një vajze që u kthye, nuk u gjendën më. Të vrarë, të masakruar e djegur të gjallë janë 375 persona. Mbi 167 të vdekur rrugëve për në ullishtat e Vlorës deri në bregdet. Me qindra familje të tmerruara u shpërngulën përgjithmonë nga fshati dhe u vendosën nëpër trojet më të largëta shqiptare edhe jashtë Shqipërisë si në; Maqedoni, Rumani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk u kthyen kurrë më në Panarit. Ushtria greke dogji 647 shtëpi që kishte fshati. Bilanci i këtij gjenocidi në Panarit ishte tragjik. Kurrë më në këtë fshat deri më sot nuk u rindërtuan më shumë se 200 shtëpi, pa llogaritur me mijëra bagëti dhe pasuri të tjera të grabitura. Në të gjitha këto zona që u përfshinë nga gjenocidi grek, nuk ka asnjë gjeneratë, familje, fis apo fshat që të mos jetë pjesë e dhimbjes së këtyre krimeve. Nga ky bilanc i dëmeve të mëdha njerëzore dhe materiale, rezulton se pasojat e tyre ndihen edhe sot.

I nderuar President i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta. Shqetësimi dhe indinjata e popullit të zonës sonë është, se të gjithë të vrarët e të djegurit nga ky gjenocid grek i viteve 1913-1914 në Shqipërinë Juglindore nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjëherë interesimin, vëmendjen, përkujdesjen, studimin apo evidentimin e shtetit shqiptar dhe të qeverive të tij, qoftë edhe vetëm për statistika apo studime historike.

Nuk është folur asnjëherë me grekët për këtë Gjenocid. Ndaj unë dhe shumë të tjerë, nëpërmjet emisioneve televizive dhe shkrimeve, po pasqyrojmë krimet e këtij gjenocidi që, së pari, ta njohë këtë gjenocid vetë shteti shqiptar dhe pastaj bota me gjerë.

Me qëndrimin e deritanishëm, heshtjen, harresën, indiferentizmin, frikën, paaftësinë e paditurinë ndaj gjenocidit grek,mos qoftë kjo tradhti, shteti shqiptar bie ndesh me detyrimet kushtetuese si dhe me moralin dhe traditat tona ndaj të vdekurve, pasi gjenocidi është vrasje masive e qëllimshme e civilëve në bazë etnike, nacionale, racore, religjioze apo politike që tentojnë eliminimin fizik të kësaj kategorie njerëzish. Këto krime kanë ndodhur ditën me diell në Shqipërinë Juglindore zoti President, ndaj shqiptarëve duhet t’u themi të vërtetën, se cili është qëllimi i shtetit grek, si mendojnë e veprojnë dhe çfarë kërkojnë dhe bëjnë ata kundër shtetit shqiptar. T’u themi troç shqiptarëve, se në thelb të edukimit të ndjenjave kombëtare, shteti grek i rrit dhe i edukon brezat e rinj në shkollë, në politikë, në art, në ushtri dhe fe me ëndrrën e papërfunduar të Vorio Epirit. Kështu një ditë edhe gjeneratat e reja të diasporës shqiptare të mbas viteve 1990 që jetojnë në Greqi me gjak qind për qind shqiptar, po nuk iu sqarua qysh tani e vërteta e gjenocidit grek edhe ata, jo vetëm se do të humbasin, asimilohen si arvanitasit e lashtë por do të vijë dita që të luftojnë kundër shqiptarëve dhe e gjithë kjo do të vijë, vetëm e vetëm se shteti shqiptar në marrëdhënie me Greqinë nuk po punon në drejtimin e duhur, jo vetëm në planin strategjik, por edhe në dinamikën e përditshme, pasi Greqisë i jepet hapësirë për të falsifikuar faktet historike deri aty, sa konsullatave greke iu hapi të gjitha zyrat e pushtetit lokal, bile edhe zyrat e gjendjes civil,e i vuri në dispozicion të punonjësve të Asfalias greke.

I nderuar President.

Agjenturat greke mbas viteve 1990 në bashkëpunim edhe me UDB-në serbe, ka penetruar shumë në territorin e Shqipërisë duke pasur rezidenca në popullsinë civile nga Tropoja deri në Sarandë dhe në institucionet shtetërore nga Parlamenti i Shqipërisë deri në komunat më të largëta shqiptare. Nga paaftësia e shtetit shqiptar, mbas viteve 1990 Asfalia greke ka mundur që agjenturën e vjetër të kohës së komunizmit që ishin kryesisht të nivelit, barinj, minoritarë, kooperativistë, shoferë, berberë si dhe ndonjë intelektual, sot i ka zëvendësuar ata, me deputetë, ministra, priftërinj, profesorë, historianë me flokë të bardha, gazetarë që paguhen në muaj sa fondi i pagave të një bashkie, avokatë, gjykatës, biznesmenë e nëpunës të institucioneve të rëndësishme informative e mediatike ,gazetareske, emisione televizive, ku disa të vetëquajtur “analistë”, “opinionistë” u jepet hapësirë dhe pagesë në televizione për më shumë se 20 vjet, të cilët, pasi përmbushën me sukses detyrat e padronëve serbo-grek, e kane arritur qëllimin duke e maskuar “helmin e tyre “ në kuadër të “fjalës së lirë dhe lirisë së mediave”. Me këto veprime publike ata kanë dëmtuar hapur ndjenjën kombëtare duke e quajtur të moralshme e të pranueshme të shahen figurat më të shquara në shekuj të kombit shqiptar si; Gjergj Kastriot Skënderbeu, Nënë Tereza etj., duke mbjellë harbutërinë në emisionet e televizioneve kombëtare, duke prishur çdo provë të prokurorisë, duke hedhur tymnaja e duke u bërë freski politikanëve të korruptuar dhe tani janë edhe moderatorë emisionesh. Të gjitha këto vërtetojnë se “fuqinë e pushtetit të katërt” në Shqipëri nuk e kanë institucionet mediatike, por padronët.

Ata që mendojnë se nuk duhet të ngrihen këto diskutime me grekët nën pretekstin se janë të vjetra, se nuk është momenti, se ndikojmë në marrëdhëniet me ta, se nuk na japin votën pro në BE etj., janë gabim. Disa historianë dhe arkeologë që Enveri u kishte besuar të shkruanin Historinë e Shqipërisë dhe origjinën e prejardhjes sonë, shkruan jo vetëm tre rreshta në librin e Historisë së Shqipërisë, por i prishën edhe kuptimin këtyre krimeve duke e quajtur atë masakra e Panaritit, masakra e Hormovës, pa shpjegim se kush e vrau këtë popullsi. Ku i lanë mbi 50,000 shqiptarë të vrarë, thua ta kenë harruar këtë gjenocid? Arkeologjia shqiptare nuk gërmoi aspak jo vetëm nën tokë, por as në muzeumet përkatëse. Lind pyetja, se edhe në këtë fushë të ketë qenë paaftësi, në një kohë kur populli shqiptar nuk la kodër e mal pa gërmuar, duke i kthyer ato në fusha pjellore. Të gjitha këto kanë një emërues që ka dëmtuar çështjen kombëtare.

Nëse ne shqiptarët nuk respektojmë të vdekurit dhe veçanërisht të vrarët padrejtësisht në shtëpitë e tyre, nuk na respekton askush. Populli grek ka kulture civile dhe jam i bindur se do ta gjejë formën dhe mënyrën për ta respektuar popullsinë shqiptare që të parët e tyre kanë vrarë në ato vite. Prandaj ju si pushtetarë duhet të zgjoheni nga gjumi shekullor dhe ta hiqni atë halën që ju ka ngelur në grykë, pasi heshtja juaj për çdo arsye qoftë, jo vetëm që i ka lënë të vrarë e të gjallë në breza të poshtëruar, por nga ana tjetër ka favorizuar ekzekutorët.

Ndaj i nderuar president aktualisht grekët guxojnë të kërkojnë hapur territore shqiptare, kërkojnë të mos dëgjojnë më kërkesa dhe emrin Çamëri nga shqiptarët, kërkojnë eshtrat e ushtarëve grekë të qenë e të pa qenë, të vrarë në Luftën Italo-Greke e t’u ngrenë edhe monumente në tokën shqiptare, kërkojnë prej shtetit shqiptar më shumë të drejta për minoritetin grek që jeton në Shqipëri, kërkojnë që Himara dhe vende të tjera në Shqipëri të njihen si minoritete greke etj., etj. Këto kërkesa të shtetit grek janë tërësisht pjesë thelbësore e ëndrrës greke të Vorio Epirit. “Nisën të ndërtohen monumentet kushtuar ushtarëve grekë të rënë në luftën kombëtare për çlirimin e Vorio Epirit”-kështu kanë komentuar mediat greke lajmin për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri. “ Zjarri “ është ndezur dhe tymi i kësaj pune vjen mbrapa. Ndoshta aq kohë larg sa, jo vetëm unë dhe Ju z. president nuk do të jemi më gjallë, por edhe shumë breza të tjera pas nesh. Në këto rrethana shteti shqiptar, jo vetëm që duhet të jetë korrekt me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me legjislacionin e të drejtave ndërkombëtare si palë e denjë ndërshtetërore, por të tregohet edhe fisnik e komshi i denjë me fqinjët.

I nderuar President Meta, ka dëshmi dhe prova se një pjesë e ushtarëve dhe oficerëve të ushtrisë greke,të vrarë apo të ngelur të gjallë në Luftën Italo-Greke në vitet 1940-1941, kanë qenë pjesëmarrës në formacionet e ushtrisë greke në vitet 1913-1914 e janë ata që kanë kryer gjenocidin në Shqipërinë Jug-lindore. Me këto varreza greke që po ndërtohen në tokën tonë, mbi gjakun, mbi hirin e eshtrave të djegura, mbi aktet e përdhunimeve të të parëve tanë, të kryera nga grekët, jo vetëm shpirtrat e të masakruarve nuk do të prehen të qetë, por edhe ne, pasardhësit e tyre brez pas brezi, nuk do të harrojmë këto krime makabre të grekëve dhe indiferentizmin e pushtetarëve shqiptarë, që për më shumë se një shekull nuk kanë qenë të aftë e të zotë që t’ua bëjnë të ditur popullit grek dhe gjithë botës mbarë, se në vitet 1913-1914 ushtria e rregullt e shtetit grek, me kryeministër Eleftero Venizellos, realizoi Gjenocid të pastër etnik në Shqipërinë Juglindore. Edhe pse kanë kaluar 104 vjet, këta njerëz të pafajshëm nuk kanë varre, nuk kanë simbole në nderim dhe respekt të tyre. Në këto rrethana shteti shqiptar duhet ta shkruajë të vërtetën e këtyre vrasjeve në Historinë e Shqipërisë, për të cilat nuk është folur deri tani me pretekstin banal, duke rënë preh e legjendave dhe e përrallave greke. Atyre iu intereson që rishikimin e marrëdhënieve me Shqipërinë ta fillojnë nga vitet 1945, bile duke folur e trajtuar këto probleme butësisht, pasi nëpërmjet kësaj sjelljeje si dhe kartonit që kanë në BE, ata kapërcejnë dhe mbulojnë krimet që kanë kryer nëpërmjet Gjenocidit të viteve 1913-1914 si dhe me mijëra vrasje makabre që kanë bërë në kufirin Shqiptaro-Grek nga vitet 1990 e deri më sot me emigrantët shqiptarë. Shteti grek, minimalisht për gjenocidin që ka kryer ndaj popullsisë civile shqiptare, duhet të kërkoje falje botërisht.

I solla këto informacione, pasi të gjitha këto krime i ka paguar gjithmonë me gjak e jetë njerëzish dhe dëme të pallogaritshme materiale vetëm populli ynë shqiptar.

Fakti që unë po ju shkruaj Juve si President i Shqipërisë është, jo vetëm se keni këtë funksion,por kam një shpresë tjetër tek ju. Kam besim se gjaku juaj si shqiptar, sado që në këto vite të mbrapshta tranzicioni të Shqipërisë mund t’u jetë holluar, si skrapalli që jeni nuk besoj se e keni humbur gjenin. Pasi Ju edhe sikur jetë mbretërore të keni bërë në Skrapar, nuk besoj se të parët tuaj nuk ju kanë treguar e folur ndonjë histori të dhimbshme mbi këto krime makabre që ka bërë greku edhe në zonën tuaj në vitet 1913-1914.

Ajo që unë kërkoj prej Jush i nderuar z. President është një gjë e thjeshtë, veprim njerëzor, pa kosto. Kërkoj që ju si burrë shteti të ndiheni për një moment qytetar i thjeshtë, t’i përjetoni këto dhimbje dhe këtë fyerje shekullore si gjithë populli, si skrapallinjtë tuaj dhe pastaj jam i bindur dhe kam besim, se me funksionin që keni dhe eksperiencën shumë vjeçare në politikë, do ta keni të lehtë që të urdhëroni institucionet përkatëse që të bëjnë evidentimin dhe dokumentimin e dosjes së Gjenocidit të kryer nga ushtria greke në vitet 1913-1914.

Kështu, ju z.President ,do të kryeni detyrën si shqiptari i pare që jeni në Republikën e Shqipërisë dhe me veprimin tuaj do t’ju ktheni respektin, dinjitetin, krenarinë kombëtare të vrarëve dhe ne te gjallëve e kështu do të kemi mundësinë ne dhe brezat që do të vinë që për shpirtin e tyre në qendrat e qyteteve të Shqipërisë Jug-lindore të ndezim ndonjë qiri e të vendosim tufa me lule në monumentet që do të ngrihen për pasqyrimin e historisë së këtij gjenocidi.

Me respekt dhe konsideratë të lartë

Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve ( ALBTVUSA )