Gjenerata e 6-të e Programit “LEAD Albania 2019” dhuron pemë për Tiranën

590
Sigal

Gjenerata e 6-të e Programit të AADF “LEAD Albania 2019” iu bashkua kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në mbjelljen e 29 pemëve të reja në Parkun e Liqenit Artificial.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se falë reshjeve të shiut, ky muaj ka qenë fantastik për të thyer rekordin e këtij viti në mbjelljen e pemëve të reja, ndërsa vlerësoi Fondacionin Shqiptaro-Amerikan në përgatitjen e të rinjve dhe të rejave shqiptare me përvojë të drejtpërdrejtë në procesin e qeverisjes së Shqipërisë.

“Sa bukur që stina jonë e mbjelljeve shkon me një metaforë shumë të bukur të një mbjellje tjetër që ka ndodhur në Shqipëri, falë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, që ka të bëjë me një fidanishte djemsh dhe vajzash super të talentuar të cilët kanë punuar në administratën shqiptare. Unë besoj se fidanishtja e vërtetë nuk janë pemët tona për statistikën e vitit, por janë djemtë dhe vajzat që janë mbjellë nga fondacioni në secilën ministri, bashki apo institucion”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar nismën e Bashkisë së Tiranës, kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Majkëll Granoff, tha se projekti për mbjelljen e pemëve është një metaforë shumë e mirë për programin LEAD, që synon përgatitjen e liderëve të ardhshëm në fusha të ndryshme. “Projekti për mbjelljen e pemëve është një metaforë shumë e mirë për programin tonë, për atë çka fondacioni po përpiqet të përmbushë duke mbjellë pemë të mrekullueshme në të gjitha hapësirat e shoqërisë shqiptare. Mundësia për të qenë këtu me kryebashkiakun dhe mbjellja e këtyre pemëve, është një mënyrë shumë e mirë për të treguar se çfarë mund të bëjmë së bashku. LEAD Albania është një tempull i shkëlqyer i përpjekjeve tona për gjetur të rinjtë më të mirë dhe më të ndritur në Shqipëri, për t’u dhënë atyre një mundësi për të shërbyer në pozicionet më të larta të qeverisë, dhe të kenë një eksperiencë që me shpresë do të krijojë gjeneratën tjetër të liderëve”, tha Granoff.

Veliaj theksoi se shumë prej të rinjve të programit LEAD kanë dhënë një kontribut tepër të vlefshëm në shumë prej reformave të ndërmarra kur ai ishte ministër, si ajo e pensioneve, hapja e dosjeve, zyrat e punës etj. “Kam qenë i bekuar që me këta ‘fidanë’ të sponsorizuar nga AADF-ja, djem dhe vajza të shkëlqyer, punova në ministri ku bëmë disa reforma shumë të rëndësishme, si reforma e pensioneve, reforma e tregut të punës, reforma e zyrave të punës, reforma e hapjes së dosjeve, reforma e ndihmës ekonomike”, tha ai, teksa shprehu bindjen se kjo mbjellje simbolike do të vazhdojë të shoqërojë metaforën e mbjelljes të fidanishtes së talenteve në gjithë administratën.

“I jam shumë mirënjohës Majkëllit, bordit, drejtorëve të AADF, Martinit dhe Sandrit, sepse besoj që një fidanishte e shqiptarëve të mirë, por edhe të ditur, i kanë bërë nder shtetit tonë modern dhe kanë sjellë një pafundësi dijesh, një zell dhe etikë të lartë pune në administratën tonë”, nënvizoi Veliaj.

Çdo klasë e re LEAD do të vazhdojë traditën e mbjelljes së pemës së tyre në shenjë simbolike. Kjo hapësirë simbolikisht do të etiketohet si Dedicated Place “LEAD HUB” dhe pjesëtarë të programit LEAD Albania zotohen të kujdesen për këtë hapësirë të Parkut të Tiranës.