Gjatë hetimit të grabitjes së Kasharit, prokuroria zbulon 148 miliardë lekë depozita bankare të 79 ish-krye-bashkiakëve

575
Vjollca KUTA

A është shkaku i dorëheqjes së ish-drejtorit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni, fshehja e këtyre llogarive të pista bankare? 
Vjedhja e 3.2 milionë dollarëve të një banke, kryer më 9 shkurt 2017 në Kashar, përveçse është një krim, shërbeu edhe për diçka të dobishme për dekriminalizmin e financave, të siguruara me krim prej shtetarëve dhe të zgjedhurve lokalë e qendrorë në Shqipëri. Në hetim e sipër brenda bankës së grabitur dhe bankave të tjera të nivelit të dytë, për të zbardhur llogaritë e personave të skeduar si grabitës, të Kasharit, prokuroria dhe zyra e anti-krimit ekonomik-financiar, kanë zbuluar një krim tjetër financiar kolektiv, që lidhet me vjedhje miliardash, të bëra jo me grabitje bankash, por nëpërmjet abuzimeve me detyrat shtetërore, kryesisht me tenderë. Burime nga shërbimi i anti-krimit ekonomik financiar, informojnë se gjatë hetimit të llogarive bankare “VIP”, d m th me vlera të mëdha, ka rezultuar se në 7 banka janë evidentuar 148 miliardë lekë depozita nga 79 kryetarë bashkiakë e komunash, që kanë qenë në detyrë në 10 vitet e fundit. Por informacioni vazhdon edhe me një detaj tjetër, që në bankat e hetuara, janë zbuluar edhe llogari bankare me vlerë mbi 105 miliardë lekë, të drejtuesve aktualë të bashkive , disa edhe drejtues të njësive administrative, të cilët kanë qenë drejtues në ish-bashki e komuna të ndryshme. Pas këtij konstatimi, ka nisur hetimi për “rrugët” nëpërmjet të cilave i kanë siguruara këto miliarda, këta drejtues e ish-drejtues të pushtetit lokalë në bashki e komuna! Se çfarë do rezultojë nga hetimi i burimeve prej të cilave janë “prodhuar” këto miliarda, ende nuk dihet. Ajo që dihet është fakti, se ky informacion u është dërguar edhe strukturave ndërkombëtare të hetimit që po monitorojnë procesin e dekriminalizimit. Madje flitet, se shkaku i dorëheqjes së ish-drejtorit të Pastrimit të Parave në Kryeministri, Alket Hyseni, ka lidhje me faktin që është konstatuar se ka fshehur këto llogari të pista bankare në miliarda lekë, që kanë depozituar ish-drejtues dhe drejtues aktual të pushtetit lokal, të cilët vërtetë nuk kanë grabitur makina bankash në rrugë, por kanë zhvatur fondet publike duke përdorur funksionet zyrtare gjatë adiministrimit të buxheteve lokale shtetërore, të të ardhurave lokale nga taksat dhe qiratë e pasurive vendore, si dhe vjedhjes së donacioneve me letra false investimesh e shërbimesh. 
Gazeta “Telegraf” e ka paralajmëruar 1 vit më parë këtë fakt
Gazeta “Telegraf” ka bërë publik këtë fakt afro 1 vit më parë, duke denoncuar realitetin që ish-drejtues dhe drejtues aktual lokalë, kanë krijuar dhe depozituar miliarda lekë në bankat shqiptare e të huaja, të siguruara nëpërmjet abuzimeve. Tashmë, jemi në procesin e dekriminalizmit të pasurive kriminale. Skema ndërkombëtare, diktuar për zbatim urgjent prej shtetit shqiptar, për dekriminalizimin e shoqërisë shqiptare, rezulton se nuk ka si objekt vetëm pastrimin e politikës qendrore nga krimi i çdo lloji, por edhe nga pasuritë e pista të shtetarëve e politikanëve të çdo niveli, sidomos të atyre që kanë pasur dhe kanë në dorë pushtet drejtues e urdhërues, të marrë me votën e popullit. Pas “pastrimit” të parlamentit, sipas një projekti të përbashkët BE-SHBA, radhën e “goditjes” e kanë drejtuesit e pushtetit lokal. Duket, se pas 25 vitesh tollovitje demagogjike, dështake e false me projekte e skema farsë për dekriminalizimin e politikës, shtetit dhe ekonomisë shqiptare, do t’’i jepet fund këtij “kanceri”, sidomos mbushjes së politikës, shtetit e pushtetit lokalë me njerëz të botës së krimit. Ndërkombëtarët, kanë vendosur ta realizojnë këtë proces integrues për Shqipërinë, proces që tashmë ka nisur konkretisht me raporte investigimi institucionesh ndërkombëtare, me dorëheqje dhe heqje politikanësh e zyrtarësh të lartë, me presione nga të inkriminuarit, me arrestime, me denoncime dhe procese gjyqësore. Përveç politikës qendrore, së shpejti nis edhe beteja kundër pasurive të pushtetarëve lokalë, të siguruara me krim, korrupsion, trafiqe, drogë, prostitucion me rrjet kombëtar e deri ndërkombëtar. 
Do të dekriminalizohen pasuritë e shtetarëve lokalë të 15 viteve të fundit
Sipas informacionit, do të dekriminalizohen pasuritë e shtetarëve dhe ish-shtetarëve lokalë të 15 viteve të fundit dhe ky është një projekt i gatshëm, i paraqitur për zbatim nga ndërkombëtarët. Në “listë” janë futur edhe ata ish-kryetarë komunash e bashkie, të cilët pas 23 qershorit 2015 janë emëruar si administratorë lokalë nga 61 kryetarët e zgjedhur e të rizgjedhur, të cilët përbëjnë 35% të numrit të administratorëve të njësive vendore. Gazeta “Telegraf”, ka mundur të siguroj një informacion të saktë zyrtar, sipas të cilit katër institucione hetimi, verifikimi, vendim-marrëse e ligj-zbatuese qendrore në Shqipëri dhe 6 institucione ndërkombëtare të BE-SHBA, kanë përfunduar një projekt “special”, që do hidhet për zbatim në muajin nëntor 2015, lidhur me dekriminalizimin ekonomiko-financiar, me objekt “pastrimi” pasuritë e vendosura me krime, me korrupsion, me burim abuzimin me detyrën, me trafiqe armësh e droge, me prostitucion etj. Në këtë projekt dekriminalizimi ekonomiko-financiar, janë përfshirë drejtuesit e pushtetit lokal që kanë drejtuar bashkitë dhe komunat në Shqipëri në 15 vitet e fundit. Sipas burimeve të “Telegraf”, prej 1 viti janë investiguar pasuritë fizike dhe llogaritë bankare të 783 personave që kanë drejtuar komunat dhe bashkitë në 15 vitet e fundit dhe ka rezultuar, se 621 prej tyre kanë pasuri me burim krimin, trafiqet e drogës dhe korrupsionin me detyrën. Po sipas raportit të projektit dekriminalizues, të hartuar nga institucionet e BE-SHBA dhe që do t’’i paraqitet shtetit shqiptar në muajin tetor 2015, rezulton se 411 prej drejtuesve të pushtetit lokalë të 15 viteve të fundit (disa ende drejtues) nuk kanë deklaruar pasuritë reale që kanë, ndërkohë që 217 prej tyre, sipas raportit i kanë “deleguar” pasuritë e tyre, në pronësi të familjarëve dhe njerëzve të besuar, ose i kanë shitur, duke krijuar llogari bankare sekrete jashtë Shqipërisë, llogari të cilat sipas raportit, janë evidentuar dhe janë skeduar si “të ardhura me burim krimin e korrupsionin”. 
Verifikimi i pronave dhe burimi i sigurimit të tyre
Pasuritë e krimit që janë vendosur dhe që posedohen, ose kontrollohen prej tyre, do të jenë objektiv goditës me sekuestro prej shtetit shqiptar, urdhëruar si detyrim zbatimi prej ndërkombëtarëve, të cilët pas 25 vitesh heshtje përballë krimit politiko-ekonomik shqiptar, kanë nisur të veprojnë ashpërsisht e pa tolerancë. Shifra financiare e pasurive të 621 “bejlerëve” lokalë që kanë drejtuar e zhvatur komunat dhe bashkitë në 15 vitet e fundit, kap shifrën 19 miliardë euro! Kaq janë zbuluar dhe kaq vlerë pasurie do të kalojnë në sekuestro në favor të shtetit shqiptar, ndërkohë që kjo sekuestro ekonomike do të shoqërohet edhe me prangosje për 357 ekzemplarë që në 15 vitet e fundit kanë rekord pasurie e llogarish bankare të vendosura me krim ekonomik, krim njerëz, trafiqe droge e biznes prostitucioni në hotelet dhe rezidencat e tyre të ngritura në bregdet, në mes të qendrave të qyteteve, në zona turistike të zhvatura me letra false dhe anës rrugëve nacionale. Gazeta “Telegraf”, referuar një informacioni nga burime brenda Inspektoratit të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, mësoi se ky institucion, ka nisur zbatimin e fazës së parë të projektit për dekriminalizimin ekonomik të pasurive të ish-pushtetarëve lokalë të 15 viteve të fundit, të cilët kanë lënë detyrën në 21 qershor 2015, duke u kërkuar përsëri deklarimin e pasurive të tyre reale. Janë 269 pushtetarë lokalë të 15 viteve të fundit të cilët disponojnë 1580 pasuri të patundshme në 10 shtete të BE dhe të rajonit, ndërkohë që në Shqipëri, 621 shtetarët lokalë të skeduar si të pasuruar me krim, disponojnë 11 mijë e 953 pasuri të paluajtshme dhe 8134 biznese të çdo lloji, ndërkohë që 4100 prona të patundshme i kanë maskuar me emra familjarësh, ose të besuarish
Sigal