Gëzim Zilja: Për Shqiptaro-Amerikanin e Vlorës , Teki Gjonzeneli

786
Sigal

Në të vërtetë ende nuk ka një rrugë me emër të tillë në Vlorë, madje as në Skelë. Ka rrugë me emra heronjsh të kombit, që kanë luftuar me penë e pushkë për formimin e themelimin e kombit shqiptar, ka emra njerëzish të shquar të qytetit që me punën e shembullin e tyre u kanë shërbyer njerëzve; si mjekë, klerikë, inxhinierë, shkrimtarë, sportistë e artistë. Tek-tuk, rrallë duhet thënë, (dukuri shqiptare kjo) nisur nga pozita që kanë pasur drejtues apo funksionarë të ndryshëm, sidomos pas vitit 1945 e deri sot, kanë emërtuar rrugë të qytetit me emrin e gjyshit, babait, dajës apo xhaxhait, megjithëse ai mund të ketë qenë një mësues, apo oficer i ndershëm, por që nuk bënte hije as në lagje e as në fshat e jo të kishte bërë ndonjë shërbim apo heroizëm të veçantë. Por nuk është kjo çështje objekt i këtij shkrimi.

Të vendosësh emrin e dikujt në një rrugë të qytetit apo të fshatit do të thotë të përjetësosh emrin e tij. A duhet të jetë njeriu që do i përsëritet emri përjetësisht patjetër intelektual me diplomë? A mund që ky njeri të jetë këpucar, marangoz, shofer, kopshtar, fotograf dhe të përjetësohet, duke i vendosur emrin një rruge a rrugice të lagjes, ku ai ka jetuar? Përgjigja ime është: Po mundet dhe është nder për lagjen apo qytetin. Do të flas në këtë rast për njeriun e mirë, Teki Gjonzeneli. Asnjë nga fëmijët e familjes Gjonzeneli, që jetuan në Shqipëri nuk e mbaruan shkollën e lartë. Jo, pse nuk ishin të aftë, por diktatura nuk lejonte, që fëmijët e të deklasuarve e, sidomos, të dënuar nga regjimi të shkolloheshin. Vëlla i tij Qamili, një notar i shkëlqyer u arratis me not nga Saranda në Korfuz, duke mbetur një legjendë e gjallë për kohën. Shkoi në SHBA, mbaroi shkollën e lartë dhe arriti të bëhej pedagog universiteti. Në shtëpinë tonë, ende i parritur dëgjoja vëllanë tim të madh, që përmendte gjithmonë një shoqe të klasës me emrin e çuditshëm: Arrestime. – Si ka mundësi të ketë një emër të tillë – e pyeta tim vëlla. – Ka lindur ditën që i arrestuan të atin,- më sqaroi ai. Më vonë mësova, që pranimi nga gjendja civile i këtij emri ishte histori më vete. Me këtë veprim Gjonzenelajt treguan se ishin të papërkulur dhe me gjithë ato që po hiqnin, i bënin karshillëk regjimit komunist. Babai dhe të tre vëllezërit provuan me radhë burgun: Herë njëri, herë tjetri e, ndonjëherë, të dy bashkë. Tekiu spikatte ndër fëmijët e Gjonzenelajve. Për të mbijetuar ai mësoi e punoi si marangoz, bojaxhi, mekanik, hidraulik, elektricist, bujk, bletërritës etj. E internuan aty nga vitet tetëdhjetë në fshatin e tij të lindjes, Tragjasin e famshëm. Sekretari i Partisë i tregoi një copë tokë sa fillonte malorja e fshatit, gjithë gurë e shkëmbinj dhe i tha: – Këtu do të banoni ju dhe fëmijët. Ky është urdhri i partisë. Burrë e grua i hynë një pune të pazakontë, duke gërmuar me kazmë e lopatë e duke zhvendosur shkëmbinjtë me një levë të zakonshme hekuri. U ngrit një shtëpi e thjeshtë por që shquhej mbi ato të fshatit. Njërën dhomë e bëri në formë pesëkëndëshi, (pentagoni im, e quante midis miqsh,) thjesht për t’u treguar kundërshtarëve, se ai ishte i zoti ta ngrinte shtëpinë edhe mbi shkëmb, madje duke imituar Pentagonin. Sa herë kooperativa kishte nevojë ai do të gjendej me njohuritë e tij të shumta me mendje e me krahë. Miku i tij Enver Memishaj kujton për të: “Së fundi e internuan në Tragjas në punët më të rënda bujqësore. Nëse kishte defekt mulliri blojës atë e rregullonte Tekiu, donte të vadiste misrin që po thahej, Tekiu preu lumin dhe ia ktheu arave me misër, mbetej fshati pa drita në stuhitë që s’dilte njeri nga shtëpia, Tekiu shkonte dhe rregullonte defektin…” . Në këtë mënyrë u bë një person i dashur dhe i nevojshëm për fshatin. Edhe vetë komunistët pohonin nën dhëmbë: “S’ke ç’i bën. Kije inat po jepi hakun. Është racë e fortë!” Kishte shokë e miq kudo në Shqipëri. Për një punë, për një hall të gjendej. Miqtë më të mirë e më të ngushtë të tij ishin artistët e sportistët. Nuk kishte trajner, sportist e artist të mos e njihte, ta donte e respektonte. Në tribunën e stadiumit “Flamurtari” ndonjëherë vendi i tij mbetej bosh me shpresën se do të vinte nga çasti në çast. Miqtë trishtoheshin dhe e kuptonin se nuk e ishte lejuar nga operativi i zonës. Tekiu pavarësisht se spiunët e Enver Hoxhës i rrinin nga prapa dhe e quanin burgaxhi, vlonjatët shikonin tek ai një njeri trim, punëtor, shumë të dashur, fjalëmbël dhe të kudogjendur. Pas rënies së diktaturës u shpërngul familjarisht në SHBA, që ishte ëndrra e tij e kahershme. Po fati edhe atje nuk e përkëdheli. Sikur të mos mjaftonin ato që kishte vuajtur nën diktaturë i vdiq vajza, Intera, në moshën 33 vjeçe dhe gruaja Finlanda kreu një operacion të vështirë. Dalip Greca kujton: “Ne shkuam për ta ngushëlluar por ai na dha ne kurajë.” Qysh se u largua në Amerikë muajt e verës i kalonte në Vlorë, duke u interesuar për gjithçka. E takova pas humbjes së vajzës. Kurajo dhe optimizmi i tij më mahnitën. Ashtu i buzëqeshur, më hodhi dorën në qafë dhe më tha: “Të gjithë vuajnë dhe jeta nuk është e lehtë. Unë dhe në Amerikë punova jo pak. I zoti është ai që u bën ballë fatkeqësive dhe shikon përpara.”

Këtë verë Teki Gjonzeneli nuk do të vijë në Vlorë. Mungesa e tij do të ndihet nga shumë qytetarë të Skelës e të Vlorës. Mençuria, dashuria për vendlindjen, jetën e njerëzit, këmbëngulja, batutat e papërsëritshme gjithë humor, përballja me vështirësitë e panumërta, që diktatura dhe koha i ngritën padrejtësisht dhe pabesisht, mbi të cilat ai triumfoi, përbën një shembull frymëzimi dhe optimizmi për ne që e njohim dhe ata që do të vijnë pas nesh. Para se të vdiste bibliotekën e tij të pasur, ku nuk mungonin botimet e të gjithë poetëve e shkrimtarëve vlonjatë e la amanet t’i dhurohej Federatës “Vatra.” Diku, aty te rruga që kthen nga ish-rrobaqepësia e mbaron betoni i bollshëm i pedonales, nis një rrugicë ku dikur kanë banuar Gjonzenelajt, nga shihet deti i kaltër, Karaburuni e Sazani. Në fillim të rrugicës është ngritur një pallat. Aty banonte çdo verë Teki Gjonzeneli. Hyrja e tij dallohej që tutje, sepse mbi ballkon dimër e behar valëvitej flamuri amerikan. “Pa atë flamur ne nuk ecim dot përpara,” shprehej gjithë krenari, miku ynë i paharruar Teki Gjonzeneli. Rrugica deri vonë ka qenë e pa asfaltuar dhe nuk i kalon njëqind metrat, pastaj fillon një kthesë e ndryshon drejtimin. Po ç’rëndësi ka? Aty ka banuar, është lindur e rritur një nga djemtë më të mirë të Skelës e Vlorës, që u përball denjësisht me diktaturën dhe dhuroi aq shumë dashuri për njerëzit.