Gati largimi i 250 mësuesve me kontrata, ishin punësuar nga DAR para 23 Qershorit

942
Sigal

PLAS SKANDALI NË ELBASAN/ U shpërdorua fondi i pagave. Shkarkimet do të kryhen deri në fund të muajit nëntor

Drejtoria e Arsimit në Elbasan, po bën gati largimin e 250 mësuesve, të cilët ishin punësuar para 23 Qershorit me kontrata të përkohshme, duke shkelur ligjin dhe duke abuzuar me fondet e pagave. Sipas burimeve nga DAR Elbasan “Pas largimit të 10 zyrtarëve të kësaj drejtorie rajonale, të kapur me shkelje nga MASH 2 javë më parë dhe zëvendësimi i tyre me përkrahës të PS, po bëhet gati largimi i 250 kryefamiljarëve, të punësuar nga PD lokale me firmën e ish-drejtorit Mati Çela dhe deputetit Luçiano Boçi”. Në listën e gjatë ka mësues me 5 apo edhe 10 vite pune, me master dhe pa master, edukatore  kopshti dhe çerdhesh, të punësuar sipas urdhrit nga MASH i datës 22 prill 2013, Për “Nevoja fushate”. Ky kontingjent duhet thënë se, priste me muaj e vite pas dyerve të zyrave të DAR prej 4-5 vitesh, qysh asokohe kur në krye të këtij institucioni erdhën Kujtim Mema, Mimoza Matraxhiu dhe së fundi edhe Mati Çela. Sorollatjet kanë qenë stresante për dhjetëra e dhjetëra mësues të talentuar që u bënë “koka turku” nga ish-drejtuesit e DAR në Elbasan, duke e politizuar atë institucion në maksimumin e mundshëm. Por tani kreu i ri i komanduar në DAR Elbasan, njeriu që mbahet si më i ekuilibruari mes dy rrymave PD dhe PS dhe që ka vite atje Alqi Çabiri, po bën gati largimin e tyre. Kjo sepse MASH, ka kërkuar daljen e përgjegjësive ligjore ndaj atyre që kanë abuzuar me ligjin, detyrën dhe paratë e fondeve për pagat. Burimet zyrtare pranë  DAR Elbasan deklaruan se, “MASH, dhe dega lokale e PS ka kërkuar nga DAR dhe drejtuesi i komanduar të jetë i ashpër në zbatimin e detyrës, të denoncojë veprimet dhe shkeljet e paraardhësve, zyrtarëve dhe drejtuesve të  shkollave”. Por nga ana tjetër, PS e Elbasanit, mbetet nën trysninë e kërkesave nga dhjetëra e qindra kandidatë për t’u futur në arsim, pasi sipas tyre “kanë prej 4-5 vitesh që dergjen e sorollaten dyerve të DAR, duke marrë si përgjigje talljet dhe fyerjet nga ish-drejtuesit duke nisur nga Mema, Matraxhiu dhe Çela, që e kishin kthyer institucionin e shtetit në çifligun e tyre”. Duhet thënë se, tre ish-drejtuesit e DAR, me paratë e emërimeve abuzive, kanë blerë apartamente të shtrenjta në Elbasan dhe Tiranë, por edhe kanë dërguar edhe fëmijët e tyre me studime në universitete jashtë shtetit.

Afati

Por duke u kthyer tek problemi, DAR Elbasan, pavarësisht kostos morale dhe materiale, ka menduar që largimi i 250 mësuesve me kontrata gjë e cila është e paligjshme, do të kryhet deri në fund të muajit nëntor. Ky mbetet edhe angazhimi  dhe udhëzimi i ardhur nga MASH. Mësuesit mbi normën e lejuar, që nuk kanë mundësi të paguhen nga fondi pagave, do të largohen, por çështja do të ndiqet edhe nga organet e drejtësisë, pasi DAR po përgatit dosjen e abuzimeve dhe emrat që kanë përgjegjësi direkte për këto shkelje.

Shkeljet e gjetura

Në DAR Elbasan, abuzimet janë pothuajse flagrante, pasi në arkivin e këtij institucioni janë  gjendur copa letrash, me vulën e PD lokale, ku kërkohej marrja në punë e këtij apo atij personi, në kundërshtim me ligjin dhe vendin e punës. Pra ka rezultuar që mësuesi gjeografisë të jap gjuhë e letërsi, apo mësuesi anglishtes të japë muzikë. Ky kaos dhe këto shkelje ligjore, padyshim kanë rënduar në buxhetin e shtetit,  dhe do të rëndojnë tani në xhepat e atyre mësuesve me kontrata që do të largohen. Porsa kanë marrë lajmin shumë prej mësuesve që kanë hyrë “me kontrata dhe nevoja fushate”, po pëshpëritin se, “kemi paguar për këtë vend pune, do denoncojmë”. Situata në DAR Elbasan, pritet të nxjerrë  fakte dhe histori të hidhura, që ndoshta do të jenë objekt i punës së mediave, por natyrisht edhe i organeve kompetente.

Lindita Koburja