Gati arrestimi i 27 zyrtarëve dhe regjistruesve

507
Sigal

KLSH mbyll kontrollet në ZRPP Elbasan dhe Durrës. Mbi 1860 certifikata pronësie me probleme ligjore

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka mbyllur përfundimisht kontrollet, të cilat zgjatën prej afro 4 muajsh, në degët e ZRPP-së në Elbasan dhe Durrës. Tashmë, pritet vetëm dërgimi raportit përfundimtar në DPZRPP, Ministrinë e Drejtësisë  dhe degët  në rrethe. Burime nga zyrat vendore të ZRPP-së në rrethet e Elbasanit dhe Durrësit i thanë “Telegraf” se “kontrolli ka gjetur shkelje skandaloze, abuzime dhe veprime, të cilat nuk  i falen  asnjë  zyrtari fillestar dhe jo një regjistruesi me përvojë, pasi janë qindra certifikata pronësie, të cilat kanë paligjshmëri, kanë krijuar përplasje në gjykata dhe problem mes pronarit të vjetër dhe të ri”. Bazuar në denoncimet, kontrollet dhe verifikimet sipas rasteve, KLSH-ja ka konstatuar se prej vitit 2008 deri në qershor 2013, nga ZRPP e Elbasanit dhe Durrësit kanë dalë me parregullsi  rreth 1860 certifikata pronësie, veç shkeljeve të rënda ligjore dhe abuzimeve me detyrën nga ish-regjistruesit dhe zyrtarët e tjerë, të cilët pritet të përballen me organet e drejtësisë”. KLSH-ja është ndalur për herën e dytë brenda vitit 2014 në dy hipotekat e Durrësit dhe Elbasanit, pasi situata e trashëguar atje mbetet serioze dhe problematike. Abuzimi me pronat, me detyrën, mbivendosjet dhe shkeljet ligjore kanë detyruar kreun e KLSH-së  Bujar Leskaj të rikthejë ekipet e kontrollit, dhe të ndalet seriozisht  në propozimet për masat administrative dhe penale ndaj çdo shkaktari. Zonat problematike në Durrës dhe me shumë probleme mbeten plazhi, Kallmi, Rrashbulli, Shkëmbi i Kavajës, zona e Gjirit të Lalëzit, kurse në Elbasan pothuajse të  gjitha  trojet  në  pronat e elbasanasve të  vjetër  dhe kodrat dhe komunat  përreth. KLSH-ja, pas hartimit të raportit përfundimtar mbi dy zyrat vendore të ZRPP, ka gati edhe propozimet  për masat konkrete  administrative dhe penale ndaj 27 personave përgjegjës. Veç  dëmit material ndaj palëve, të cilët kanë vite që ndodhen në konflikte të ashpra për të zgjidhur pronësinë pas shkeljeve  ligjore, dhe veç abuzimeve me detyrën dhe korrupsionit, 27 zyrtarët do të përballen edhe me akuza të tjera  si tjetërsim dhe përvetësim prone etj. Shumë  shpejt  “Telegraf” do të bëjë publike  raport –kontrollin e KLSH-së për dy zyrat e ZRPP-së në Elbasan dhe Durrës, bashkë me evidentimin e shkeljeve ligjore dhe abuzimin që është kryer dhe konstatuar atje në vite.

Ben Delimeta