Futën kamiona kontrabandë, ndiqen penalisht 8 punonjës të Doganës

517
Dogana shqiptare njoftoi pezullimin e tetë punonjësve të saj për dyshimet për kontrabandë në Pikën Kufitare të Kakavijës në kufi me Greqinë. Pesë prej punonjësve, të denoncuar edhe në Prokurorinë e Gjirokastrës, janë doganierë në Pikën e Kakavijës, ndërsa tre të tjerë janë pjesëtarë të grupit të antikontrabandës. Ky grup ishte instaluar pranë kësaj pike kufitare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për të monitoruar qarkullimin tregtar. Burimet paraprake kanë pohuar se hetimi ndaj tete doganierëve tashmë të pezulluar lidhet me kalimin e dy kamionëve tregtar pa kryer praktikat doganore në fund të muajit shkurt të këtij viti. Sipas burimeve paraprake kamionët ishin të ngarkuar me mallra industrialë të cilët nuk i janë nënshtruar detyrimeve doganore. Departamenti Hetimor i Doganave ka dërguar në Prokurori edhe dy tregtarët që kishin futur kamionët e mallrave në Shqipëri. “Departamenti Operativo-Hetimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, zbuloi dhe hetoi një veprimtari të organizuar kriminale të disa personave në bashkëpunim me punonjës të doganës së Kakavijës, të cilët kanë futur në territorin Shqiptar mallra kontrabandë. Nga hetimi i kryer u zbulua se në datën 26 Shkurt 2015, në Doganën e Kakavijës kanë kaluar dy automjete tip trailer kontrabandë, të cilët kishin në brendësi artikuj të ndryshëm industrial, duke shmangur kështu vlera të konsiderueshme të detyrimeve doganore” thuhet në njoftimin e Doganave. Departamenti Operativo-Hetimor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, thuhet në njoftim, ka dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, “për veprën penale të Kontrabandës”, punonjësit e administratës doganore bazuar në Nenin 175 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë që menjëherë është marrë masa e pezullimit nga detyra të punonjësve të Doganës së Kakavijës si më poshtë: 
– Klodian Cani – Përgjegjës Turni 
– Redi Karalliu, Arben Zhupa – Doganier i Kontrollit ne Pikën e Hyrjes
– Ardit Karabina – Doganier i Peshores
– Engjell Ymeraj – Doganier i Parkimit 
Po ashtu u dërguan për ndjekje penale dhe u pezulluan menjëherë nga detyra punonjësit e Antikontrabandës që kishin për detyrë të zbulonin dhe parandalonin këtë veprimtari të kundraligjshme, me motivacionin “shpërdorim detyre”, neni 248 dhe 25 i Kodit Penal: 
– Idriz Zogu – Përgjegjës i Grupit të Antikontrabandës 
– Vladimir Goxhi dhe Etjon Hyseni – Inspektorë të Antikontrabandës.
Gjithashtu janë dërguar për ndjekje penale edhe dy drejtuesit e mjeteve me inicialet T.Ç dhe L.Z, të subjektit “B.F” të cilët në bashkëpunim me punonjësit e sipërpërmenduar kanë konsumuar veprën penale të kontrabandës në Degën Doganore të Kakavijës.
Sigal