FSHZH vijon rikonstruksionin e rrugës Pezë e Madhe – Pezë e Vogël dhe linjën e re të ujësjellësit të Komunës Pezë

577
Sigal

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci: “Ky investim është mjaft i rëndësishëm për 6 mijë banorët e zonës”

Gjashtë mijë banorë të Komunës Pezë do të komunikojnë midis tyre dhe me aksin nacional Tiranë – Ndroq, përmes një rruge të asfaltuar të parametrave bashkëkohore. Paralelisht me këtë investim është duke u shtruar linja e re e ujësjellësit, i cili do të sigurojë furnizimin me ujë të pijshëm dhe higjenikisht të pastër për banorët e kësaj zone. Rruga Pezë e Madhe – Pezë e Vogël 5.2 km e gjatë, është një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili lidh disa fshatra të Komunës Pezë, jo vetëm me njëra-tjetrën, por edhe me aksin nacional Tiranë – Ndoq. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare dhe donatorë të tjerë. Gjendja e rrugës ekzistuese është tejet e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Prej shumë vitesh në këtë aks rrugor nuk është kryer asnjë investim. Edhe pse një zonë me potenciale të mëdha në bujqësi dhe blegtori, fermerët e kësaj zone e kanë pasur mjaft të vështirë të transportonin prodhimet e tyre në tregun e Tiranës. Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti 5.5 m dhe dy bankina nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, trotuare, hapësira parkimi, mure mbajtës, ura dhe vepra arti. Pjesë e këtij investimi është dhe shtrimi i linjës kryesore të ujësjellësit komunal, e cila do të jetë krejtësisht e re dhe do të zëvendësojë linjën e vjetër krejtësisht të amortizuar. Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor është parashikuar 12 muaj, ndërkohë që shtrimi i linjës së ujësjellësit do të përfundojë brenda 2 javësh dhe po kryhet në bashkëpunim me Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci, gjatë një vizite pune në këtë segment rrugor, në bashkëbisedim me gazetarët, ndër të tjera tha se “Sot jemi në Komunën Pezë për të parë nga afër ecurinë e punimeve në segmentin rrugor Pezë Madhe – Pezë e Vogël. Edhe pse kanë kaluar vetëm pak muaj nga fillimi i rikonstruksionit të rrugës, punimet kanë avancuar ndjeshëm. Aktualisht ka përfunduar hapja dhe zgjerimi i trasesë së rrugës dhe është kryer mbushja e saj. Që në këtë fazë të ndërtimit të rrugës, e cila përfaqëson 30 % të volumit të punimeve, ajo është e kalueshme duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve të transportit. Njëkohësisht kanë përfunduar tombinot, muret e betonit, për t’i lënë vend paketave të shtresave asfaltike. Gjatë kësaj jave pritet të vijojnë punimet edhe për shtrimin e linjës së ujësjellësit, i cili do të sigurojë furnizimin normal me ujë të pijshëm dhe higjenikisht të pastër”. Ky investim mjaft i rëndësishëm për 6 mijë banorët e kësaj komune është pjesë e një sërë ndërhyrjesh që FSHZH po kryen në Qarkun Tiranë, në kuadër të strategjisë së zhvillimit të këtij Qarku. Rruga e re e projektuar me standardet më të mira, do të ofrojë kushte transporti normale duke lehtësuar lidhjen  me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet. E gjendur midis Tiranës dhe Durrësit në një pozicion mjaft të përshtatshëm gjeografik, Komuna Pezë përbën jo vetëm një zonë me potenciale të mëdha në prodhimin bujqësor dhe blegtoral, por edhe një destinacion turistik mjaft tërheqës për vizitorët. Punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës do të jenë një tjetër përfitim real për banorët e kësaj zone.