Fshehu shkarkimin nga detyra në ’97 dhe akuzat për falsifikim dokumentesh, sot pritet vendimi nga SPAK për Luan Dacin

35

Ditën e sotme në SPAK do të zhvillohet seanca për gjyqtarin Luan Daci, i cili u pezullua pak ditë më parë, pasi akuzohet për “falsifikim dokumentesh”.

SPAK sqaroi se Daci është pezulluar, pasi kishte paraqitur të dhëna të rreme, duke mbajtur të fshehtë masën disiplinore të “largimit nga detyra” në vitin 1997 –penalizim që do të duhej ta s’kualifikonte atë nga gara për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Daci ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitet 1994-1997, kur sipas SPAK u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë së kohës për “shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”.

Fshehja e këtij fakti nuk e pengoi Dacin të kalonte filtrat e verifikimit në vitin 2017, fillimisht në institucionin e Avokatit të Popullit dhe më pas në Komisionin Ad Hoc të ngritur në Kuvend për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të vetingut, ndonëse një verifikim i tillë nuk rezulton të ketë qenë i vështirë.

Zgjedhja e Luan Dacit në kundërshtim me kriteret formale në Kolegjin e Apelimit u bë vetëm një vit pasi atij iu refuzua një kërkesë për t’u emëruar në Gjykatën e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Arsyeja e refuzimit ishte shkarkimi nga detyra në vitin 1997, i diskutuar në një mbledhje me pjesëmarrjen e gjerë të anëtarëve të KLD-së, ish-presidentit Nishani dhe përfaqësuesve të misionit Euralius dhe OSBE-së.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se në vitin 2017, Daci aplikoi për një post në secilin prej tre institucioneve të vetingut, duke zhdukur nga CV-ja e tij periudhën e punës si gjyqtar në Tiranë.

Në njërin prej formularëve, Daci mohoi gjithashtu të kishte qenë subjekt i ndonjë masë disiplinore.