FOTO/ Nga thirrjet për dorëheqjen e Ballukut te batutat për Ramën, qindra qytetarë në protestë

165
Disa qindra qytetarë, të organizuar në rrjetet sociale, protestuan sot para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, kundër rritjes së çmimeve, të cilat u konsideruan si spekulative dhe kërkuan ndërhyrjen e Qeverisë.
Sigal

Gjithashtu një protestë u zhvillua paralelisht në Durrës, ku qytetarët kanë fikur makinat në shenjë proteste ndaj rritjes së pajustifikuar të çmimit të karburanteve, ndërsa Kryeministri Edi Rama e ka justifikuar këtë me luftën në Ukrainë.

Pikërisht deklaratat e Ramës dhe ato të ministres Belinda Balluku, e cila ka këshilluar qytetarët që të ecin në këmbë, pra mos përdorin makinat, apo Kryeministrit i cili ka sugjeruar shtrëngimin e dhëmbëve dhe përballimin me dinjitet të krizës, duket se kanë irrituar shqiptarët.

Fotot e mëposhtme tregojnë një prani të lartë të qytetarëve në protestë, nga ku u bë thirrje për largimin e Belinda Ballukut nga posti ministror, ndërsa Edi Rama u etiketua si lideri i ballkazanit që pasi fut në panik qytetarët largohet drejt Dubait me charter.

Profesori Ervin Goci tha se të gjithë të bashkuar mund të rrëzojmë regjimin, ndërsa aktori Binaj bëri thirrje që protestës ti bashkohen të rinjtë, pasi qëndrimi në instagram apo shikimi i telenovelave turke nuk i ul çmimet.