Forumi në gazetën “Telegraf”: Dita e 5 majit apel për të gjithë: Ta duam më shumë Shqipërinë!

494
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në “Telegraf”: Flasin Kastriot Bezati, Odise Porodini, Mersin Mixha, Astrit Miho, Bashkim Qeli, Myfit Mema: Kush hedh poshtë këtë luftë, hedh poshtë historinë më të lavdishme të popullit tonë

 Sot  5 maji! Dita e dëshmorëve. Tashmë është bërë domosdoshmëri që  më 5 Maj të nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Ja si shprehen për këtë ditë veteranë dhe pasardhës të tyre… Drejtojnë apelin publik që të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar gjithashtu me keqardhje se “sot, zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës, si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti”…

Mersin MIXHA, ish-partizan i Brigadës VI sulmuese

Për mua 5 maji është festa më e bukur e shqiptarëve. Një festë që kujton ata që ruajtën atdheun gjallë. Sa herë vjen 5 Maji bëhem më i ri, më i fortë dhe më i lidhur me atdheun. Ne që luftuam për këtë ditë, e përcjellim natyrshëm gëzimin për ditën e dëshmorëve, ditën e heronjve të luftës. Një ditë historike që na bën krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen. Deformime nga më të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Për mua, Lufta Nacional-Çlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por ishte dhe revolucion kundër qeverisë  kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe revolucioni kundër kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje që binte ndesh me interesat kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kësaj lufte që në moshën 13 vjeç. Në luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të pashuar. Ishin të gjithë të rinj, idealistë, me dëshirën për të shporrur pushtuesin nga atdheu. Pa këtë luftë, Shqipëria do të copëtohej. Ndaj çdo 5 maj, ne veteranët shkojmë tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët tanë, vëllezërit tanë, atë luftë heroike. Mund të them se i gjithë populli e respekton këtë luftë, veç atyre që ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot më tepër se kurrë është rritur respekti për këtë ditë, simbol të kombit shqiptar.

 

Kastriot BEZATI, historian, pasardhës veterani

Ndihemi krenarë për atë luftë. Ajo na emocionon edhe sot, pavarësisht se duan t’i hedhin baltë. Janë të shumta shtëpitë në Mokër të Pogradecit që mbajnë pllakën: “Shtëpi bazë e LANÇ-it”. Një ndër to është edhe shtëpia e Istref Brahollarit (Ceka). Jo vetëm si shtëpi, por edhe të afërmit e tjerë vëllezër dhe fëmijë, kush më shumë e kush më pak, kemi dhënë ndihmesën në luftën për çlirim. Ende qëndron si dikur shtëpia jonë në fshatin Çezmë e Vogël, si për t’u thënë brezave se ajo ruan një histori, që nuk duhet harruar dhe duhet përcjellë më tej. Këtu vinin partizanë për t’u mjekuar dhe për t’u strehuar. Te kjo shtëpi vinin njerëz të luftës dhe vendosnin për krijimin e celulave të para në këtë zonë, bëheshin takime e biseda për shtimin e radhëve të partizanëve. Ndër të parët ka ardhur Heroi i Popullit, Reshit Çollaku. Kur Brigada I-rë, kaloi për në veri me komandantin e saj Mehmet Shehun, ai është kthyer në këtë familje. Në këtë familje ka kryer aktivitetin e saj komanda e vendit për rreth gjashtë muaj.

Astrit  MIHO, pasardhës veterani

Unë jam me origjinë nga Fushë Bardha, fshati i pushkës dhe i penës. Si fis dhe familje, kemi qenë shumë të lidhur me këtë luftë. Babai im Brahim Miho (në Brigadën VI, VIII, XIV e në fund XIX Sulmuese) ka qenë një ndër partizanët më aktiv në zonën e Gjirokastrës. Ndaj dita e 5 majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. Historia është histori dhe ajo shkruhet e përjetohet ashtu siç ka ndodhur, paçka se nuk i pëlqen njërit apo tjetrit politikan me pushtet. Për luftën duhet thënë me zë të lartë se, ka hedhur themelet e një lirie dhe pavarësie reale e shpëtimtare për kombin. Vlerat e saj i shijuan të gjithë afërsisht, kurse të demokracisë që po zgjat si shumë, i gëzoi një grusht shumë i vogël, i cili aq më keq, nuk i meriton ato. Kjo duket çdo 5 maj, ku mes qindra vizitorëve që vijnë tek varrezat e dëshmorëve e përkulen me respekt para gjakut dhe sakrificave të atyre djelmoshave e vashave të reja që e këputën jetën në lule të rinisë, veteranët që bënë luftën dhe pasardhësit e tyre, vijnë në këmbë. Kurse ata që e gjetën sofrën shtruar, ngjiten pranë përjetësisë së tyre me makina tepër luksoze. E më kot marrin mundimin të thonë dy fjalë hipokrite për dëshmorët. Këta burra flokëbardhë, kush me republikë e kush mbështetur në bastun nga mungesa e fuqisë, nuk vijnë thjesht për nostalgji pranë bashkëmoshatarëve të tyre që prehen në kodrën legjendare të Saukut, por ndjejnë një obligim të madh, për përhapjen e të vërtetës së madhe, se kush ishte Lufta Nacional-Çlirimtare dhe për të mbajtur të ndezur tek brezi i ri, ndjenjën e respektit të përjetshëm për të. Ndaj është domosdoshmëri që të investohet moralisht dhe materialisht, që monumentet, lapidarët e pllakat përkujtimore që simbolizojnë gjakun e derdhur në beteja, të rifreskohen, të meremetohen, të rikthehen në vendet që ishin, si shenjë e respektit për dinjitetin e kombit.

Axhem GJONI, pasardhës veterani

Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”.  Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë, me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku sot ne, krenohemi para gjithë botës, për nderimin që u bëjmë heronjve.

Myfit MEMA, pasardhës veterani

Nga babai im, kam dëgjuar shumë për LANÇ-in. Gjatë saj, fillojnë edhe përpjekjet e para për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Ata u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacional-çlirimtar, miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të, statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Kush hedh poshtë këtë luftë, hedh poshtë historinë më të lavdishme të popullit tonë.

Odise PORODINI, ish-partizan, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it

5 Maji ditë e shenjtë, ditë historike. Nuk ka ditë më hyjnore se kjo ditë. LANÇ-i ka qenë dhe do të mbetet periudha më e lavdishme në historinë e popullit shqiptar, sepse solli çlirimin e atdheut nga nazifashistët. Pa LANÇ-in, e cila e radhiti Shqipërinë në frontin e aleatëve dhe fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria do të ishte copëtuar, sikurse edhe në 2013-tën. Unë i quaj turp të madh kombëtar, përpjekjet e disa neokolaboracionistëve, neoballistëve, që të hedhin baltë mbi komandantët, komisarët e njësive të ushtrisë partizane të LANÇ-it. Kemi paraqitur këtë problem në qeveri, por askush të mos u fërkojë kokën këtyre spekulantëve të historisë, sepse kështu i inkurajon ata, që të baltosin LANÇ-in, ta vrasin, atë që nuk bënë dot baballarët dhe gjyshërit e tyre. Kur vjen 5 Maji, ne pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare mbushemi me krenari. Një krenari e ligjshme kjo, një krenari që na buron vetiu në gjithë qenien, për vetë faktin se prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë më të shtrenjtë në botë, për idealin më të madh jetësor: çlirimin e atdheut. Nuk thotë më kot kënga: “Kush ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”. Pa trimëritë e atyre dëshmorëve, pa luftën, sakrificat e panumërta të tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e brendshëm donin të na shisnin. Pra, kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon historinë e popullit tonë, habitesh sesi kanë luftuar përballë superfuqive ushtarake, përballë armiqve të armatosur deri në dhëmbë për të na shuar si komb dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë, ishin këta njerëz, këta idealistë, këta yje të pashuar, që vunë atdheun para jetës së tyre të re. Kushdo sot në këtë demokraci të pafre mund të flasë dhe të hedh baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, por askush nuk i rrëzon dot ato male. Guriçkat nuk e gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen… Dëshmorët, historia i ka shkruar në Panteonin e pavdekësisë, i ka shkruar në gjirin e shenjtë të Atdheut. Sot zor se gjen djem të tillë idealistë, djem të tillë të sakrificës që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti. Vlerat njerëzore po shikojmë se zhbëhen dhe dashuria për atdheun po venitet, ndaj duke kujtuar 5 majin ne bëjmë dhe një apel: Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni si dëshmorët tanë. Përvoja e jonë dhe ajo e vendeve të tjera tregon se një shoqëri e vërtetë demokratike nuk mund të ndërtohet ndryshe veçse duke çmuar e ruajtur vlerat e Luftës së Dytë Botërore, antifashizmin, frymën dhe idealet antifashiste dhe në këtë kuadër, respektin e nderimin për dëshmorët dhe luftëtarët antifashistë, që derdhën gjakun e tyre, për ta parë Shqipërinë të lirë, të pavarur e demokratike.

Aleksandër DRAGOTI, djali i ish-komandantit të Brigadës VIII

Kur vjen 5 maji ndjej diçka të veçantë në shpirt. Më afron me kujtimet e babait. Sot për mua është një ditë e veçantë, është një ditë reflektimi e nderimi. Unë jam djali i komandantit të Brigadës VIII Sulmuese, Asaf Dragoti. Dita e dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur t’i mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule ishin ata, lule është vetë natyra në këtë ditë. Unë kam qenë pjesë e luftës në qarkorin e Rinisë së Vlorës, në zonën e Peshkëpisë. Kur dëgjoj sesi e mohojnë këtë luftë, habitem. Ishte një luftë që bota e respekton, që bota e nderon. Ishte një luftë që ne duhet t’ua përcjellim të shkruar brezave. Kudo në botë, ata që kanë qenë pjesë e Luftës Nacional-Çlirimtare ndihen të respektuar, krenarë dhe të nderuar. Ajo luftë na dha lirinë dhe na radhiti ndër vendet triumfuese. Madje, duke pasur parasysh popullsinë e Shqipërisë, mund të themi me plot gojën se, lufta jonë ishte e njëjtë me atë të vendeve me popullsi të madhe. Këtë e bënë prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, ndaj ne duhet t’i kujtojmë dhe respektojmë ata. Kudo në botë nderohen dëshmorët, madje shumë më shumë se tek ne. Heronjtë japin jetën për atdheun, ne duhet t’i nderojmë dhe respektojmë ata. 5 Maji mbetet një ditë historike, një ditë ndër më të bukurat të historisë së Shqipërisë.

Bashkim QELI, historian, pasardhës veterani

Kjo ditë është ndër më të bukurat për gjithë shqiptarët. Ne duhet të përulemi me respekt e mirënjohje, për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për atdheun. Kjo për mua është një ditë kur ne kujtojmë dhe duhet të kujtojmë duke vlerësuar me veneracion të gjithë ata që dhanë jetën e tyre në atë Luftë të Madhe, që ndau botën në dy kampe, fashiste e antifashiste. Fatmirësisht, në sajë të përpjekjeve mbinjerëzore, gjakut të atyre që ranë, ne u rreshtuam me ata që iu kundërvunë monstruozitetit fashist e nazist, me kampin e madh antifashist. Ne u rreshtuam kështu dhe me vetë popujt gjermanë e italianë, për të cilët ato regjime u shndërruan jo në një zgjedhje, por në një kalvar shtypje pa kufi. Prandaj t’i kujtojmë me respekt sot të gjithë ata që u ndanë nga jeta në ato beteja.