Forumi Civil 2010: Prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian

523
Sigal

 Nëpërmjet Progres-Raportit të fundit, Komisioni Evropian rekomandoi dhënien Shqipërisë të statusit të Shtetit kandidat të Bashkimit Europian. Ndërkohë që në këtë dokument, KE theksoi edhe disa prioritete, të cilat kërkojnë reflektim të shpejtë dhe angazhim serioz nga Pala Shqiptare, për t’u bërë e mundur në një të ardhme të afërt çelja e bisedimeve për anëtarësim. Në krye të këtyre prioriteteve qëndron nevoja për akte konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përgjatë një procesi të pandërprerë të forcimit të shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Forumi Civil është i bindur që kërkesat e Brukselit në këtë drejtim kanë baza të forta reale, sepse korrupsioni te ne ka dominuar në marrëdhëniet shtetërore me publikun, cenues për përparimin e vendit dhe kërcënues për cilësinë e demokracisë. Veprimtaria e disa institucioneve përgjegjëse për fokusim te lufta kundër korrupsionit, siç janë ILDKP, Prokuroria, sistemi gjyqësor dhe policia, kanë treguar dobësi të theksuara, madje edhe duke i hapur rrugë në një nivel shqetësues e të pakontrollueshëm fenomeneve korruptive. Ndonëse nuk ka pasur ndonjë vakuum ligjor për përballimin me sukses të këtij fenomeni, ende sot Shqipëria ka mbetur vendi i vetëm në rajon, që nuk ka asnjë funksionar të rangut të lartë përpara drejtësisë për akte korruptive. Ky bilanc negativ për pandëshkueshmërinë e politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit, me të vërtetë është bërë një pengesë e pakapërcyeshme për integrimin, demokracinë dhe progresin tonë. Forumi Civil kujton që e gjithë retorika e deritashme, por edhe ndërmarrja e  masës për kufizimin e imunitetit parlamentar rezultuan fjalë në erë e impenjime të flashkëta, dhe se organet ligjzbatuese, veçanërisht ato të gjurmimit, të hetimit dhe të dhënies së drejtësisë kanë përgjegjësinë kryesore të mbrojnë interesin publik dhe normat e shtetin të së drejtës, për të garantuar parimin kushtetues të barazisë së çdo qytetari përpara ligjit. Forumi Civil u bën thirrje partive politike, sidomos Kuvendit të Shqipërisë dhe forcave politike që përfaqësohen në ‘të, që të japin shembull reflektimi, duke nisur një proces transparence dhe deklarimi publik të burimeve të financimit të secilit deputet, pasurisë së tyre direkte ose indirekte, shoqëruar me të dhënat mbi burimet që kanë çuar në krijimin e pasurive të tyre. Forumi Civil i apelon mazhorancës dhe opozitës së re që gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme të mbajnë parasysh ndër prioritetet e renditura në Progres – Raportin e fundit të Komisionit Europian, edhe atë për krijimin e një administrate të depolitizuar. Në këtë drejtim vlerësohet e rëndësishme që të bëhet transparente çdo procedurë emërimi e zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë, në mënyrë që ky proces të shkëputet një herë e mirë nga vargonjtë e nepotizmit dhe interesave të ngushta partiake apo klanore, sepse kështu Shteti Shqiptar që në dhjetor të këtij viti do të mund të shfaqë përpara qytetarëve të vet dhe përballë Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian shenjat e para të reflektimit

dhe vullnetit për të ndryshuar pozitivisht praktikat e deritanishme në qeverisjen e vendit