Formulari elektronik, Spahiu: Patentat e reja do tërhiqen brenda ditës

3485
Sigal

Hyri në fuqi Kodi i ri Rrugor, flet z. Ylli Spahiu, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit dhe Transportit Rrugor

Personat që do të pajisen me leje drejtimi për herë të parë apo ata që duan të rinovojnë patentën, nuk do të presin më 2 javë për të marrë kartonin, por do të kenë mundësinë ta tërheqin atë në kohë reale, menjëherë pas aplikimit. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit dhe Transportit Rrugor, z. Ylli Spahiu shprehet në një intervistë për “Telegraf” se në Qarkun Tiranë dhe Durrës është vënë në përdorim programi elektronik i plotësimit të formularit të aplikimit për patentë, ndërsa brenda muajit, ky shërbim do të shtrihet në të gjithë vendin. Spahiu, shpjegon se kjo mënyrë e re shkurton ndjeshëm kohën e kryerjes së procedurave për marrjen e patentës. Ndërsa thekson se ndryshimet e në Kodin Rrugor, nuk do të sjellin ndryshime në kohëzgjatjen e përgatitjes së drejtuesve të ardhshëm në autoshkolla dhe as shtrenjtim të tarifave për marrjen e patentës.

 Z. Spahiu, ju keni vënë në përdorim programin elektronik të plotësimit të formularit të aplikimit për patentë për Tiranën dhe Durrësin. Cilat janë risitë e këtij shërbimi?

 Në kuadrin e dixhitalizimit të shërbimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, ka përgatitur programin informatik të plotësimit automatik të formularit elektronik të aplikimit për pajisjen me leje drejtimi (eForm), i cili është vënë në përdorim për Qarkun Tiranë dhe Durrës, ndërsa brenda muajit ky shërbim do të shtrihet në të gjithë vendin. Ky shërbim shkurton kohën e kryerjes së procedurave administrative të aplikuara deri tani për pajisjen me leje drejtimi të shtetasve që janë kualifikuar për drejtimin e mjeteve rrugore. Në sajë të bashkëveprimit me regjistrin elektronik kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, ky program mundëson plotësimin e formularit elektronik të aplikimit në bazë të opsioneve që përzgjedh sportelisti, duke llogaritur automatikisht vlefshmërinë e lejes së drejtimit në varësi të moshës dhe kategorive që zotëron aplikanti. Sistemi kompjuterik transmetohen të dhënat e aplikimit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Drejtoritë Rajonale, në njësinë e prodhimit të lejes së drejtimit në DPSHTRR, ku brenda ditës plotësohet leja e drejtimit. Ky program rrit shpejtësinë dhe cilësinë e dhënies së shërbimit, eliminon gabimet njerëzore, minimizon veprimet korruptive të punonjësve të shërbimit në plotësimin e formularëve, si dhe ndërpret dhënien e shërbimit për ata shtetas që me vendim të organeve kompetente, u është hequr e drejta e drejtimit të mjeteve. Për të mundësuar transmetimin e sigurt të të dhënave nga Drejtoritë Rajonale në njësinë e prodhimit në DPSHTRR, sistemi bën nënshkrimin elektronik të formularit, gjë e cila e bën të pamundur ndryshimin e të dhënave që nga momenti i nënshkrimit të formularit, deri në momentin e prodhimit të kartonit të lejes së drejtimit.

 Për sa kohë e merr qytetari patentën, pas aplikimit në mënyrë elektronike?

Brenda ditës. Me ane të formularit elektronik do të mundësohet dhënia e lejes së drejtimit në një afat minimal, deri brenda ditës.

 A do ndryshojnë tarifat për patentë dhe a zgjatet koha e përgatitjes së drejtuesve të automjeteve në autoshkolla?

Marrja e lejes së drejtimit nuk do të pësojë ndryshime. Nuk do të zgjatet afati për kursin e trajnimit si edhe nuk do të shtrenjtohen tarifat për të marrë atë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit, nëpërmjet një deklarate, në sqarim të opinionit publik, është shprehur se marrja e lejes së drejtimit nuk do të pësojë ndryshime. Pra, nuk ka asnjë ndryshim në vlerat e tarifave të pajisjes me leje drejtimi. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës së Republikës së Shqipërisë, nr. 34, datë 29.12.2014 është konfirmim i vlerave të mëparshme të aplikuara për tarifat e shërbimit për pajisjen me lejedrejtim.

Gjithashtu, ndryshimet në Kodin Rrugor, nuk do të sjellin ndryshime në kohëzgjatjen e përgatitjes së drejtuesve të ardhshëm në autoshkolla.

  Sot, në 15 janar hyn në fuqi Kodi i ri Rrugor…

Po, Kodi i ri Rrugor merr fuqi ligjore në datën 15 janar, pra sot. Në ndryshimet e bëra në Kod, kandidati për drejtues mjeti mund të regjistrohet dhe të kryejë kursin e teorisë e të praktikës në çdo drejtori rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pavarësisht nga regjistrimi në gjendjen civile.

 Si funksionon leja e drejtimit me pikë?

Çdo qytetari, që sapo fillon të drejtën për leje drejtimi, i jepen një total prej 20 pikësh, të cilat mund të ulen deri në 0 pikë, ose të rriten, maksimumi, deri në 30 pikë.

Ulja e pikëve:

Në rast të shkeljeve të normave të sjelljes pëson zbritje të pikëve në bazë të tabelës së pikëve të përcaktuar nga VKM përkatëse. Zbritja e pikëve në regjistrin kombëtar të drejtuesve të mjeteve (pranë DPSHTRR) bëhet vetëm në rastet kur është e formës së prerë si vendim. Organi i cili heq pikët në lejen e drejtimit (Policia rrugore) duhet të ketë njoftuar qytetarin dhe të jenë mbyllur të gjitha fazat e ankimimit të qytetarit dhe të jetë marrë një vendim i formës së prerë. Ulja e pikëve pasqyrohet në regjistrin kombëtar në mënyrë elektronike. Nuk mund të hiqen më shumë se 15 pikë njëkohësisht dhe heqja e pikëve lejohet vetëm në momentin, kur nuk është marrë vendim për pezullimin e lejes së drejtimit. Në rastet kur drejtuesi i mjetit humbet, të paktën 3 herë (data e shkeljes merret si referencë) brenda një viti ku ka si penalitet më shumë se 5 pikë në çdo shkelje, atëherë ky drejtues mjeti duhet t’i nënshtrohet rinovimit brenda 30 ditësh si drejtuesit e mjeteve që kanë 0 pikë në lejen e tyre.

Shtimi i pikëve:

Shtimi i pikëve bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në dy raste:

-Drejtuesi i mjetit nuk ka bërë një shkelje të normave të sjelljes të cilat çojnë në heqjen e pikëve për një periudhe dy vjeçare. Në rast drejtuesi i mjetit në regjistrin e kombëtar ka 20 ose më shumë pikë përfiton 2 pikë shtesë dhe nuk mund të kaloje nivelin e 30 pikëve në total. Në rast se drejtuesi i mjetit në regjistrin e kombëtar ka me pak se 20 pikë, por më shumë se 0 atëherë numri i pikëve i bëhet 20 në mënyrë automatike.

-Në rastet kur drejtuesi i mjetit i nënshtrohet një testimi për arsyeje se ka 0 pike ose për shtese kategorie dhe ka me pak se 20 pike atëherë numri i pikëve të tij në regjistrin kombëtar bëhet 20 pikë automatikisht. Testimi për rifitimin e pikëve të humbura organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, pa pasur nevojën për autoshkollë.

Ledjana Saliu