Format e reja të grabitjes së pronave po instalohen në institucionin e drejtësisë shqiptare

662
Sigal

SARANDË/ Qytetari 81-vjeçarë, Osman Fiko Hasani, ka muaj që vërtitet rrotull Gjykatës së Faktit Sarandë dhe nëpër zyrat e avokatisë së këtij qyteti. Në duar mban një mal me shkresa e mbi supe një mal me halle nga vitet e jetës. Na bën përshtypje prezenca e tij e përditshme pranë gjykatës për muaj të tërë. Ulemi në kafe dhe e pyesim se çfarë e shqetëson. Nga përgjigjja e tij mësojmë një fakt sa qesharak, aq edhe të dhimbshëm që po ndodh me drejtësinë tonë. Forma të reja në grabitjen e pronave po instalohen në institucionin e drejtësisë shqiptare. Osmani thotë se është trajtuar me ligjin e tokës 7501 me një sipërfaqe 11950 metra katrorë tokë ullishte. Por në këtë rast atij i shkon përshtat fjala “errësohej pronar e gdhihej i shpronësuar”. “Pikërisht kjo ka ndodhur me mua”, thotë Osmani 81-vjeçar. “Kam kaluar shumë sisteme politike në Shqipëri, po kjo që më ndodhi, nuk qe parë e dëgjuar. Më janë grabitur plotë 1200 metra katror tokë me një vendim gjykate. Po si u zhvillua ky gjyq? Kjo është çudia shqiptare në drejtësi! Një qytetar që banon prej vitesh në SHBA dhe ka vite që nuk vjen në Shqipëri, cakton një avokat për gjyq ndaj meje. Shkojnë edhe topografët dhe masin sipërfaqen e pretenduar nga shqiptaro-amerikani. Avokati zhvillon procesin gjyqësor, pa më lajmëruar mua dhe gjykata vetëm me avokatin vendosin të më marrin tokën. A nuk duhej të isha edhe unë në gjyq? Patjetër! Ndaj them që kjo është çudia e drejtësisë shqiptare”, tha 81-vjeçari. Dhe Osmani endet dyerve të gjykatës për të ndryshuar vendimin e paligjshëm, sipas tij, të Gjykatës së Sarandës dhe kthimin e sipërfaqes së tokës pronarit të ligjshëm, i cili është vet ai. Megjithëse ka muaj që ka aplikuar pranë gjykatës për gjyq, ende nuk ka marrë një përgjigje dhe thotë se do t’i drejtohet prokurorisë për këto veprime me pasoja grabitëse ndaj pronës së tij.