Format e dashurisë dhe si kuptohen ato

4825
Dashuria romantike (pasionante)
Dashuria platonike
Dashuria patologjike

DASHURIA ROMANTIKE…
Dashuria pasionante shoqërohet me shqetësim për partnerin dhe me idealizimin e tij, me dëshirën për ta njohur atë dhe për t’u njohur prej tij.Përfshin dëshirën e fortë për t’u bashkuar me tjetrin dhe një ndërvarësi midis lumturisë intensive dhe dëshpërimit. Romakët fajësonin Kupidin, Perëndinë e Dashurisë, e cila i verboi njerëzit në pasionin e dashurisë për njëri-tjetrin.

DASHURIA PLATONIKE…
Është një lidhje dashurore pa kontakte seksuale midis individëve. Një shembull i saj mund të jetë një lidhje e thellë shoqërore, jo seksuale që nuk ka lidhje gjinore dhe pa përjashtim të të afërmve të ngushtë. Por, ky interpretim është një keqkuptim i natyrës së dashurisë ideale platonike, e cila që nga origjina ishte një dashuri e pastër dhe pasionante e bazuar, jo në mungesën e interesit erotik, por në transmetimin shpirtëror të forcës së seksit, duke pasur një zgjerim më të madh të kënaqësisë, sesa të seksit.

DASHURIA PATOLOGJIKE …
Dashuria Patologjike është një çrregullim psikologjik. Në këtë lloj dashurie individi bën sjellje të përsëritura dhe të pakontrolluara përkujdesjeje ndaj partnerit, duke i kushtuar një vëmendje të tepruar në një lidhje romantike dashurore, gjë që shkakton vuajtje te partneri tjetër. Nga studimet e bëra, është arritur në konkluzionin, që disa nga faktorët që ndikojnë në zhvillimin e dashurisë patologjike te njëri nga partnerët janë:

-Vetëvlerësim i ulët i individit
-Impulsiviteti
-Abuzimet
-Mungesa e dashurisë
-Neglizhenca nga familjarët në fëmijëri
TEORITË E DASHURISË:
Bazuar në literaturën Psikologjike identifikohen tre teori kryesore të dashurisë:
1)Teoria Sociale e Dashurisë
2)Teoria e Trekëndëshit
3)Teoria dy-faktorëshe e dashurisë

TEORIA SOCIALE E DASHURISË
Kjo teori u formulua nga Erik From, i cili besonte se njerëzit janë produkte të mjediseve të tyre sociale. Sipas tij, njeriu ndihet i vetmuar deri në momentin kur ai arrin të lidhet me dikë ose të krijojë shoqëri me njerëz të tjerë. Por mbi të gjitha lidhjet dhe shoqëritë që njeriu arrin t’i realizojë, lidhja më e fuqishme dhe më domethënëse është ajo e bashkimit reciprok, që ne e quajmë dashuri. Dashuria paraqet shqetësim aktiv për sjelljet e personit tjetër, të cilat ai i përkufizon si katër karakteristika të dashurisë: njohuritë, përkujdesjet, përgjegjësinë dhe respektin. Personalisht mendoj që, dashuria lind atëherë kur ne arrijmë ta kuptojmë tjetrin, ta respektojmë atë, t’i pranojmë përgjegjësitë, pavarësisht se çfarë janë ato, t’i vlerësojmë cilësitë e tij, etj. Pra thënë ndryshe, njeriu përjeton dashuri të sinqertë, vetëm atëherë kur arrin ta mposhtë egon e tij.

TEORIA E TREKËNDËSHIT TË DASHURISË
Robert Sternberg me 1988 nxorri këtë teori, sipas të cilës dashuria përbëhej nga tri komponentë: Intimiteti, si komponent emocional. Sternberg e ndërlidh me raportet e dashurisë, të cilat janë edhe si parakusht për nxitjen dhe krijimin e ndjenjës së afërsisë, të cilat sipas tij janë: respekti, lumturia, mirëkuptimi, mbështetja, komunikimi etj. Pasioni, si komponent motivacional. Sternberg e ndërlidh me eksitimin fiziologjik, i cili synon drejt dëshirës për seks. Vendimi/angazhimi, si komponent kognitiv. Sternberg e ndërlidh me: vendimin si veprim afatshkurtër për të dashuruar një person dhe angazhimin, si veprim afatgjatë, për t’i vazhduar këto marrëdhënie, qoftë në situata të mira, qoftë në situata të këqija.

TEORIA DY-FAKTORËSHE E DASHURISË
Sipas Ellien Hetfielld, Elene Breshajd & Uilliam Uollster që mbështesin këtë teori, dashuria pasionante shpjegon zgjimin e zjarrtë fiziologjik. Pra, fillimisht ne gjallërohemi nga faktorët situativë dhe pastaj biem në dashuri për të shpjeguar zgjimin tonë.

EFEKTI ROMEO DHE ZHULJETA
Teoria dy-faktorëshe ofron një shpjegim të mundshëm për të ashtuquajturin efekti Romeo dhe Zhuljeta. Ashtu si Romeo dhe Zhuljeta ndjenin dashuri pasionante në kundërshtim me dëshirat e prindërve te tyre, ashtu edhe studiuesit tregojnë se sa më tepër prindërit të ndërhyjnë në romancën e fëmijëve, aq më shumë përfshihen fëmijet e tyre në romantizëm. Mendoj që ky efekt ndodh gjithmonë si pasojë e natyrës njerëzore , e cila bën gjithmonë atë çka e ka të ndaluar, ndaj efekti Romeo& Zhuljeta është shumë i fuqishëm tek ne. Në dashuritë si ajo e Romeos dhe Zhuljetës, ekziston vetëm intimiteti dhe pasioni midis partnerëve, por mungon lidhja, pra aftësia për të konkretizuar ndjenjën.

LLOJET E DASHURISË…
• Dashuria romantike ose ndryshe Erosi, e cila ka të bëjë me kërkimin e njeriut ideal duke theksuar bukurinë fizike. Është ajo lloj dashurie hipotetike, që ekziston midis sekseve të kundërta. 
• Dashuri luaj-lojë ose ndryshe Ludus, ku individi luan me dashurinë duke kërkuar fitore seksuale, por me një përfshirje të vogël në të.
• Dashuri miqësore, ose ndryshe Storge, është marrëdhënie besimi, sigurie dhe qëndrueshmërie, shpesh e ngjashme me pëlqimin. Ndërtohet shpesh mbi respektin dhe miqësinë dhe përfundon në një lidhje të fortë reciproke. 
• Dashuri zotëruese, ose ndryshe Mania, ku individi ka një përfshirje obsesive në marrëdhënie, është xheloz dhe emocionalisht ekstrem me të dashurin. Kjo ndjenjë lidhet me dashurinë patologjike. 
• Dashuri altruiste ose ndryshe Agape, është dëshira për t’i dhënë tjetrit kujdes, për t’u treguar i sjellshëm me të, pa pritur gjë në këmbim. Kjo sipas mendimit tim është dashuri që ndodh rrallë, ose pothuaj asnjëherë, por kur ndodh ka një veçanti të jashtëzakonshme. 
• Dashuria pragmatiste, ose ndryshe Pragma, karakterizon një marrëdhënie racionale të bazuar në kënaqësinë reciproke. Bazohet në idenë që është mirë të duam dikë që ka të njëjtat cilësi si ne.
Sigal