Fondet buxhetore për zhvillim bujqësor kanë nevojë për monitorim të vazhdueshëm

741
Nga Gjovalin PREÇI
Drejtor në KLSH
KLSH në mënyrë të vazhdueshme po rrit kontributin e dhe ndikimin e tij në përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, nëpërmjet auditimeve dhe kryesisht atyre të performancës. Konsolidimi në pesë vitet e fundit të auditimit të performancës, si një nga llojet më bashkëkohore të auditimit, ka bërë të mundur që të përfshihen në auditim gjithnjë e më shumë përdorimi i fondeve buxhetore në fusha të caktuara të ekonomisë. Në këtë kuadër, kohët e fundit KLSH ka përfunduar auditimin e performancës së fondeve buxhetore (granteve) të akorduara nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Krahas mangësive të evidentuara si në procedurat burokratike dhe kushtueshme të aplikimit për fermerët, informacion i kufizuar dhe jo cilësor, disa skema të dështuara (si ajo për të luftuar mizën e ullirit) etj., efektiviteti i fondeve buxhetore për zhvillimin bujqësor nuk ka arritur objektivat e synuara kryesisht për shkak të mungesës së monitorimit të investimeve dhe skemave kombëtare të akorduara. Pikësëpari, është e nevojshme që monitorimi të fillojë me një shpërndarje të mjaftueshme të numrit të inspektorëve të AZHBR, për të kontrolluar dosjet e aplikuesve dhe përfituesve potencial brenda afatit të caktuar pasi krijohen vonesa të panevojshme në përzgjedhjen e projekteve, ekzekutimin e pagesave ndaj përfituesve, për pasojë ndikim negativ në besimin e fermerëve për grantet në skemat kombëtare të bujqësisë. Kështu, duhet shmangur konstatimi i një prirjeje negative të zvogëlimit të numrit të inspektorëve dhe specialistëve që angazhohen direkt me kontrollin dhe monitorimin e skemave kombëtare, dy nga aktivitetet e një rëndësie të veçantë për AZHBR, në raport me numrin e skemave kombëtare, numrin e përfituesve që duhet të kontrollojnë, shtrirjen e gjerë territoriale të investimeve që financohen, si dhe rritjes së përvitshme të vlerës së fondeve buxhetore, me pasoja në uljen e efektivitetit të granteve të dhëna. Në kuadër të monitorimit të skemave kombëtare e një rëndësie të veçantë është shmangia e mungesave në staf, kryesisht në Drejtorinë e kontrollit, pasi duke ulur volumin e punës, detyrimisht ul performancën monitoruese në tërësi të AZHBR-së. Profesionet dhe formimi bazë universitar i specialistëve kontrollues në përshtatje me drejtimet e akordimit të fondeve buxhetore është thelbi i suksesit në kontroll, monitorim dhe efektivitet të skemave kombëtare. Fatkeqësisht konstatohet se rekrutimi i një pjesë të konsiderueshme të punonjësve në sektorin e kontrollit përgjatë viteve 2013-2017 ka qenë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga vetë AZHBR, për më tepër që mbizotërojnë profesione që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetet kryesore të saj. Po të shtojmë këtu se janë larguar afërsisht 62% e specialistëve të Drejtorisë së kontrollit, ku një pjesë e konsiderueshme (30 prej tyre) janë me 3-6 vite eksperiencë në AZHBR me formimin e duhur profesional, duke ndikuar negativisht në aktivitetin e kontrollit, si dhe në efektivitetin e shpenzimeve buxhetore shtetërore. Në mënyrë të domosdoshme duhet të përcaktohet qartazi në udhëzimet e përbashkëta të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave funksioni i monitorimit për skemat kombëtare të vogla, përveç verifikimit para financimit dhe pas financimit 70 % të vlerës së investimit. Kjo duhet shoqëruar me ngritjen dhe fuqizimin e sektorit të monitorimit, analizën për përcaktimin e numrit të duhur të stafit të kësaj strukture, me qëllim mbulimin sa më të mirë jo vetëm të investimeve, por dhe të skemave të ashtuquajtura të vogla. Sektori i monitorimit duhet t’i hartohet një manual i detajuar për metodologjinë e kryerjes së monitorimit, mungesa e të cilëve, ka sjell ulje të efektivitetit gjatë ushtrimit të detyrave të këtij sektori dhe ulje të efektivitetit të fondeve të dhëna. Sektori i monitorimit duhet të sigurojë informacion të mjaftueshëm për indikatorët gjatë monitorimit të investimeve të cilët japin të dhëna reale dhe të qëndrueshme se sa efektive janë fondet e dhëna. Gjithashtu, rritja e efektivitetit të veprimtarisë monitoruese të AZHBR-së ka nevojë për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit në kohë midis sektorit të monitorimit dhe sektorëve të tjerë brenda këtij institucioni. Është mjaft e rëndësishme që AZHBR të hartojë dhe të zbatojë një strategji dhe aktivitete informimi e ndërgjegjësimi, duke ju drejtuar të gjitha grupeve të interesit për skemat e përfitimit, kriteret dhe kushtet që duhet të plotësojnë për mbështetje financiare të prodhimit bujqësor dhe zhvillimin rural, sipas kërkesës së vendosur në udhëzimin përbashkët për zbatimin e skemave kombëtare. Një drejtim i veçantë për fuqizimin dhe përmirësimin e monitorimit të fondeve buxhetore të akorduara nga AZHBR është pajisja e stafit dhe specialistëve kontrollues me infrastrukturën përkatëse që nga automjete të përshtatshme transporti, programe kompjuterike të fushës, dhënie mundësie verifikimi në regjistra elektronikë publikë, mjete matëse etj. Gjatë auditimit të performancës së AZHBR në dhënien e granteve buxhetore për periudhën janar 2013 – Shtator 2017 kanë rezultuar edhe problematika të tjera, për të cilat Kryetari i KLSH, Zoti Bujar Leskaj, me Vendimin nr. 209, datë 29.12.2017 ka miratuar Raportin Përfundimtar, si dhe për përmirësimin e gjendjes, i ka rekomanduar AZHBR-së dhe Ministrisë së Bujqësisë përkatësisht 38 dhe 11 masa organizative, me afat zbatimi kryesisht brenda gjashtë-mujorit të parë 2018.
Sigal