Flota e Peshkimit, konkurencë dhe mungesë për tregtim të peshkut vendas

2259
Porti ekzistues i peshkimit në Durrës, (në pritje ende të portit të ri) i ndërtuar rreth viteve ’50, ende mban në kalatat e tij anijet e vjetra të cilat të lodhura nga barra e viteve dhe problemet e tjera që lidhen me këtë sektor kaq delikat. Specialistët e sektorit të peshkimit në Durrës shprehen se “sektori i peshkimit në qytetin e Durrësit është përfshirë nga informalitetiti i tregtimit të peshkut, qindra ton peshk që çdo ditë mbërrijnë nga gjuetia dhe shpërndahen për konsumatorin me shumicë dhe pakicë, kalon pa fatura tatimore duke bërë që jo vetëm të fshihen të ardhurat dhe detyrimet ndaj shtetit, por edhe konsumatori të mos jetë i sigurt përsa i përket tregut, të këtij produkti, i cili rezulton informal”. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo situate që ka përfshirë një prej industrive kyçe të qytetit bregdetar, me qindra ton peshk importi që hyjnë nga dogana e Durrësit shiten jashtë çdo kushti higjieno-sanitar në rrugë, dhe çmimi i peshkut është rritur nga 20 deri 30% duke bërë që fitimet të rriten edhe më shumë për pronarët e anijeve, ndërsa rritje të dukshme kanë edhe “menytë” e restoranteve, për të shkuar më pas deri tek konsumatori i thjeshtë familjar, ndërsa peshkatarët nga ana e tyre eksportojnë prodhimet e freskëta drejt shteteve fqinjë.
Sigal

Situata në kalatat e vjetra

Anijet që vinë nga gjuetia në portin dhe kalatat e vjetra, e shkarkojnë mallin direkt në makinat frigoriferike, pa e kaluar atë më parë në magazinat doganore, apo e dërgojnë direkt tek porositësit që në këtë rast janë baret dhe restorantet e shumta në qytetin bregdetar kërkesa e të cilëve në këtë stinë është duke arritur pikun. Një pjesë e vogël e sasisë së kapur magazinohet në magazinat e grosistëve dhe më pas tregtohet sipas kërkesës. Me dhjetëra dhe qindra karroca të vogla marrin sasinë e peshkut që tepron që në këtë rast është peshku i importit dhe e tregtojnë gjatë ditës buzë rrugëve kryesore aty ku edhe fluksi i lëvizjeve është shumë i madh. Peshku tregtohet jashtë çdo kushti higjieno-sanitar, pa asnjë faturë tatimore që do të thotë se, i gjithë tregtimi është informal. Me daljen e sasisë së peshkut nga anijet, por edhe magazinat për grosostët e mëdhenj ka përfunduar edhe puna e tyre ndërsa bëhen gati për lundrimin e radhës.Anijet e mëdha të peshkimit në Durrës të cilat furnizohen me karburant pa akcizë në vendet fqinjë, Itali dhe Greqi, shkarkojnë edhe peshkun e freskët që gjuajnë në ujërat tona. Jo vetëm se peshku i freskët ka kërkesë të madhe në këto vende por, edhe çmimi është më i lartë duke favorizuar dukshëm të gjithë pronarët e anijeve të peshkimit. Në kthim sjellin peshkun e importit i cili qëndron i magazinuar prej vitesh dhe nuk është i njëjtë në cilësi me peshkun e freskët.Këto qindra ton peshk importi kalojnë më pas tek tregtarët e pakicës të cilët e tregtojnë atë rrugëve. Me ligjin e ri për peshkimin çdo anije furnizohet me karburant me çmim burse pa akcizë, në bazë të faturave tatimore për sasinë e peshkut të shitur, që deklarohen nga pronarët e tyre. Por anijet e mëdha peshkimit kanë gjetur si mundësi të furnizohen me karburant në portet italiane kundrejt 50 cent për litër në kohën kur bëjnë eksportin e peshkut në këto shtete duke ju shmangur detyrimeve tatimore. Aktualisht kërkesa për prodhimet e detit është rritur në mënyrë të dukshme në tregun durrsak. Shkak është bërë kërkesa e madhe e restoranteve dhe hoteleve të cilët presin turistë në këtë sezon. Për të përmbushur kërkesat në tregun vendas të cilat janë rreth 5 herë më shumë se në stinët e tjera peshkatarët durrsakë jo vetëm që shkelin me të dyja këmbët ligjin, por edhe fshehin të ardhurat. Sipas burimeve zyrtare në doganën e Durrësit aktualisht një pjesë e konsiderueshme e prodhimeve të freskëta janë duke u eksportuar nga peshkatarët durrsakë për në shtetet Italiane dhe Grekë ndërsa po importohen prodhime të cilat ruhen për një kohë të gjatë në dhomat frigoriferike.

Mashtrimi me çmimet, zhdukja e peshkut vendas, problemet e trashëguara

Në tregun e Durrësit prodhimet e freskëta të detit vijnë me çmime tepër të larta për konsumatorin. Në dyqanet e prodhimeve të detit, nuk ka asnjë informacion nëse këto prodhime janë vendase apo të importit. Nëse e njeh tregtarin të thotë nën zë se, duhet apo jo të blesh, në të kundërt të shpjegon se duhet të vish një ditë tjetër. Në një monitorim të shpejtë në tregun e përditshëm të peshkut rezulton se çmimet janë rritur dukshëm në raport me vitet e shkuar. Qefulli rezulton 350 deri në 450 lekë kg, merluci 800 deri në 850 lekë, levreku 1100 lekë, dentali 1100, ndërsa disa lloje të tjera vijnë me çmime tepër të larta. Peshku kerr 2 mijë kg, spalca e zezë 2200 lekë, dhe qindra ton peshk që çdo ditë mbërrijnë nga gjuetia dhe shpërndahen për konsumatorin me shumicë dhe pakicë, kalon shpesh edhe pa fatura tatimore duke bërë që të fshihen të ardhurat dhe detyrimet ndaj shtetit, por edhe konsumatori të mos jetë i sigurt përsa i përket tregut. Konkurenca në industrinë e peshkimit, ka rrugën e saj të ashpër, dhe kjo duket në përgjysmimin e Flotës së Peshkimit, në rritjen e volumit të punës për anijet e reja, me ekuipazh dhe pajisje bashkohore, të cilat kanë kapur tregun e shitjes brënda vendit, dhe stopimi i anijeve të vjetëruara që nuk plotësojnë kushtet e vendosura nga Ministria e Bujqesisë dhe ajo e Mjedisit. Prej disa vitesh flotilja e peshkimit në Durrës ka patur problemet e veta si në furnizimin me naftë, ashtu edhe me tregun e shitjes së peshkut. Problem mbetet edhe riparimi anijeve, pasi shkrirja e Kantierit Detar, ka vënë në vështirësi pronarët e anijeve, por edhe rritja e çmimit të karburantit. Nga 128 anije peshkimi afro 75 prej tyre prej muajsh nuk kanë dalë në det. Peshkatarët thonë se çmimi i naftës, si dhe kostoja e lartë e riparimit te mjeteve në mungesë të kantierit detar, i ka lënë peshkarexhat pa punë. Ata tregojnë se për të nxjerrë një anije për gjueti nevojiten rreth 200-300 litra naftë dhe në shumë raste peshku nuk e shlyen shpenzimin e tyre. Stopimi i dhjetra anijeve peshkarexha ne det, është reflektuar edhe me çmimin e peshkut ne treg. Një kg shitet nga 500-1200 leke sipas kategorisë, afërisht me një rritje 25-30%. E ndërsa afrohet sezoni turistik, situata në sektorin e peshkimit në Durrës mbetet me probleme. Aktualisht çdo ditë dalin për gjueti afro 30 anije peshkimi. Veç vënies në funksion të skemës së naftës pa akcizë nga Qeveria parashikohet edhe ndërtimi i njësive të posaçme të shitjes si dhe restaurimi i porteve të peshkimit. Peshkimi është mënyra e sigurimit te jetesës për mijëra familje në Durrës.

Peshkatarët shmangin naftën pa akcizë, nuk kanë shlyer detyrimet financiare 

Peshkatarët tashmë e kanë siguruar naftën pa akcizë, por ndoshta një tjetër problem ka dalë për marrjen e saj nga pronarët e peshkatoreve. Burime tatimore thanë se “si shkak është bërë mospagimi i detyrimeve në arkën e shtetit për dy vitet e fundit nga 127 anije që ka flota e peshkimit, vetëm 25 % e saj ose 32 anije furnizohen aktualisht me naftë pa akcizë ndërsa pjesa tjetër vazhdon të përpëlitet duke e siguruar karburantin në portet e huaja”. Sipas specialistëve tatimorë dy shkaqet që e bëjnë të pazbatueshme skemën e furnizimit me naftë pa akcizë të sektorit të peshkimit, i pari është kushti i vënë nga dikasteri për peshkatarët të cilët duhet të përmbushin disa detyrime financiare në mënyrë që tubat e autoboteve të lidhen me serbatorët e anijeve ndërsa shkaku i dytë ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës së nevojshme për shpërndarjen e naftës në mjediset e peshkimit. Në qytetin e Durrësit zhvillojnë aktivitetin e peshkimit rreth 170 mjete të madhësive të ndryshme, peshkimi dhe tregëtare, por prej vitesh pronarët e tyre ankohen për kushtet e vështira në të cilat ndodhen, pasi kanë vështirësi të shumta, duke filluar që tek zona e ankorimit, që është jashtë të gjitha kushteve dhe standardeve detare dhe nuk mjafton për flotiljen e peshkimit.Po kështu riparimet fundore rreth 80 % i kanë të pamundura që t’i bëjnë pas eleminimit të kantierit detar. Në gjuetinë e peshkut dalin ndërkohë rreth 40 % e tyre, pasi kanë vështirësi në sigurimin e pjesëve të këmbimit, si dhe riparimit. Një vështirësi tjetër është edhe mungesa e rimbursimit të naftës, e cila krahasuar me vendet fqinje, është shumë më shtrenjtë. 

Anijet shqiptare furnizohen në Malin e Zi

Anijet shqiptare që kanë mundësi, shkojnë dhe furnizohen me naftë shqiptare në Mal të Zi, me rreth 120 lekë litrin, ndërsa në vend e kanë të pamundur që të furnizohen. Kjo po çon në faliment shumë peshkatarë, të cilët si në Durrës, ashtu dhe në rrethe të tjera, po nxjerrin anijet në shitje. Peshkatarët thanë se “mbijetesa është kthyer në një makth të vërtetë sot në peshkim mungojnë të gjithë faktorët kryesorë për të kryer funksionet normale të një flote peshkimi, problemet tona janë duke nisur nga gjendja në portin aktual, naftën, si dhe portin në ndërtim e sipër të peshkimit, i cili paralizon gjithë aktivitetin e peshkimit për momentin dhe infrastrukturën mbështetëse, duke përfshirë edhe stabilimentet e peshkimit, si dhe punonjësit që janë të punësuar”. Një problem jetik është nafta, e cila për peshkimin ka një çmim të lartë, krahasuar me të gjitha vendet e rajonit.Tashmë të gjitha anijet e mëdha shkojnë dhe furnizohen në shtetet fqinje dhe ju siguroj, që të paktën në Mal të Zi, ato furnizohen me naftë shqiptare, e cila shkon atje nga firmat e hidrokarbureve shqiptare të licencuara për import eksport. Nafta shkon në Mal të Zi dhe anijet shqiptare shkojnë atje ku shitet afërsisht sipas bursës rreth 120 lekë. Ka 5 vite që kantieri i dikurshëm detar që riparonte anijet mungon, dhe mungesa e slipit, mekanizmit që nxjerr në tokë anijet e mëdha të peshkimit dhe që kryenin shërbimet fundore të mjeteve, ka bërë që të rrezikohen në lundrim seriozisht.Në bankinat e sotme të peshkimit, mund të ankorohen vetëm 40 mjete, të tjerat ankorohen aty ku u jep leje Kapiteneria e Portit. Nga 170 anije që janë, ka vend vetëm për 40 prej tyre, kurse porti i ri i peshkimit, nuk ka destinacion për peshkimin, është mjaft i vogël dhe i kufizuar. Që në fillim të nisjes së punimeve, peshkatarët kanë patur rezervat e tyre, për projektin pasi nuk i përmbush kushtet për strehimin e të gjitha anijeve të peshkimit. Ai ishte menduar që të strehonte 220 mjete, por ai nuk e ka këtë kapacitet. Në basenin e brendshëm manovrat janë mjaft të vështira për t’u bërë, sidomos për anijet me rreth 40 metra gjatësi, ndërkohë që janë 120 mjete që kanë këtë gjatësi. E ndërsa Ministria e Bujqësisë po përmbush detyrimin dhe premtimin e saj për naftën pa akcizë ndaj peshkatarëve, duket se këta të fundit nuk janë gati ta marrin atë, sepse figurojnë debitorë ndaj shtetit. Ata nuk janë në gjendje që të përmbushin detyrimet fiskale në mënyrë që të sigurojnë naftën e dëshiruar me çmim të lirë. Disa muaj më parë, peshkatarët arritën të përfitojnë naftë pa akcizë për anijet e tyre. Por kushtet e vëna nga ministria përkatës i ka detyruar peshkatarët të vazhdojnë të funsionojnë si më parë. Për të siguruar naftë pa akcizë anijet duhet të ketë shlyer disa detyrime financiare sikurse janë pagesa e licencës, shlyerja e tatimeve, pagesa e sigurimeve shoqërore si dhe pagesa e tarfiës së regjistrit detar. Të gjitha këto arrijnë disa milionë lekë pasi janë për tu paguar dy vjet detyrime gjatë të cilëve sektori i peshkimit thuajse nuk ka punuar.

Nafta pa akcizë

Bazuar në një VKM ka nisur furnizimi me naftë pa akcizë ndaj atyre peshkatoreve që janë “OK” me detyrimet ndaj shtetit. Dy autobotë vijnë disa herë në javë dhe furnizojnë anijet e peshkimit. Por peshkatarët mendojnë se “do të ishte shumë më praktike vendosja e një rezervuari të madh dhe ndërtimi i një distrubutori me dy apo tre aparate sikurse ngjet në portet jashtë vendit thonë në peshkim”. Në kushtet kur peshkatarët nuk kanë financa të shëndosha, pjesa më e madhe e anijeve 95 nga 127 që është e gjithë flota vazhdon të mbijetojë duke e siguruar naftën në portet italiane apo greke. 

Shoqata e Peshkimit jep alarmin: “Merluci po zhduket nga ujrat tona”

Një tjetër problem mbetet zhdukja e specieve nga brigjet tona. “Merluci rrezikon zhdukjen nga ujërat e Adriatikut”. Kërcënimi vjen nga anijet e huaja të peshkimit që vijnë të gjuajnë në ujërat shqiptare gjatë periudhës së shumimit të peshkut, periudhë kjo gjatë së cilës në vendin e tyre nuk i hedhin dot rrjetat në det. Sipas Dispeçerisë së Peshkimit “ujërat tona janë shumë më të pasura me peshk sesa ato të vendeve fqinjë, kjo pasi në një kapësirë të vogël të bregdetit Adriatik kanë grykëderdhjen e tyre lumenjtë Buna, Mati, Erzeni, Shkumbini, Semani, ujërat e të cilëve sjellin sasi të bollshme ushqimi për peshqit”. Pikërisht kjo pasuri ka tërhequr shpesh vëmendjen e peshkatarëve të huaj të cilët jo rrallë kanë hyrë të peshkojnë në ujërat tona, madje duke përdorur edhe metoda të ndaluara të gjuetisë. Përdorimi pa kriter i tratave fundore, të cilat lënë shumë pak hapësira për peshqit e vegjël, mund të shkaktojë brenda disa vjetësh zhdukjen e rezervave natyrore të peshkimit, këtij sektori që në mënyrë direkte apo indirekte punëson mbi 5 mijë persona në Shqipëri.Peshkatarët e dinë se përdorimi i këtyre tratave nuk mund të bëhet në një distancë më të ulët se 45 metra nga tabani i detit, ndryshe ky mekanizëm mbledh edhe larvat e rasatin, duke dëmtuar rëndë ekosistemin.Edhe të huajt e dine që në vendin e tyre sin ë Itali, Greqi, apo vende të tjera nuk gjuajnë dot me këtë mënyrë, por në ujërat shqiptare e aplikojnë, duke dashur të mbushin rrjetat plot dhe shpejt e të largohen me shpejtësi, duke përfituar nga gjendja e mirë e anijeve që disponojnë.Shpesh ka qëlluar të kapen nga anijet luftarake shqiptare në ujërat tona e të gjobiten nga autoritetet shqiptare, por të tjera hyjnë sërish në ujërat tona. Fenomeni është më i dukshëm në muajt mars-prill, që përkojnë edhe me sezonin e ndalimit të gjuetisë së disa llojeve të peshkut në vendet fqinjë, për t’u dhënë mundësi peshqve të riprodhohen. Paralajmërimi nuk është fantazi e peshkatarëve, por një realitet që është vërtetuar edhe në vende të tjera, pasi në Danimarkë dhe Norvegji, vende tradicionalisht të pasura me këtë lloj peshku, ai pothuajse është zhdukur si pasojë e gjuetisë së shfrenuar dhe jashtë rregullave. Kërcënimi në Shqipëri është evident në ujërat e Gjirit të Vlorës, por edhe në bregdetin e Shqipërisë së Mesme deri në Shëngjin. Merluci është një nga peshqit jo vetëm më të shijshëm, por edhe më delikatë e që i ndjen ndër të parët pasojat e ndryshimeve në ekosistem apo të gjuetisë së paligjshme. Një dorë e fortë nga ana e shtetit shqiptar që do të ndëshkonte rëndë ata që gjuajnë në mënyrë të paligjshme në ujërat tona, do të ishte një ndihmë e madhe për peshkatarët shqiptarë, për ambientin dhe për ekonominë kombëtare. Njëherësh mbështetja nga shteti, do të afronte tek konsumatori shqiptar peshkun e vendit, të ujrave tona, që po “zhduket” çdo muaj dhe çdo vit si me magji.