Flet Prof. Lush Susaj: Shqipëria ndodhet nën krizën e korrupsionit politik e hajdutëror

322
Sigal

Kriza aktuale nuk zgjidhet me borde marifetesh e as me marifete shokësh

-Krizën aktuale nuk mund ta zgjidhin 3000 lek shtesë për familjet në nevojë, kur Greqia po shpërndan nga 300 euro në muaj

  • Kriza jonë ka për bazë korrupsionin, jo thjesht ngjarjet në Ukrainë
  • Praktika e përdorimit të fatkeqësive natyrore e njerëzore, thjeshtë për të shtuar dozën e mashtrimit, varfërisë dhe korrupsionit qeveritarë, duhet të marrë fund sa më parë
  • – Shqipëria ka pësuar fatkeqësi natyrore apo të shkaktuara nga hajdutëria, ku ministrat, drejtorët dhe deputetët kanë pozuar duke fërkuar duart
  • – Nuk ka familje shqiptare, që nuk e ka provuar demagogjinë mbi shërbimin shëndetësor falas
  • Ku kanë shkuar donacionet për reformimin e ekonomisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese
  • Korrupsioni ndodhet në të gjitha nivelet e qeverisjes politike dhe ekonomike, si dhe shihet abuzim i hapur me taksat, fondet dhe investimet
  • – Këto krime ekonomike e politike, kanë ndodhur dhe po ndodhin nën hundën e një administrate të tejfryrë në numëra e në nepotizëm
  • Kriza aktuale në Shqipëri është krizë që ka filluar kohë më parë, e shkaktuar nga korrupsioni, imoraliteti politik jo nga Ukraina
  • Ka filluar një përpjekje e dëmshme dhe e dështuar për ta kaluar edhe këtë rast njëlloj sikurse protestën studentore të viteve 2018-2019.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah shumë dobësi të qeverive në botë. Së pari kjo luftë ka treguar se në shumë shtete të varfëra qeveritë nuk kanë parë në perspektivë, nuk kanë parë rezervat, mirëqëniaene popullit, por mbushjen e xhepave të tyre. Kjo luftë tregoi se rezervat e shumë shteteve janë zero dhe se janë të papërgatitura për luftë me mëndjen e mbledhur se çdo gjë do ta bëjë NATO dhe vetëm NATO. Në Shqipëri lufta në Ukrahinë i nxorri më së shumti në shesh këto probleme të qeverive shqiptare në 32 vjet demokraci. Dhe populli nuk duroi dhe u ngrit në demostrata. Dhe pse në demokraci qeveritarëve tanë nuk u pëlqeu kjo shfryrje ndaj padrejtësive, që u është bërë masave të popullit. Dhe reagimi i qeverisë apo kryeministrit Rama qe i menjëhershëm: Ata që ngrihen në këtë situatë janë të paguar. Po rezultati është krejt ndryshe, -thekson në këtë intervistë Prof. Susaj

 

-Reagimi i shoqërisë civile pas ngritjes galopante të çmimeve qe i menjëhershëm. Si do ta përkufizoje situatën apo krizën në Shqipëri pas fillimit të luftës në Ukrainë?

Kriza jonë është ndryshe pasi ka për bazë korrupsionin, jo thjesht ngjarjet në Ukrainë.Në Shqipërinë me rreth 2,8 milion banorë, e me potenciale të jashtëzakonshme ekonomike dhe energjitike, kriza aktuale nuk ka për bazë dhe nuk mund të justifikohet thjeshtë me ngjarjet e ditëve të fundit në Ukrainë. Praktika e përdorimit të fatkeqësive natyrore e njerëzore, thjeshtë për të shtuar dozën e mashtrimit, varfërisë dhe korrupsionit qeveritarë, duhet të marrë fund sa më parë. Të tilla praktika i kemi parë dhe përjetuar shumë herë në këto 32 vite, ku sa herë që Shqipëria ka pësuar fatkeqësi natyrore apo të shkaktuara nga hajdutëria, ministrat, drejtorët dhe deputetët kan pozuar duke fërkuar duart, për ti futur sa më thellë në thesin e investimeve dhe ndihmave të dhena nga buxheti i shtetit dhe nga vëndet e botës demokratike. Nuk ka banorë në Republikën e Shqipërisë që nuk e ka parë e dëgjuar mënyrën se si janë hartuar listat për dëmët e shkaktuara nga tërmeti, dhe ajo që ka ndodhur me fondet e adresuara për ndërtimet e reja dhe rikonstruksionet, nga ku u prodhuan aq shumëhistori tëkorrupsionit politik. Nuk ka familje shqiptare që nuk e ka provuar demagogjinë mbi shërbimin shëndetësor falas dhe atë për rimburësimin e medikamentëve në përballimin e nevojave kundër pandemisë. Nuk ka specialist e as banorë që të mos e ketë kuptuar shumën e donacioneve dhe investimeve të bëra nga ana e BE, SHBA, buxhetit të shtetit, etj, për reformimin e ekonomisë dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese, por qënë faktpërfunduan në fonde dhe investime të gllabëruara nga korrupsioni me anë tëdosjeve fiktive dhe shpërblime të patronazhistëve, nga ku është prodhuar vetëm varfëri dhe krizë politike. Këto krime ekonomike e politike, kanë ndodhur dhe po ndodhin nën hundën e një administrate të tejfryrë në numëra e në nepotizëm, korrupsion dhe injorancë administrative e menaxheriale. Korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes politike dhe ekonomike, si dhe abuzimi i hapur me taksat, fondët dhe investimet, duket që ka shkaktuar rrënimin e thellë të ekonomisë dhe tëinstitucioneve tona politike e shtetërore.

Gjithë kjo lloj demagogjie çfarë ka sjellë?

E gjithë kjo mynxyrë shoqërore, politike dhe ekonomike, pikë së pari ka për bazë goditjen që i është bërë demokracisë përfaqësuese dhe makanizmit të votës së lirë, në mënyrë të veçantë nuk mund të mbulohet ajo që ka ndodhur me 25 Prill 2021, dhe pasojat që vijë pas. Bashkë me dhunimin e votës së lirë dhe të zgjedhjeve demokratike, duket sikur po mbyllet çdo mundësi e zgjidhjes demokratike të krizave politike dhe ekonomike (sikurse është kriza aktuale), përmes qarkullimit demokratik të elitave, të ideve dhe të projekteve politike. Për këto e të tjera arsye, kriza aktuale në Shqipëri është krizë, që ka filluar kohë më parë, e shkaktuar nga korrupsioni, imoraliteti politik dhe keq qeverisja e potencialeve tona të punësimit dhe të prodhimit kombëtarë. Mashtrimin, demagogjinë dhe sjelljen sofiste ndaj shkaqeve dhe mjeteve reale të zgjidhjes së kësaj krize, nuk e beson dhe nuk e dëshiron ta dëgjojë askush. Në thelb, vëndi ynë ka nevojë jetike për dialog, për unitet dhe për zgjidhje demokratike. Arroganca dhe tendencat për ta gjetur shkakun e krizës tek ngjarjet në Ukrainë, e përkeqësojnë krizën, duke e thelluar dhe agravuar atë deri në konflikt civil ose në degradimin e jetës politike në diktaturë kakistokratësh orientale.

U fol për paketë ndihme, u fol për masa nga qeveria, por në të vërtetë si mund të zgjidhet kjo krizë?

Së pari dua të them se kriza aktuale nuk zgjidhet me borde marifetesh e as me marifete shokësh.Për të ndërtuar dhe zbatuar një program të menaxhimit dhe zgjidhjes efektive të krizës, puna do të duhej të fillonte me një analizë racionale dhe debat të hapur mbi shkaqet reale të krizës. Që do të thotë se nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të dobishme e afat gjatë pa u ballafaquar me të vërtetën e korrupsionit dhe me keq qeverisjen. Kriza dhe varfëria në Shqipëri, nuk kanë lindur dje dhe as në ditën që Rusia sulmoi Ukrainën. Përkundrazi, Shqipëria ka kohë që është në një krizë të thellë ekonomike dhe politike, por që doli më në pah për shkak të ngjarjeve të fundit në Ukrainë. Varfëria e shkaktuar nga korrupsioni dhe keq menaxhimi i pasurisë kombëtare nga ana e të përkëdhelurve të politikës së monopoleve, vetëm sa e nxjerr më në pah krizën reale, duke e bërë që të duket ashtu siç është, krizë e mungesës së demokracisë dhe mungesës së përfaqësimit demokratik. Për fatin e keq, kjo e vërtetë, akoma nuk po pranohet dhe nuk po dëgjohet si duhet nga drejtuesit e lartë të politikës shqiptare. Për më keq, ka filluar një përpjekje e dëmshme dhe e dështuar për ta kaluar edhe këtë rast njëlloj sikurse protestën studentore të viteve 2018-2019. Kohë kur u shpik edhe i ashtuquajturi “Pakti për Universitetin”, por që sot pas 4 vitesh, situata e shkollës, e universiteteve dhe e nxënësve dhe studentëve duket që është përkeqësuar edhe më shumë dhe në çdo gjë. Në këtë kontekst, unë mendoj se edhe shpikja e bordeve të marifeteve apo përdorimi i marifeteve të shokëve të tenderave dhe kontratave konçensionare, nuk e zgjidhin krizën. Përkundrazi rrezikojnë që ta thellojnë atë deri në përmasat e marrisë kolektive.

-Pra paketa ndihmëse prej 3000 lekësh në muaj a mund të ndihmojë familjet në nevojë për uljen e varfërisë?

Unë mendoj se krizën aktuale nuk mund ta zgjidhin 3000 lek shtesë për familjet në nevojë, kur Greqia po shpërndan nga 300 euro në muaj. Nuk e zgjidhin as marifetet mbi TVSH-në, dhe as me urdhërat për uljen e çmimit të naftës, etj, që të gjitha ndërhyrje që nuk e prekin aspak burimin e as shkakun real të krizës. Në Shqipëri, kriza ka mbirë dhe është rritur përpara ngjarjeve tragjike në Ukrainë. Nëse kalojmë pak përtej krizs aktuale të votës dhe të përfaqësimit demokratik, do të kuptojmë se si kriza aktuale e punësimit, prodhimit dhe konsumit, ka për bazë korrupsionin dhe shpërdorimin galopant të burimeve energjitike dhe të burimeve të prodhimit bujqësor.

Kriza aktuale nuk mund të zgjidhet me urdhëra e as me borde administrimi të ndërtuara në mënyrë të njëanëshme, pa përfaqësues nga publiku e as nga ekspertiza e pavarur. Për mua është demagogji paraqitja apo propagandimi si një zgjidhje e mirë e naftës çmimi 217 lekë/litër. Në këtë kohë nafta pritej dhe duhej që të ulej në minimumin e mundshëm, në 170-180 lekë/litër. Kjo për shkak se Shqipëria ka një përvojë të gjatë në nxjerrjen dhe në përpunimin e naftës të tokës së saj, ku në vite të veçanta ka shkuar deri në 2,4 milion fuçi në vit. Shqipërisë, kriza për naftë i ka ardhur e do t’i vijën ga hajnia dhe korrupsioni me industrinë dhe infrastrukturën e tregut të naftës. Në thelb është krizë që buron nga korrupsioni dhe falja e kësaj pasurie kombëtare kompanive klienteliste, që erdhën me duar në xhepa, e që po e vjedhin e shkatërrojnë në mënyrën më barbare, kuptohet me bekimin e politikës korruptive dhe obskurantiste të qeveritarëve tanë. Me këtë protestë, çmimi i naftës është ulur me 20-30 lekë/litër, por kjo nuk është ajo që duhet të ishte, e që mund të realizohet nga çdo qeverisje qëllimmirë për qytetarët e saj. Na thuhet që nafta për fermerët do të jetë pa akcizë, por prap se prap mbetet një çmim më i lartë se në vëndet e rajonit, sikurse janë Kosova, Maqedinia e Veriut, etj. Të njëjtën situatë abuziviste e korruptive e kemi edhe në rastin e krizës së drithërave dhe produkteve bujqësore. Shqipëria që kultivonte rreth 200000 ha me grurë, sot nuk ka as ¼ e sipërfaqes. Shqipëria që merrte rreth 63kv/ha, aktualisht ka shkue deri në atë pikë, ku në disa parcela rendimenti në Lushnje arriti në 27 kv/ha. Që në ditën e parë, Kosova doli dhe publikoi faktin që rezerva e saj në miell dhe në grurë është për 5 muaj. Ndërsa Shqipëria akoma nuk ka folur, ndërsa e rriti çmimin e miellit dhe të bukës në mënyrë abuzive e që në ditën e parë të rritjes së grurit në bursën ndërkombëtare. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të korrupsionit me ish fabrikat e miellit dhe me liçensat e import-eksportit, të dhëna për ata njerëz që në vënd që të njohin popullin dhe ligjin për sovran, njohin deputetin, ministrin apo kryeministrin e radhës si zot të pasurisë e deri dhe të kafshatës së gojës së banorëve të varfër. Zgjidhja nuk ka nevojë që të shpiket e as që të kërkohet shumë larg. Përkundrazi, mund ta mësojmë në Kosovë dhe në të gjitha vëndet e tjera të rajonit. Kujtoj faktin që nëse në Kosovë u vendos menjëherë që fermerët të subvencionohen me 400-500 euro për çdo hektarë të mbjellë me drithëra, në Shqipëri kjo mbeti në masën 200 euro/ha, pa llogaritur këtu diferencën në çmimin e naftës, në mekanizimin e punës, etj. Pasojat e thella të korrupsionit dhe të keqmenaxhimit të gjatë, me patjetër, që kërkojnë zgjidhje shkencore e të qëndrueshme. Në këtë këndvështrim, është koha që prodhimi i drithërave dhe kulturave të tjera bujqësore, duhet të shpallen si përparësi kombëtare, në mënyrë që vëndi ynë të mos mbetet peng i luftërave e as i dëshirave të Open Balkan në kohë krize. Bujqësia dhe ekonomia jonë kombëtare në përgjithësi, duhet të menaxhohen nga ligji dhe nga profesionistët, e jo nga marifetet dhe as nga marifetçijtë e klientelizmit politik. Nuk është aspak e vështirë që të kuptohen shkaqet reale të krizës dhe rruga e zgjidhjes së tyre. Është koha që të lutemi për reforma dhe për zgjidhje të qëndrueshme.

Deklarata e kryeministrit Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat në Shqipëri për rritjen e çmimeve i shërbejnë Rusisë. Në një takim me pensionistët, kreu i qeverisë deklaroi se protestat janë të organizuara nga politika. Kreu i qeverisë thotë se rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë dhe në asnjë vend, ku janë ndjerë pasojat e luftës nuk dalin në protesta. “Por kjo është turp. Është një trup i pashoqë i të gjitha atyre që e nxisin, që nuk kanë trup. E kanë bërë divorcin me turpin dem baba dem dhe ju e dini kush janë. Keqardhje për ata që i sjellin nga gjithë anët e Shqipërisë, të paguar nga kush? Kush i paguan naftën atyre autobusëve, i paguajnë ata të shkretët që vijnë me dy gishta kështu. Ne i dimë kush janë, janë për keqardhje, por turp edhe ata që mbështesin këtë protestë. Është një protestë që e shëmton Shqipërinë, që e turpëron shqiptarin. Ka pasur një shok të rritjes së çmimeve që kur ka filluar lufta, por çfarë do bëjmë ne sikur kjo histori të vazhdojë me muaj dhe vite. Do dalim të hamë njëri – tjetrin në rrugë? Si mund të jemi ne i vetmi vend që dilet dhe protestohet për pasojat e luftës mbi çmimet, ku në asnjë vend tjetër ku efektet janë njësoj dhe të gjithë janë të shqetësuar të dalin njerëzit për të protestuar kundër luftës, këtu bëhet një protestë që mund ti pëlqeje Rusisë. Kjo është një nga pjesët e strategjisë të  asaj lufte. Që njerëzit që mbështesin Ukrainën të dalin në protesta ekonomike dhe më pas të harrojnë se çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës, por i Evropës”, tha Rama.