Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Profesorë e studentë të Shqipërisë, mos ikni, por reagoni për shkollën shqipe

225
Sigal

– Profesorë e studentë të Shqipërisë, mos ikni, por reagoni për shkollën shqipe.

– Ikja nuk është zgjidhje, shpopullimi është mjerimi i Shqipërisë.

-Shumë pedagogë të zhgënjyer, po rikthehen në vendet e BE, apo ikin drejt SHBA, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë.

– Kjo dukuri dëshpëruese ka ndodhur dhe po ndodh vetëm për shkakun e varfërisë, të frikës, të shantazhit, të korrupsionit dhe të nepotizmit.

– Shohim që çdo ditë po rrënohen kapacitetet akademike dhe intelektuale të shkollës dhe universiteteve, duke e rrokullisur gjithë sistemin arsimor.

– Sikurse kolegët tanë në Europë, le të reagojmë për ligjet dhe të drejtat e mohuara.

–  Tek ne gjatë protestave, sindikata dhe protestuesit përgojohen, bullizohen dhe mënjanohen, duke ua vështirësuar edhe më shumë punën dhe jetën.

– Të korruptuarit nuk duan të kuptojnë faktin që për të përgatitur një pedagog të mirë të një fushe të caktuar të prodhimit, duhen mbi 30-40 vite.

– Financimi i universiteteve dhe shkollave, ku kjo maxhorancë erdhi në pushtet premtoi 5% të GDP, ndërsa janë dhënë vetëm 2,5%.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Universitetet në Shqipëri, në mos për të furnizuar tregun e punësimit vendas, po kontribuojnë në mënyrë të vazhdueshme në përgatitjen e studentëve për tregun e huaj. Por jo vetëm studentët, por edhe pedagogët e përgatitur po ikin jashtë vendit. Po largohen intelektualët nga vendi. Pedagogët ikin nga publiku në privat. Problem janë pagat e ulëta, indiferenca e shtetit për laboratorë, ambientet dhe kushtet e jetesës për studentët. Duke përjashtuar pagat dhe largimin e intelektualëve është edhe problemi i sigurisë dhe shëndetit në punë. Po ashtu problem janë mjetet e punës në vendin e punës. Shumë pedagog të tjerë, të cilët kanë ardhur dhe pasi punuan 2-3 vjetë në universitetet tona, tepër të zhgënjyer u rikthyen në vendet e BE, apo ikën drejt SHBA, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë. Këto janë disa nga temat, që do trajtohen në intervistën e Prof. Lush Susaj.

-Disa herë kemi diskutuar që shumë pedagogë të rinj, të cilët janë përgatitur në universitetet tona, por që janë specializuar jashtë disa vite, pas specializimit largohen sërish për të mos ardhur më kurrë. Si mendoni ju që jeni vetë pedagogë: a është rruga më e mirë që zgjedhin ata?

 

-Për mendimim tim ikja nuk është zgjidhje, shpopullimi është mjerimi i Shqipërisë. Për të sqaruar idenë time po sjell një takim që pata këto ditë pikërisht në datën 06 shkurt 2023 (ora 10 e 30 minuta), me njërin nga pedagogët më të mirë të universitetit ku kam studjuar, e ku punoj prej vitesh. Është fjala për një pedagog dhe familjarë të ri, i cili pak vite më parë është kthyer nga specializimi dhe puna në institucionet arsimore të BE. Pasi diskutuam mbi javën e 15-të të mësimit, dhe mbylljen e rezultateve të semestrit të parë të vitit akademik 2022-2023, profesori fjalëpakë, fisnik e shumë modest, fjalë për fjalë me tha: “Profesor, unë nuk po mundem me dalë më. Tashmë unë e kam marrë vendimin për t’u larguar, pasi këtu nuk po shof dritë në fillim e as në fund të tunelit”. Të tillë bisedë dëshpëruese kam patur edhe me shumë pedagog të tjerë, të cilët erdhën e pasi punuan 2-3 vjetë në universitetet tona, tepër të zhgënjyer u rikthyen në vendet e BE, apo ikën drejt SHBA, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë. Kjo dukuri dëshpëruese ka ndodhur dhe po ndodh vetëm për shkakun e varfërisë, të frikës, të shantazhit, të korrupsionit dhe të nepotizmit që po dominon politikën dhe administratën. Unë i kam vuajtur mbi lëkurën time hetuesinë, ligësinë dhe gjyqet e dosjeve të montuara të komunizmit. Më datën 5 shkurt 2023, janë mbushur fiks 35 vjetë (1988-2023), nga gjyqi komunist ndaj meje. Por sa herë që dëgjoj për largimin e rinisë studentore e shkollore, e sidomos të pedagogëve dhe mësuesve të Shqipërisë, nuk mund të hesht, e të mos kujtoj e flas që kjo situatë është edhe më e rëndë se në komunizëm. Unë e ndjej përgjegjësinë time shoqërore e intelektuale për të reaguar e apeluar që shqiptarët të flasin e të rezistojnë kundër korrupsionit, krimit dhe degradimit të shtetit. Kjo për faktin që nga ikja nuk vjen asnjë zgjidhje e mirë, përkundrazi po rrënohen tokat dhe institucionet e Shqipërisë. Kujtoj faktin që në Britani, në Francë, në Belgjikë, etj, aktualisht po protestohet për pagat dhe kushtet e punës. Ndërsa në Shqipëri, vetëm për shkak të frikës dhe shantazhit, deri edhe me bukën e gojës, po heshtet dhe njerëzit po drejtohen për nga alternativa e ikjes dhe mos përballjes me sistemin e korruptuar. Për këtë arsye, shohim që çdo ditë po rrënohen kapacitetet akademike dhe intelektuale të shkollës dhe universiteteve, duke e rrokullisur gjithë sistemin arsimor e universitar në fiktivitet dhe pamundësi totale për të kryer misionin e edukimit qytetarë dhe professional të rinisë, dhe të popullsisë në përgjithësi. Në këtë mënyrë, është stopuar drejtimi, llogaridhënia dhe funksionimi demokratik, kanë dështuar edhe ligjet e reformat, ato ekzistojnë vetëm në letër. Unë vazhdoj të besoj që ikja nuk është zgjidhja e duhur. Duke heshtur dhe ikur, vetëm sa ja zgjatim edhe më shumë jetën hajdutërisë dhe korrupsionit. Duke heshtur dhe ikur, vetëm sa e shkatërrojmë edhe më shumë shtetin dhe kombin shqiptar.

-Flitet shumë për mos largimin e trurit. Madje ka vite që po bien këmbanat e alarmit. Kjo për arsye se shteti hesht dhe vetëm disa intelektualë po e ngrenë zërin. Për mendimin tuaj cila është rruga e zgjidhjes së këtij problemi madhor për të ardhmen e kombit?

 

E para: Sikurse kolegët tonë në Europë, le të reagojmë për ligjet dhe të drejtat e mohuara. Në vendet më të zhvilluara të Europës, pedagogët dhe mësuesit janë ngritur në protestë për pagat dhe për kushtet e punës. Në asnjërin nga vendet ku po protestohet, shohim që nuk ka përgojime e as shantazh e frikë mbi sindikatat dhe stafet pedagogjike. Përkundrazi shteti dhe politika po bën bisedime për reformimin dhe zhvillimin e sistemit arsimor të këtyre vendeve. E kundërta ndodh në Shqipëri, ku sindikata dhe protestuesit përgojohen, bullizohen dhe mënjanohen, duke ua vështirësuar edhe më shumë punën dhe jetën. Të korruptuarit nuk duan të kuptojnë faktin që për të përgatitur një pedagog të mirë të një fushe të caktuar të prodhimit, duhen mbi 30-40 vite shkollë e përvojë pune, e kakistokratëve as që ua ndjen fare kur shteti humbet intelektualët.

Në vazhën e kësaj sjellje antiarsim e antishkollë, qeveria jonë, edhe pse kanë kaluar mbi 5 muaj nga premtimet, shohim që nuk po i zgjidh as pikat më elementare të peticionit të SPUSH-së, për të cilat është ra dakord që në takimin e zhvilluar në shtator 2022. Kujtojmë faktin që, pavarësisht nga premtimi i ministres së arsimit, përveç fjalëve dhe propagandës boshe, në realitet nuk ka asgjë tjetër. Mjafton që të kujtojmë që pagat e pedagogëve nuk janë rritur sikurse sindikata e universiteteve ka kërkuar. Sikurse dihet pagat e stafit ndihmës akademikë, akoma nuk janë rritur me asnjë qindarkë. Në këtë mënyrë, pagat tona, jo vetëm që nuk janë si në Europë, por aktualisht janë 30-40% më të ulëta edhe se pagat në Kosovë. Edhe shtesa e pagës për vjetërsinë në punë mbeti një premtim në letra, duke e demotivuar edhe më shumë punën dhe karrierën e përsonelit. Nuk realizuan as kërkesat dhe premtimet për financimin e kërkimit shkencor, dhe as ato për rregullimin e ligjit mbi karrierën akademike dhe marrjen e titujve akademikë. Përkundrazi, sikurse të gjitha ligjet dhe VKM –të, po na vijnë nga lartë (e të padiskutuara me stafet akademike), e ku karriera e stafeve është vështirësuar dhe po bëhet gjithnjë e më interesante, pa ligje të qëndrueshme dhe pakuptim. Kështu që pedagogët e rinj dhe studentët, nuk po shohin asnjë dritë e rregull as për karrierën, rregullat e të cilës po ndryshojnë nga lart, e jo në interes të institucioneve. Akoma më keq është katandisur edhe financimi i universiteteve dhe shkollave, ku kjo maxhorancë erdhi në pushtet duke premtuar 5% të GDP. Ndërsa janë dhënë vetëm 2,5%, nga ku mbi 55% e këtyre parave janë adresuar për investime me mundësi abuzimi e përvetësimi korruptiv. Që do të thotë se tek studentët, nxënësit dhe pedagogët, nuk është investuar më shumë se 1%, apo 5 herë më pak nga sa është propaganduar.

-Pra ju mendoni se ky moment është thembra e Akilit e largimit në masë të pedagogëve dhe studentëve ekselentë?

Sigurisht! Këtu buron edhe emigrimi i rinisë për t’u arsimuar jashtë, por edhe ikja pa kthim e pedagogve dhe mësuesve më të mirë të vendit. Këtu buron ajo ikja çdo vit e mbi 12000 studentëve  për të mësuar jashtë, e ku vetëm në këto 30 vjet janë mbi 300000 të arsimuar në universitetet jashtë vendit, por që nuk guxojnë të mendojnë kthimin dhe as punën e tyre në Shqipëri. Në këtë mënyrë, shohim se si po mbushim universitetet e botës, duke zbrazur dhe shkatërruar universitetet shqiptare, e kjo për interesin e ngushtë të klaneve nepotike e hajdutërore, e kudo në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë mënyrë mund të sjellim fakte pa fund, për fatin e keq të shkaktuara nga mungesa e gjatë e reformave dhe degjenerimi i shtetit dhe politikës në monizëm, në krime e në korrupsion. Politika dhe institucionet arsimore të Shqipërisë duhet të kuptojnë faktin që nxënësit dhe studentët e Shqipërisë, dëshirojnë që të punojnë e jetojnë në vendin e tyre. Por edhe studentët dhe pedagogët e Shqipërisë, duhet të kuptojnë faktin që zgjidhja dhe zhvillimi nuk vjen duke ikur, as duke heshtur e as duke kyçur gojën përballë degradimit të arsimit dhe misionit të tij kombëtar.

Largimi maturantëve

1260 maturantë më shumë se vitin e kaluar kanë aplikuar për studime jashtë vendit në vitin 2022. Arsyeja kryesore e largimit për studime në BE është profesionalizmi.

Shkak i kësaj zgjedhjeje tregon se është mundësia e arritjes dhe zhvillimit të lartë profesional në universitetet prestigjioze në Gjermani apo Itali në degët që ato synojn mjekësinë apo ekonominë. Duke parë situatën kryeminsitri Edi Rama në një takim me studentë e ekselencës, ( në 21 tetor 2022) ka ashpërsuar masat me qëllim ndalimin e largimit të të rinjve në Gjermani e shtetet e tjera. Ai theksoi se të diplomuarit për mjekësi e infermieri nuk do e marrin dokumentin e diplomës. Në atë takim me studentë e ekselencës, Rama (dha detaje) tha se atyre do t’iu bllokohet diploma për 3 vite me qëllim që të punojnë këtu. Nga ana tjetër ai tha se nuk do ketë më bursa dhe mbështetje financiare për të studiuar jashtë shtetit. Kryeministri tha se do mbështeten ata që studiojnë në universitetet shqiptare. “Midis 200-400 do japim një pagë për çdo një prej jush. Por asnjë nuk do e marrë diplomën para 3 vitesh. Je mjek, do punosh këtu, pastaj do marrësh diplomën, e pastaj je i lirë të ikësh jashtë. Do punojmë që ta bëjmë për lëndët prioritare edhe të tjerat. Nuk vazhdojmë dot më kështu. 3 vite punë në vendin tonë, e bëjnë më të fortë kandidaturën tënde. Në vend se të ikësh direkt sapo të kesh mbaruar shkollën. Tjetra e rëndësishme është që universiteti po ndryshon. Më vjen mirë që numri juaj që kanë vendosur të studiojnë këtu, këtë vit është më i madh se në të shkuarën. 87% do studiojnë në Shqipëri. Nuk keni bërë gabim”, tha ai. Disa ditë më parë ishte ministrja e Arsimit Evis Kushi, ajo e cila njoftoi se studentët ekselentë që pajisen me bursa studimi me vlerë sa paga minimale do të jenë të detyruar të qëndrojnë dhe të punojnë në Shqipëri të paktën edhe tre vite pas diplomimit. Ajo tha se janë ofruar bursa studimi me vlerë sa paga minimale për studentë të shkëlqyer edhe për ata studentë që kanë zgjedhur programet prioritare. Por ama kemi vendosur një kusht që pasi “87% e studentëve ekselentë kanë vendosur të studiojnë këtu në vendin tonë. Në bashkëpunim me universitetet po punojmë për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe që Shqipëria të mos rrezikojë që shumë prej jush t’i ketë larg. Kemi ofruar bursa studimi me vlerë sa paga minimale për studentë të shkëlqyer edhe për ata studentë që kanë zgjedhur programet prioritare apo ata që kanë fituar olimpiada ndërkombëtare. Por ama kemi vendosur një kusht që pas diplomimit të vazhdoni të qëndroni këtu të punonin edhe për të paktën tre vite”, deklaroi Kushi. Por me sa shihet edhe këto masa nuk e kanë ndaluar hemoragjinë. Studnetët ekslentë dhe pedagogët po marrin sërish arratinë. Kjo mënyrë të ndaluari duhej kapur shumë më shpejt. Tani çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit.