Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Pedagogët kërkojnë rritje page, e jo demagogji për strategji e pritje pa fund

204

Protesta e pedagogëve, rezultati i takimit me ministren, premtimet e radhës, reagimi dhe paralajmërimi i Sindikatës së Pedagogëve të Universiteteve Shqiptare për bojkotin.

Intervist me Prof. Dr. Lush Susaj, Kryetar i Sindikatës së Pedagogëve të Universitetit Bujqësor Tiranë: Protestat e pedagovë, takimi me ministren Kushi, 9 pikat e peticionit, premtimi se nuk ka rritje page deri në prillin e 2023-it, VKM-ja dhe pse bojkoti është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar prosperitetin e ekonomisë dhe ekzistencën e çështjes kombëtare. Skadimi i afatit më 5 tetor, pse i mbështesim protestat e studentëve, reagimi i BE dhe politikës shqiptare.

Sigal

“Kundërshtarët më të egër të ekzistencës, kanë sulmuar e do të sulmojnë shkollën e universitetin, si zemra e ekzistencës e prosperitetit të ekonomisë dhe të çështjes sonë kombëtare.”

 

Cilat janë konkretisht kërkesat e pedagogëve? Cili është hapi tjetër nëse kërkesat tuaja nuk do të plotësohen?

Në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe, akoma përdoret një fjalë e urtë ku thuhet që: “me të sundue i keqi, është si me të hangër dreqi”. Kjo vlen të thuhet për të gjithë shqiptarët, ku nga njëra anë sundohen, mashtrohen dhe varfërohen nga më të keqijtë e shoqërisë (kakistokratët), e ku nga ana tjetër zhvillimin, imazhin dhe normalitetin e jetës shoqërore e politike, duket që po e kafshon dhe po e shqyen dreqi (korrupsioni, hajnia dhe injoranca e pashembullt e kësaj bote).

Kundërshtarët më të egër të ekzistencës së kombit dhe të shtetit shqiptarë, gjithmonë kanë sulmuar e do të sulmojnë shkollën dhe universitetin, si thelbi, themeli dhe zemra e ekzistencës dhe prosperitetit të ekonomisë dhe të çështjes sonë kombëtare. Ndërsa sundimtarët e njëpasnjëshëm të Shqipërisë së këtyre viteve e dekadave vazhdojnë që të mbyllin sytë, e të bëjnë sikur nuk shohin, nuk kuptojnë e nuk dëgjojnë klithmat e profesorëve dhe universiteteve, që në fakt janë klithmat e arsimit e të rinisë shkollore e studentore shqiptare, që duan shumë pak, vetëm të mund të arsimohen e të jetojnë e punojnë në vendin e tyre, në Shqipëri. Sikurse dihet, që të shkatërrosh një komb nuk ka nevojë të përdoret ushtri e as tanke e bomba. Pasi shkatërrimi më i madh i një kombi, shoqërie dhe shteti fillon me uljen e cilësisë së shkollës dhe me fillimi e fiktivitetit në shkolla, universitete dhe akademi. Profesorët e të gjithë Shqipërisë, po reagojnë për të shpëtuar shkollën nga dekadenca, sepse më mirë se askush tjetër e kuptojnë që shkatërrimi i shkollës është shkatërrimi i kombit. Duke e parë dhe përjetuar nga afër nihilizmin, kaosin dhe moskokëçarjen e qeverisë në lidhje me problematikat reale të shkollave dhe universiteteve publike, SPUSH (Sindikata e Përgjithshme e Universiteteve të Shqipërisë), më në fund reagoi duke hapur diskutimin mbi situatën dhe gjendjen e pagave dhe kushteve të punës në institucionet publike të arsimit. Në përputhje me mundësitë dheme situatën ekonomike e shoqërore të vendit, nga ana e sindikatave të universiteteve publike të Tiranës dhe rretheve, me datën 30 gusht 2022, u hartua dhe firmos një peticion me 9 pika, e që ju dërgua Kryeministrit, Ministrit të Arsimit dhe të gjithë rektorëve, dekanëve dhe drejtuesve të tjerë të universiteteve. Në takimin e datës 23 shtator 2022, ora 15, zhvilluar me Ministren e Arsimit, Znj. Evis Kushi dhe me stafin e saj, janë diskutuar të 9 pikat e peticionit, ku 8 prej tyre (pika 2 deri tek pika 9), u morën përsipër për t’u zgjidhur nga stafi i Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me rektorët, bordet e administrimit, etj, e që deri më sot nuk janë zgjidhur për shkak të mungesës së reagimit dhe të paaftësisë ulëritëse të administratës. Ndërsa për pikën e parë të peticionit, e që ka të bëjë me rritjen e pagës me 30% (e që mori edhe pjesën më të madhe të kohës së debatit), nga ana e ministres së arsimit, na u tha që jemi të angazhuar për ta zgjidhur, dhe se aktualisht po punojmë me Ministrinë e Financave për një strategji dhe paketë rritje, e cila do të përfshijë pedagogët, por me një rritje më të vogël nga sa është kërkuar në peticion. Kjo na tingëlloi si një lojë demagogjike, ku thuhet se prisni sa të bëjmë strategjinë dhe buxhetin për paketën e gjërë të pagave, e aty do të gjeni edhe ca thërrime për pagat e pedagogëve, të pa rritura e të injoruara për rreth 18 vjet me radhë (2004-2022). Sindikata e universiteteve publike e kundërshtoi këtë version, duke kërkuar një VKM për rritjen reale e të menjëhershme të pagës me 30%, e duke përfshirë me patjetër edhe stafin ndihmës akademik. Ministrja e arsimit na e tha troç dhe prerëse rritja e menjëhershme e pagave që ju kërkoni, mund të bëhet vetëm me një VKM, e natyrisht që kjo nuk është kopetencë e saj. Pas këtyre debateve, drejtuesit e SPUSH, aty në tavolinën e bisedimeve të qeta e konstruktive, por edhe para mediave që na prisnin jashtë, deklaruan rrugën e vetme që ka mbetur, e që është protesta dhe rezistencë për të drejtat tona. Kjo është një protestë që na bashkon të gjithëve, e ku është ftuar që të marrë pjesë edhe vetë ministrja e arsimit, që nesër kur të rikthehet profesore, do ta kuptojë që edhe ajo ka përfituar nga reagimi i drejtë i profesorëve për rritjen e pagave dhe për ndryshimin real të situatës akademike dhe menaxheriale në universitetet dhe shkollat publike. Në këtë mënyrë, pas diskutimit dhe mirëkuptimit për 8 pikat e fundit të peticionit (pikat 2,3,4,5,6, 7,8 dhe 9), hapi i radhës për të realizuar pikën më të rëndësishme, atë të rritjes së pagës me 30%, është vazhdimi i reagimit të bashkuar në protestën e datës 5 tetor, ora 11, tek Korpusi Qëndror i Universitetit të Tiranës. Nëse deri me datën 5 tetor do të dalë VKM-ja e duhur për rritjen e pagave, përsëri do të jemi atje, por në këto rrethana për ta falenderuar qeverinë dhe ministren për reagimin dhe zgjidhjen e duhur. Halli i shkollës është halli i çdo shqiptari. Profesorët po reagojnë që të rikthehet normaliteti dhe mundësia e rinisë dhe elitës për të jetuar në Shqipëri. Hamendësimet dhe këndvështrimet e tjera janë mediokritet, janë përçarje dhe pengesa në rrugën e zhvillimit.

“Në takimin e datës 23 shtator 2022, zhvilluar me Ministrën e Arsimit, Znj. Evis Kushi dhe me stafin e saj, janë diskutuar të 9 pikat e peticionit, ku 8 prej tyre u morën përsipër për t’u zgjidhur e që deri më sot nuk janë zgjidhur për shkak të paaftësisë ulëritëse të administratës.”

Çfarë prisni të bëhet më shumë në lidhje me kërkimin shkencor, bazën materiale dhe mundësitë për të zhvilluar orët laboratorike?

Në pikën dy të peticionit është kërkuar rritja e financimit për kërkimin shkencor deri në masën 0,3% të GDP, ku sikurse dihet Shqipëria e ka mbi 10 herë më të ulët se sa financimi që bëjnë vendet e rajonit (Kosova, Mali Zi, etj). Pikërisht, për këtë arsye jemi në këtë situatë të varfër e kaotike me standartet, me cilësinë, me sigurinë ushqimore, fizike, kibernetike mjedisore, etj. Dija bën diferencën, por dija kërkon financim real e jo korrupsion dhe fiktivitet. Dijen dhe akademikët nuk mund t’i emërojë e as t’i shkarkojë partia, e as klani nepotik i radhës. Shqipëria dhe ministria e arsimit në veçanti duhet të financojnë e të kontrollojnë përdorimin e parave publike dhe donacioneve për shkencën dhe teknologjinë. Edhe në ato pak raste kur është financuar ndonjë projekt teknologjik, kudo dhe kurdoherë është gjendur mekanizmi i korrupsionit për të menjanuar shkenctarët dhe specialistët më të mirë të vendit, e për ta degraduar e kaluar financimin tek shokët, tek klani nepotikë, tek mediokriteti militantesk. E sikurse dihet, në fund, këto punë konspirative e të zeza mbyllen me zero efektivitet dhe me një dosje fiktive më shumëna raftin e madh të dosjeve dhe shkresave të kotësisë dhe korrupsionit. Profesorët e vuajnë shumë këtë pjesë, për këtë arsye kërkojnë kontroll dhe transparencë, në mënyrë që të kemi laboratore funksionale e jo dosje fiktive, të kemi aparatura të standarteve bashkëkohore, e jo llamarina të viteve 1970, etj.

Si e komentoni ju largimin e të rinjve nga vendi, a ka ndikuar kjo edhe në mbylljen e disa degëve apo universiteteve?

Le të ndjekim për pak sekoda mënyrën se si ndikon cilësia e shkollës dhe universiteteve në ikjen e dëshpëruar të rinisë dhe të familjeve shqiptare. Shkurt dhe thjeshtë, shkolla ka dy funksione bazike, e që në Shqipëri janë goditur tinëzisht dhe antishqiptarisht që të dyja. E para, shkolla dhe universitetet kanë për funksion edukimin qytetar, për të krijuar njerëz dhe intelektualë reagues, zhvillues, meritues, punëmirë e me moral të lartë në çdo punë e ditë të jetës së tyre. Ajo që po ndodh është se edukimi ka ra, pothuajëse nuk ekziston. Po synohet modeli i njeriut të shushatur, servil, patronazhist dhe kamikaz për dosje e tendera fiktivë. Puna e krahut dhe mendjes, fqinjësia e mirë, bashkëjetesa, respekti ndaj sistemeve të vlerave, etj, nuk janë më pjesë e debatit e as e kurikulave nepër universitetet tona. Madje dhe për një debat 3 minutësh me studentët mbi historinë, kulturën, letërsinë, filozofinë, psikologjinë, etj, akoma pa dalë nga klasa, ka shkuar fjala tek drejtuesit, e që menjëherë varin buzët, bëhen të egër, e kjo vetëm për shkak se nuk dinë asgjë nga këto fusha themelore të edukimit qytetar e shkencor. Pa u zgjatur në këtë trajtesë pa fund, po kaloj tek funksioni i dytë, që është dija dhe profesionalizmi, e ku shkollat dhe universitetet tona janë shumë larg asaj që duhet të ishin. Sikurse dihet, prej më shumë se 20 vjetësh, kurikulat dhe programet mësimore janë bërë për të shpërblyer dhe sistemuar tarafin nepotik pa dije e pa profesion, e jo për të dhënë njohurit e duhura për nxënësit dhe studentët. Në këtë mënyrë, pjesa dërrmuese e studentëve përfundojnë 5 vite shkollë të lartë, e nuk zotërojnë asnjë profesion që të kapin tregun e punës në rajon dhe botë. Madje as sa 6 muaj kurs për berber, këpucarë, orëndreqës, hidraulik, etj. I gjithë ky mjerim me themel vjen për dy arsye, e para nga kurikulat dhe programet totalisht të deformuara, e jashtë kerkesave të tregut të punës. E dyta nga mësuesit dhe pedagogët e tarafit nepotik, që kur nuk kanë asnjë profesion, nuk mund të japin profesione e as të krijojnë kurrë profesionistë. Ndërsa të mos flasim për tregun e punës, ku servilat dhe mërhumat kapin postet, investimet, institucionet, ndërsa elita e mirfilltë bullizohet, fyhet e shantazhohet deri edhe me copën e bukës, ky anormalitet e bën vendin anormal e të frikshëm për të krijuar familjen e për të jetuar. Në këtë ciklon të fortë të fiktivitetit, dehumanizimit dhe defunksionalizimit të shkollës dhe universiteteve, rinia shkollore e universitare është ajo që gjëndet në qendër të ciklonit, e që sikurse po ndodh, duket që po fundoset në oqeanin e pafund të azilit, e m’u para syve të prindërve, e të një shoqërie që bën sehir e që kurrë nuk guxoj që të përballet me të keqen e vet, e që është mosreagimi dhe heshtja degraduese. Në këtë situatë po reagojnë profesorët e Shqipërisë. Po reagojnë ata me fytyrën dhe jetën e tyre të pastër, e pa asnjë peng dhe njollë turpi e korrupsioni. Lëvizja për shkollën dhe universitetin është lëvizje për edukimin, dijen dhe profesionet, e kjo është lëvizje jetike për Shqipërinë. Sikurse po shihet, në universitetet tona publike po mbyllen degët më të rëndësishme e më bazike për ekonominë, e kjo duket që po ndodh për shkak të deformimit që ka shkaktuar politika idiote dhe e korruptuar me administratën, me menaxhimin, me ekonominë prodhuese, me shërbimet dhe me profesionet. Kuptohet që fakultetet, departamentet, por edhe ato arnat e sajuara e të qepura mbi kostumin e universiteteve dhe fakulteteve bazike, në një ditë do të ju vijë fundi. Ndërsa profesionet bazike të jetës do t’i duhen gjithmonë Shqipërisë, e ato nuk mund të mbyllen e as të vdesin kurrë.

“Ministrja e arsimit na e tha troç dhe prerëse rritja e menjëhershme e pagave që ju kërkoni, mund të bëhet vetëm me një VKM, e natyrisht që kjo nuk është kopetencë e saj.”

Si e shihni politikën e kryeministrit Rama për librat falas, kur librat në fund prindërit do të duhet t’i blejnë pasi nuk janë të standardit në të cilin mund të mësohet?

Unë e kam pritur me shumë gëzim lajmin për librat falas, pasi kjo i shërben shkollës dhe familjes shqiptare. E kam përshëndetur këtë veprim të qeverisë dhe të kryeministrit tonë. Ama nuk do të doja kurrë që kjo nismë e mirë të degradojë në “mbeturina falas”, pasi një libër me tabela të plotësuara dhe e zhgarravitur, nuk e kryen punën, e bën nxënësin dembel, kopjac, i mëson nxënësit mashtrimin dhe rendjen pas rrugës së gabuar. Kjo praktikë është goditje për nxënësit, nuk është ndihmë. Kuptohet që administrata jonë është totalisht e ndryshkur, nuk funksionon si duhet, lëviz ngadalë, nuk e zbaton ligjin, është thellësisht politike dhe rend pas humorit dhe interesit të drejtuesit apo të sundimtarit. Sikurse dihet, monizmi krijon frikë, përbindësha e jo kurrë administratë funksionale. Monizmi kërkon dhe krijon zyrtarë servila e gojëkyçur, e jo zbatues të ligjeve dhe shërbëtorë të qytetarëve, e në këtë rast të nxënësve. Librat e përdorura mirë, ato të pazhgarraviturat e me ushtrime të pazgjidhura, mund të grumbullohen e të ripërdoren. Përndryshe, deformimi dhe dëmi që shaktohet tek fëmijët është i madh, e nuk duhet lejuar. Unë mendoj se këtë punë mund ta kryejnë shumë mirë stafet pedagogjike, duke nderuar e ndihmuar nxënësit, shkollën, por edhe kryeministrin për këtë nisëm që duhet të zbatohet mirë.

Ja reagimet e botës akademike, studentëve, politikës dhe BE:

Pedagogët në protestë për rritjen e pagave, afati për Qeverinë 5 tetori

Dhjetëra pedagogë protestuan në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ndërsa kërkonin rritje të pagave. Pedagogët i lanë afat Qeverisë për të marrë një vendim për ta deri në 5 tetor. Pedagogët kanë paralajmëruar se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të ketë edhe bojkot të mësimit nga ana e tyre. Ndërsa kjo protestë është gjetur si legjitime edhe nga shumë ekspertë të arsimit dhe ka marrë mbështetje të gjerë edhe mes pedagogëve. Pedagogët kanë bërë 9 kërkesa në peticion, ku kërkohet që brenda dy viteve të arrihet niveli i pagave të Universiteteve publike të Kosovës. Pedagogët evidentuan në protestë se pagat e tyre nuk kanë pasur rritje që nga viti 2005 dhe se të gjitha fondet që merren nga Bashkimi Europian ndahen mes atyre që kanë pushtet dhe shkolla dhe pedagogët nuk kanë asnjë përfitim.


BE ultimatum qeverisë: Kemi dhënë 100 mln euro për arsimin, të rritet cilësia!

Ambasadorja Christiane Hohmann, e pranishme në Kongresin e Arsimit është shprehur se cilësia në arsim do të jetë në fokus të Bashkimit Europian. Ambasadorja tha se BE i ka dhënë qeverisë shqiptare 100 milion euro për të rritur cilësinë në këtë sektor. “Kur flasim për Shqipërinë flasim për atë si vend brenda BE. Me këtë gjë që sapo ka filluar do të kemi mundësi shumë të mëdha për Shqipërinë. Kjo do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE. Shqipëria duhet të përdorë gjithçka që vjen nga jashtë dhe të shfrytëzojë potencialin që ka nga brenda. Të krijohen përmes arsimit udhëheqës të bizneseve jo vetëm për të krijuar vende pune, por edhe për t’i bindur shqiptarët se e ardhmja e tyre është në Shqipëri dhe jo jashtë vendit. Ne kemi dhënë më shumë se 100 milion euro në mënyrë që këto çështje të bëhen realitet”,- u shpreh ndër të tjera Hohmann.


Politika:
Qeveria të pranojë propozimet e pedagogëve!

Kreu i Partisë së Lirisë, kreu i Partisë Demokratike dhe deputetë të partive respektive kanë mbështetur protestën e pedagogëve duke dalë në deklarata të ndryshme. Partia e Lirisë në një prej deklaratave për mediat ka bërë thirrje që qeveria të pranojë menjëhërë kërkesën e pedagogëve dhe të rrisë pagat e tyre. “Të rriten menjëherë pagat për pedagogët dhe profesorët! Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë! Të ndërgjegjshëm për problemet e Arsimit të Lartë dhe nxitur nga nevoja për përmirësimin e menjëhershëm të situatës kaotike, mbështetim plotësisht kërkesat dhe propozimet e drejta dhe lehtësisht të realizueshme të Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, që meritojnë të adresohen dhe të marrin zgjidhje të menjëhershme” Kreu i PD, Berisha bëri thirrje për protesta massive në rast të mosplotësimit të kërkesave nga ana e qeverisë.

Studentët kërkojnë 100 euro në muaj, paralajmërojnë bojkot të mësimit

100 euro në muaj është rimbursimi, që studentët kërkojnë nga qeveria për shkak të rritjes së çmimeve. Ata kanë dorëzuar në Kryeministri peticionin e firmosur prej tyre. Në deklaratën e dhënë studentët thanë se do të bojkotojnë mësimin kur të nisë viti akademik nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. “Është e pamundur që të nisë viti akademik këtë vit. Xhepat e studentëve janë bosh. Duke ditur falangat e Kryeministrisë dhe zjarrshuesit e protestave, që i ka gjithmonë në dispozicion, do ketë tentativa për protesta. Mos u ngatërroni kurrë me studentët në dhjetor”, shprehet një student. Ky vit i ri akademik është në pikëpyetje nëse do të nisë apo… Pedagogët kanë paralajmëruar mosnisje të procesit mësimor më 17 tetor nëse qeveria nuk do të marrë masa për të plotësuar kërkesat e tyre, ku njëra prej tyre është rritja e pagave.