Flasin Olli dhe Topollaj: Ja skema 60 milionë euro për dhënien me koncesion të shkollave shtetërore

519
Flasin Olli dhe Topollaj: Ja skema 60 milionë euro për dhenien me koncesion të shkollave shtetërore. Paratë e taksapaguesve dhe vendimi i Gjykatës Administrative

Ndërtimi i shkollave me koncesion, ja skema 60 milionë eurosh nga Bashkia e Tiranës
Mënyrën, sesi është proceduar nga bashkia e Tiranës, e shpjegon për “Telegraf” , Fabian Topollaj dhe Leonard Olli, pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Rreth katër muaj më parë, këshilli Bashkiak i Tiranës, pa votat e LSI-së dhe ato të PD-së, kaloi një vendim për dhënien e shkollave me koncesion në kryeqytet. Askush nuk foli për këtë skemë të ngritur me shumë kujdes nga kryebashkiaku Veliaj që në fillim të këtij viti. Ky projekt u fut në mbledhjen e datës 26 korrik, në të njëjtën ditë kur u miratua edhe rritja e tarifës për ujin e pijshëm. Ndërsa për këtë tarifë pati shumë debate në publik, dhënia e shkollave me koncesion kaloi në heshtje. Bëhet fjalë për një skemë 60 milionë euro të dhënies me koncesion të ndërtimit të shkollave në Tiranë. Në të njëjtën kohë bëhet fjalë për një skemë gjigante klienteliste, e kundërshtuar hapur nga opozita. Por ky vendim kaloi pikërisht në ditën, kur dy anëtarë të këshillit të LSI-së zëvendësuan dy anëtarë, të cilët ishin bërë pjesë e parlamentit. Debati në atë kohë u bë vetëm për legjitimitetin e dy anëtarëve të rinj nga radhët e LSI-së, të cilët në atë periudhë, u tha se u blenë nga Erjon Veliaj. 
Në të njëjtën mbledhje ku ishte përfshirë rritja e tarifës së ujit, Këshilli Bashkiak pas largimit të opozitës, diskutoi Projekt-vendimin për miratimin në parim të studimit të fizibilitetit dhe të kontratës “Tip” të Partneritetit Publik Privat: “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë Tiranë”, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe partnerit privat. Anëtarëve të Këshillit Bashkiak nuk u është dhënë as studimi i fizibilitetit, as kontrata “Tip” që përmendet në titullin e vendimit. Kryebashkiaku Veliaj u ka dërguar atyre paraprakisht vetëm një relacion të përgjithshëm informues, pa asnjë detaj dhe asnjë argumentim. Gazeta “Telegraf” u interesua për këtë vendim. Ne folëm me dy anëtarë të Këshillit Bashkiak, të cilët kanë qenë, zëri ndryshe në çdo mbledhje, për sa i përket vendimeve të marra në dëm të qytetarëve. Fabian Topollaj dhe Leonard Olli shpjeguan për “Telegraf” mënyrën se si është vepruar.
Topollaj: Shpresojmë ta ndalim në gjykatën Administrative
Për anëtarin e Këshillit Bashkiak, Fabjan Topollaj vendimi është në paligjshmëri totale. Ai deklaroi se këshilli e kaloi këtë vendim pa u konsultuar dhe në të njëjtën ditë me vendimin për rritjen e tarifës së ujit të pijshëm. Më e keqja, sipas Topollajt, është fakti se ai vendim, ashtu si të gjitha vendimet e tjera të asaj dite nuk legjitimohen. Kjo për faktin se në lojë, Erjon Veliaj, futi dhe dy anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, të cilët zëvendësuan dy anëtarë të larguar pas fitores në zgjedhjet e 25 qershorit dhe uljes në karrigen e deputetit. Topollaj tha, se çështja aktualisht është në Gjykatën Administrative. “Në datë 23 nëntor është seanca e radhës. Ne kemi kërkuar deklarimin e paligjshëm të mbledhjes së këshillit Bashkiak të 26 korrikut dhe në këto kushte mos legjitimitetin e saj. Nëse Gjykata administrative do të marrë parasysh kërkesën, tonë, për të cilën ne mendojmë se është e mbështetur në prova konkrete, atëherë edhe vendimi për dhënien e shkollave me koncesion do të bjerë automatikisht”, tha Topollaj. Më tej ai shtoi se për këtë vendim nuk u është paraqitur asnjë studim, madje gjithçka është bërë në fshehtësi të plotë nga Veliaj. “I gjithë ky projekt do të rëndojë mbi qytetarët. Nuk është koncesion, por një kredi që privati e merr në bankë dhe më pas është bashkia ajo që ia shlyen. Pra privati ndërton dhe merr çdo vit fitimet nga Bashkia”, tha Topollaj. 
Leonard Olli: Kostoja e shkollave do paguhet nga qytetarët
“E gjithë kostoja e projektit do të paguhet nga qytetarët e Tiranës përmes taksës speciale të arsimit që ka vendosur Bashkia Tiranë dhe një fondi që do marrë nga qeveria po nga taksat e qytetarëve. Asnjë analizë, si është arritur në këtë propozim, asnjë e dhënë teknike për projektin, asnjë argumentim dhe justifikim ligjor, politik, administrativ apo teknik nuk u është bërë e ditur paraprakisht këshilltarëve bashkiakë. Gjithçka është paravendosur nga Veliaj dhe Rama. Projekti është, në fakt një skemë e sofistikuar antiligjore dhe klienteliste, ku shteti, pra Bashkia Tiranë, merr përsipër të gjitha kostot dhe paguan për gjithçka, koston e ndërtimit, fitimin e bankave që do t’u japin kredi privatëve dhe fitimin e privatëve që do të ndërtojnë. 
Skema funksionon në mënyrë të thjeshtuar kështu:
-Privati merr hua në bankë;
-Huanë e siguron qeveria/bashkia duke garantuar pagesat vjetore të privatit nga të cilat privati garanton pagesën e kësteve të bankës;
-Privati projekton, financon dhe ndërton shkollën me kredinë që ka marrë nga banka;
-Shkolla mbetet pronë e privatit derisa shteti të ketë shlyer të gjithë koston e privatit plus fitimin e tij; 
-Shteti paguan çdo vit me këste vjetore për shtatë vjet rresht privatin.
Është skemë antiligjore pasi kjo formulë kontraktimi nuk përbën rast që justifikon dhënien me koncesion, pasi privati nuk merr asnjë rrisk dhe në thelb nuk ofron asgjë. Është skemë e marrjes së fshehur të borxhit publik, pasi 60 milionët e programit janë borxh i pastër që do paguhet nga Bashkia, por që formalisht nuk do të llogariten si pjesë e borxhit publik. 
Ja vendimi i Bashkisë Tiranë
Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme;
Bashkia do të ofrojë falas tokën publike për ndërtimin e këtyre shkollave ose në disa raste tokë private të shtetëzuar prej saj;
Kostoja e ndërtimit, që do t’i paguhet privatit, është vendosur në rreth 350 euro për m2 për shkollat dhe 410 euro për m2 për kopshtet;
Kostoja totale e projektit të shkollave me koncesion është llogaritur 60 milionë euro, nga të cilat rreth 40 milionë euro është kostoja e ndërtimit dhe 20 milionë euro fitimi që do t’i paguhet privatit.
Projekti do të zgjasë 7 vjet;
Sigal