Firmat deformojnë projektin e rrugëve, ARRSH hesht

525
Duket se pas zhurmave të vazhdueshme që mediat bënë (kryesisht “Telegraf”), lidhur me mungesën e punimeve në disa akse rrugore edhe në qarkun e Elbasanit, firmat u “urdhëruan” të hedhin shtresën e parë të asfaltit dhe të bënë sikur po zbatojnë disa prej detajeve të projektit të miratuar qysh herët, para se të bëheshin tenderat selektivë. Akset rrugore nga Valasi deri në Cërrik dhe akset rrugore Elbasan (Ura e Shkumbinit), Shirgjan, Gjergjan dhe Cerrik-Banjë, prej disa ditësh kanë marrë asfaltin e parë, një shtresë të hollë e cila porsa nisi shiu i verës, nisi të thërrmohet. Por banorët e këtyre zonave nuk janë dakort me asfaltin e hedhur, as edhe me detajet e tjera që firma bën sikur po zbaton në terren, sepse sipas tyre “projekti është deformuar, nga 9 metra, rruga ka vajtur as 6 metra, dhe nuk ka as trotuare dhe as vende ku do të ecin këmbësorët, gjithashtu mungojnë vendet e koshave të mbeturinave, duke detyruar njerëzit dhe qindra bizneset ti derdhin ato në pyllin me pisha”. Një grua banore e lagjes Shën-Koll dhe disa dhjetëra banorë të Mjeksit u shprehën se “ARRSH të mos mbyllë sytë dhe të tolerojë korrupsionin me lekët e taksapaguesve, rruga është ngushtuar nga 2 metra në të dy krahët e saj, një projekt që as kooperativat bujqësore nuk do ta kishin miratuar. Korrupsioni mbetet i hapur dhe për çdo punim që firma është e detyruar ta bëjë për ta kthyer gjithçka në situatën e mëparshme, kërkohen para nga banorët, punimet janë kryer sikur të ishin amatorë, rrjeti kanalizimeve mund të prishet shumë shpejt sepse është punuar keq, ndriçimi nuk është i mjaftueshëm, kurse vendet për koshat e plehrave mungojnë, po ndoten fushat dhe pyjet nga mbeturinat e familjeve dhe bizneseve”. 

Akzua për ARRSH dhe Ministrinë e Transporteve

Duket se abuzimi me ndërtimin e këtyre akseve rrugore mbetet flagrant, aq sa banorët e zonave akuzojnë hapur ARRSH dhe Ministrinë e Transporteve duke kërkuar hetim mbi gjithë procesin e tejzgjatur të punimeve, dhe dëmet e shkaktuara nga këto kompani ndërtuese për banesat, të mbjellat, jetën dhe shëndetin e tyre, shkatërrimi mjeteve, rrjetit të telefonisë, ndotja masive, aksidentet dhe gjithçka tjetër. Banorët e zonave nga Ura e Shkumbinit deri në Cerrik, nga Valasi deri në Banjë, kërkojnë nga ARRSH, Ministria e Transporteve dhe organet ligjzbatuese, të evidentojnë problematikat e shumta me të cilat ata janë ndeshur prej afro 9 muajsh, pa gjetur zgjidhje ligjore. Mungesa e trotuareve, shtyllave të ndriçimit, mungesa e zgjerimit të rrugëve sipas projektit të miratuar, mungesa e rehabilitimit të pjesëve si mureve, avllive, portave etj, pronë e banorëve të prishura gjatë gjithë kësaj periudhe nga mjetet e rënda, janë disa nga kontestimet e banorëve, që duket se nuk kanë shansin të gjejnë zgjidhje nga Ministria e Transporteve dhe ARRSH. Pretendimet dhe denoncimet e tyre, duhet të rreshtohen në vargun e gjatë të abuzimeve dhe akuzave për shkelje ligjore dhe afera korruptive ndaj dy institucioneve përgjegjëse për rrugët e vendit, ARRSH dhe Ministrisë Transporteve. Banorëve të atyre zonave duhet tu njihet e drejta e dëmshpërblimit për gjithçka shkaktuar nga firmat dhe kompanitë që kanë marrë (jo fituar) tenderat e rrugëve nacionale të kthyera në rrugë rurale, dhe mbi të gjitha me mungesë të standardeve bashkëkohore. 
Sigal