Fillojnë reshjet e para të dëborës, zbardhet Kukësi dhe Korça. Në Durrës rrëzohet pema, ja situata në rrethe

513
Sigal

Jo vetëm Tirana, por edhe qytete të tjera të Shqipërisë janë përfshirë këtë të diel nga moti i keq. Kukësi, Korça dhe Erseka janë mbuluar nga bora, ndërsa deri tani nuk raportohet për vështirësi në qarkullim. Më konkretisht, reshjet në Kukës kanë qenë me intensitet të lartë në lartësitë 600 metra, ndërsa në qytet me intesitet të ulët.

Sa iu përket rrugëve nacionale, si aksi rrugor Kukës-Peshkopi, Kukës-Krume, Kukës-Fushë-Arrëz, Krume-Bajram Curr janë të qarkullushme pa zinxhirë. Kurse rrugët e zonave rurale të Bashkisë Kukës pothuajse janë të qarkullushme përveç disa fshatrave të thellë që qarkullohet me zinxhirë. Edhe Rruga e Kombit është e qarkullushme pa probleme.

Rreshjet e  dëborës përgjatë ditës së sotme kanë qenë të theksuara edhe në zonën e Korçës, Qafë  Qar si dhe në zonën e Ersekës. Aktualisht është duke u punuar në pjesën e Qafës së Qarit për  kriposjen e rrugës, pasi kjo zonë ka krijuar problematikë në qarkullimin e mjeteve. Drejtuesit e automjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm pasi parashikohet vazhdimi i stuhisë me reshjet e borës, ndërsa temperaturat në Qafën e Qarit kanë arritur në -10 gradë Celcius.

Nga ana tjetër, në Vlorë moti është i qetë. Për shkak të erës, është njoftuar pezullimi i lundrimit të anijeve të peshkimit deri në një njoftim të dytë. Ndërkaq, erërat e forta kanë përfshirë edhe qytetin bregdetar të Durrësit. Shumë qytetarë nuk lëvizin nga shtëpitë e tyre pasi një tjetër palmë është rrëzuar nga era e fortë, ekzaktësisht në vendin ku u rrëzua palma disa ditë më parë në sheshin pranë bustit të Azem Hajdarit. Fatmirësisht këtë radhë kalimtarët kanë shpëtuar pa lëndime.

Gjithashtu shumë pasagjerë kane ngelur brenda në tragete duke pritur nisjen e tij që prej mëngjesit të sotëm. Në Sarandë situata paraqitet e qetë. Era e fortë që ka përfshirë gjithë vendin nuk është ndjerë në Sarandë, perveçse ka ulur temperaturat. Kurse aktualisht zona Fushë-Krujës është pa energji elektrike si pasojë e një defekti në rrjetin 110kV prej erës së fortë.