Filip Guraziu/ Sot, 24 vjet nga demonstrata e parë antikomuniste

542
Sigal

Për gjysmë shekulli diktatura komuniste e Enver Hoxhës kishte ushtruar metodat më barbare për të shkatërruar çdo gjë të mirë dhe civile që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.

U eliminuan fizikisht dhe u kalbën në burgje intelektualët, klerikët dhe patriotët më në zë. U shembën objektet e kultit, dhe u grabit prona private. Një terror i pa shembull dhe imoral në përputhje me luftën e klasave shoqëronte në çdo aspekt varfërinë e tejskajshme të shqiptarëve.

Tashmë, diktatura dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren historike”. Kishte kthyer në skllavëri një popull të tërë nën sloganin e krijimit të njeriut të ri: një mostër komuniste të pa fe dhe të pamoral, që zëvendësoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me gënjeshtrën.

Ngjarjet vërtetuan se llogaritë ishin bërë gabim; pasi mund të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe të shkruash histori të rreme, por kurrë nuk mundesh të pengosh ndjenjën e lirisë që shpërthen në shpirtin e të rinjve. Dhe ky shpërthim më 14 Janar ishte një vullkan i fuqishëm nënujor që pasoi me një “cunam” të vërtetë politik, i cili tronditi në themel diktaturën: me 14 Janar 1990 rinia shkodrane, sfidoi diktaturën duke demonstruar haptas në shesh për rrëzimin e monumentit të “baba Stalinit ”. Disa muaj prapa, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën vjedhurazi nga organet e diktaturës.

Fatkeqësisht, pasojat e “cunamit” ishin tragjike: mbi 600 qytetarë të arrestuar, pjesë e madhe e torturuar, dhjetë ndër kryesorët të dënuar për shumë vite burg, pesë të tjerë të shtruar në psikiatri dhe disa familje të internuara. Një nga të burgosurit, i ndjeri Rin Monajka doli nga burgu (me ardhjen e demokracisë), në gjendje invaliditeti ekstrem, torturat shtazarake e kishin bërë efektin makabër.

Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demonstratës së parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër. Populli i Shkodrës dhe i malësive përreth, edhe më parë kishin demonstruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën perëndimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së kishës katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetëmohim të malësorëve kelmendas në Janar të 1945 dhe Kryengritjen e Postribës në vitin 1946. Shembuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm. Terrori politik që pasoi 14 janarin 1990 nuk arriti të mposhte shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat antikomuniste të shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.

Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre që u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin t’i rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon më 14 janar 1990 dhe kjo duhet  të shkruhet. Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë i themelit ishte demonstrata e 14 janarit 1990.