Festuan me muzikë dhe birra, gjobë dhe padi mjekëve shqiptarë që shkuan në Itali

359
Sigal

Grupi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që u dërguan në Itali janë përballur me një eksperiencë të keqe në mbyllje të misionit të tyre atje.

Gazeta “Corriere Della Sera” shkruan se ata kanë festuar mbylljen e misionit me muzikë dhe birrë, por për këtë arsye janë gjobitur. Gjobat e marra shkonin deri në 500 euro, shkruan gazeta.

Shqiptarët u denoncuan për shkak të festës dhe zhurmave në hotel në Breshia.

Kurse portali FanPage shkruan: “Ata vendosën të festojnë ditën e fundit të punës dhe kthimin në atdhe me një festë në njërën nga dhomat e hotelit: kjo nuk kaloi pa u vënë re nga pronari i hotelit në Breshia, ku po qëndronte ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, kështu që brenda pak minutash, forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe i gjobitën dhe i paditën, pasi disa shfaqën rezistencë”.

“Nuk do të jetë një histori me fund të lumtur për personelin shëndetësor që mbërriti në Itali 29 marsin e shkuar për të ndihmuar spitalet lombardë në vështirësi. Ardhja e tyre ishte përshëndetur me entuziazëm jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët”, shkruan portali.

“Për fat të keq, disa nuk arritën të zbatojnë rregullat e bllokimit dhe shkuan në festime. Në fakt dhjetë prej tyre u gjetën në një dhomë hoteli në Breshia.

Mes tingujve të muzikës dhe birrës ata kishin filluar festimet. Por gjithçka përfundoi kur erdhi policia dhe gjobiti të pranishmit. Gjërat u komplikuan kur disa prej mjekëve reaguan keq ndaj gjobave”, vijon portali. Dy prej tyre, janë paditur për rezistencë dhe fyerje.