Festa e Shën Mërisë/ Pritet fluks mjetesh në pikat kufitare Greqi-Shqipëri, ja çfarë raportojnë mediat helene

221
Sigal

Mediat greke kanë bërë njoftime sensibilizuese për shpërndarje të automjeteve që vendosin të kalojnë kufirin me Greqinë, në të gjitha pikat kufitare me shtetet fqinj, për të shmangur fluksin në pikat e mëdha hyrëse.

Nga pika kufitare e Kakavijës, pala shqiptare ka bërë shpeshherë thirrje të vazhdueshme për të shfrytëzuar të gjithë orarin e vendosur të hyrje – daljeve përgjatë 24 orëve dhe kalimin e shtetasve edhe në pikat e tjera kufitare veç asaj të Kakavijës, me qëllim evitimin e radhëve të gjata në pikën më të madhe të kalimit të kufirit me shtetin grek.

Veç Kakavijës, dy shtetet fqinje kanë pikat doganore të Kapshticës në Korçë, Tre urat në Përmet dhe Qafebotës në Sarandë.

Kujtojmë se një vit më parë, një radhë prej mbi 25 km, u krijua në Kakavijë, në këtë periudhë, si pasojë e fluksit në dalje nga Shqipëria. Pikërisht në 15 gusht, një autoambulancë shtypi një fëmijë 10 – vjeçar në aksin Jorgucat – Kakavijë, pranë Bularatit.

Aktualisht pala greke, në Kakavijë, vijon të punojë me dy sportele, si pasojë e masave anticovid, ndërsa merren edhe testet rapid për shtetasit që hyjnë në Greqi, duke krijuar vonesa dhe radhë të gjata pritjeje për automjetet që synojnë të kalojnë kufirin kryesisht përgjatë orëve të para të mëngjesit, duke lënë të zbrazët pjesën tjetër të ditës.